• Today is: Monday, November 25, 2024

POSHTËRSITË POLITIKE TË LDK-së NUK I MBULON GËZOFI KINSE AKADEMIK

EA
April22/ 2020

Funksionari i lartë i LDK-së Kujtim Shala ka njoftuar se LDK ka pyetur në Washington nëse kryeministri Albin Kurti bën t’i drejtojë bisedimet me Serbinë. Përgjigja, sipas poetit lirik Shala, ka qenë jo. Pra, edhe po të hiqeshin krejtësisht tarifat dhe reciprociteti, kjo nuk do të mjaftonte, sipas Shalës. Kjo deklaratë e tij është edhe një dëshmi për agjendën antidemokratike të LDK-së. Është praktikë joetike, jomorale, jonormale dhe e rrezikshme për rendin demokratik nëse me mentalitet skllavi pyeten shtetet e tjera se a bën të jetë ky apo ai kryeministër, ministër apo president. Me këtë logjikë të mbrapshtë lirisht le të suspendohen edhe zgjedhjet, sepse nuk kanë kuptim. Le të pyetet çdo katër vjet në Washington apo Bruksel se a bën apo nuk bën filani për ketë apo atë post të lartë. LDK ia ka borxh opinionit një sqarim për deklaratën tepër kanosëse për demokracinë të funksionarit të saj.

 

Nga Enver ROBELLI

 

Funksionari i lartë i LDK-së dhe poeti lirik Kujtim Shala tha se “pyetja jonë e drejtpërdrejtë” në “administratën amerikane” ka qenë kjo: “Nëse hiqen tarifa dhe reciprociteti dhe të gjitha, a do të mund t’i prijë kryeministri i Kosovës delegacionit? Përgjigjja ka qenë jo”. Shala sqaroi (në T7) eksplicit se e kishte fjalën për “kryeministrin Albin Kurti”. Domethënë: LDK paska pyetur se cili kryeministër është i pranueshëm në Washington për të negociuar me Serbinë.

Për shumë arsye kjo sjellje e LDK-së tregon se ajo nuk është më parti, por patericë antishtetërore. Edhe nëse Shala nuk e thotë të vërtetën, deklarata e tij duhet të shqetësojë opinionin. E nëse e thotë të vërtetën, duhet të ketë reagim të ashpër nga të gjithë ata që ende besojnë në demokraci dhe në rendin demokratik.

Së pari: Gjykata Kushtetuese me një vendim të sajin e ka forcuar rolin e kryeministrit në bisedimet me Serbinë. Duket se këtë LDK nuk e ka të qartë, andaj e sheh të udhës të pyes jashtë Kosovës se cili kryeministër është i përshtatshëm. Kjo edhe ëndërr me qenë, është e rrezikshme.

Së dyti: është praktikë skandaloze, jodemokratike, joetike, jornormale dhe antishtetërore që të pyeten shtete të tjera, qofshin këto edhe SHBA-të apo pjesë të administratës në Washington, se a bën ky apo ai politikan të drejtojë negociatat me Serbinë apo të jetë pjesë e delegacionit. Natyrisht që SHBA-të si shtet që e ka bashkëthemeluar Republikën e Kosovës kanë rol në shumë vendime në politikën e Kosovës – për të mirë dhe për të keq. Pa rolin e SHBA-ve Atifete Jahjaga ende do të ishte police e mirë. Jo më shumë. Por kur një parti, në këtë rast LDK, pyet drejtpërdrejtë në Washington se cili kryeministër është i përshtatshëm, kjo ka një cilësi të re – cilësi shtetdëmtuese.

Sipas kësaj që po thotë Kujtim Shala problem nuk paskësh qenë as tarifa dhe as reciprociteti, sepse edhe po të hiqeshin ato krejtësisht, prapë duhej të hiqej edhe kryeministri. Sepse na qenkësh pengesë për marrëveshjen me Serbinë. Ndoshta ajo marrëveshje është e mirë. Mbetet të shihet. Por për këtë duhet ta bind opinionin LDK, pasi që po tregohet e gatshme të marrë përsipër një barrë që asnjë parti normale dhe largpamëse nuk do ta merrte tani. Gjithsesi, do të jetë interesante të shihet nëse LDK në muajt e ardhshëm do të këmbëngulë në atë që ka thënë shpesh: se nuk negocion kufijtë e Kosovës. Apo do të shkojë zvarrë pas limuzinës së Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit?

