(Me rastin e 90 vjetorit të vrasjes së Hasan Prishtinës, sipas fakteve të reja arkivore)
Nga Dr. Luan Zyka
E hënë ishte edhe atëhere, dhe 14 gusht…
Pikërisht si sot, para 90 vjetësh, më 14 gushtit 1933, rreth orës 14,15, një zotni po ecte me ritëm të ngadaltë përgjatë rrugës “Tsimiski” të Selanikut, që gëlonte nga gjallëria e kalimtarëve, tramvajit dhe makinave të ndryshme.
Zotnia rreth të 60-ve me barsolinë, veshur më një kostum gri dhe një bastun ngjyrë argjendi në dorë, dukej se kishte dalë për shëtitjen e zakonshme pas ngrënies së drekës në hotelin “Ariston” ku banonte prej disa ditësh.
Pas një itinerari të gjatë dhe plot peripeci nëpër Turqi, Rumani, Austri dhe Bullgari, emigranti i vjetër politik, i kthyer në qytetin e tij të shkollimit, ndoshta shikonte me melankoli zhvillimet e reja të qytetit grek, duke pasur në mendje dhimbën e kujtimeve të atdheut të tij, që nuk po hynte akoma në udhën e zhvillimit perëndimor.
Teksa kishte arritur në kryqëzmin e rrugëvë Tsimiski dhe Vogkatsiko, rrjedhën e hamëndsive të tij do ta ndërprisnin plumbat e ardhur pas shpine, lëshuar prej revoles së një personi të bëshëm.
Zotnia me borsalino i gjendur në befasi, kthehet paksa nga vrasësi, dhe duke u përkulur mbi bastun, fut dorën në xhep të nxjerrë revolen e tij, një Smith amerikan me këmbëz të fildishtë dhe veshur në serm.
Por, vrasësi vërsulet me mani shtazarake sipër trupit të përkulur, duke e qëlluar përsëri me dy plumba të tjerë në kokë e në gjoks, për të arritur deri në fund qëllimin e tij.
Mbi trotuarin e përgjakur ra duke dhënë frymën e fundit, njëri nga shqiptarët më të famshëm të shekullit të 20-të.
“Këtu e vranë Hasan Prishtinën” – do më thoshte emigranti i vjetër shqiptar në Selanik, dardhari Kosta Konopulli, në nëntor të vitit 1981, kur unë sapo kisha arritur atje për studime në Universitetin “