Duket se Lidhja Demokratike e Kosovës është në eufori të marrjes së pushtetit dhe në këtë eufori ajo po shpalos krejt veprimet antishtetërore. Gjatë gjithë këtyre viteve LDK nuk i ka pyetur kurrë shtetet e tjera nëse Hashim Thaçi duhet të luajë rol në dialog me Serbinë. Nuk ka pyetur LDK se a bën Thaçi të jetë president, kur dihet se ai shpesh ka zënë faqet e gazetave më të rëndësishme botërore për shkak të akuzave që rëndojnë mbi të. Interneti nuk harron asgjë: edhe sot gjenden tekstet tejet kritike ndaj Thaçit në “Guardian” apo “Der Spiegel”. Ato tekste e kanë dëmtuar rëndë imazhin e Kosovës. Si president Thaçi ka zhvilluar jashtëzakonisht pak vizita zyrtare edhe në vendet që i kanë ndihmuar Kosovës. Dhe për këtë ka një arsye: biografia e tij politike. Nuk është dëgjuar ndonjëherë Kujtim Shala të shprehë shqetësim se Hashim Thaçi po ia prish imazhin Kosovës. Pothuaj askush nga çarshia politike dhe mediatike e Prishtinës nuk po pyet për dëmin që ia ka shkaktuar imazhit të Kosovës, Hashim Thaçi, por ka një mobilizim si në cirk për të alarmuar se pranimi i testeve të koronavirusit nga Serbia e paskësh “amnistuar” Serbinë përgjithmonë. E çuditshme që Hashim Thaçi nuk e dënoi pranimin e testeve nga Serbia.

Sa i përket pyetjes që LDK paskësh bërë në Washington: paramendojeni të shtrohej kjo pyetje në Washington apo Berlin a Paris nga rivalët e Ibrahim Rugovës në vitet ’90-të: a bën Ibrahim Rugova të drejtojë delegacionin e Kosovës në bisedimet me Serbinë? Këtu nuk po bëj krahasim mes figurës së Kurtit me atë të Rugovës, por po e theksoj se është praktikë pothuaj kriminale të pyesësh të tjerët jashtë Kosovës se a bën të qeverisë ky apo ai. Ka diçka që quhet dinjitet shtetëror. A janë të vetëdijshëm këta njerëz, këta udhëheqës të LDK-së, se çfarë praktike dhe zakoni të pashkruar duan të imponojnë? Sepse nesër kjo praktikë mund të lidhet me emra të tjerë, jo vetëm me Kurtin. Shumë shtete europiane nuk kanë qenë të lumtura që LDK më 2004 e ka bërë Ramush Haradinajn kryeministër. Është pritur se do të akuzohet nga Gjykata e Hagës, por LDK nuk ka pyetur në metropole europiane nëse lejohet që Haradinaj të bëhet kryeministër.

LDK edhe njëherë – për të satën herë? – po tregon se nuk bëhet merak për kurrfarë rendi e rregulli institucional e demokratik. Klithmat e liderëve të saj se janë “institucionalistë” e kanë vendin në librat e Ezopit dhe Vëllezërve Grim. Nuk mbulohen poshtërsitë politike me gëzof kinse akademik. Kjo fasadë është zverdhur. LDK ka mundur ta refuzojë koalicionin me VV-në dhe të tentojë të krijojë një qeveri tjetër pas 6 tetorit dhe jo të luajë lojëra. Por skema e mashtrimit po shpaloset ditë-ditës: LDK ka fituar vota duke mikluar disponimin popullor për një qeveri të shpresës, pastaj ka bllokuar me muaj të tërë krijimin e qeverisë dhe në fund, pas rrëzimit të kabinetit, përmes funksionarit Shala shpalosi një skandal tjetër: kemi pyetur administratën në SHBA se a bën Albin Kurti të jetë kryeministër gjatë bisedimeve me Serbinë? Tani që amerikanët paskan thënë “s’bën”, do të jetë interesant të shihet se “kush bën” nga LDK të jetë kryeministër? Me siguri ndonjë që nuk do të jetë më shumë se kamerier i Hashim Thaçit.

(Ky shkrim është botuar paraprakisht në KOHA DITORE me një tjetër titull)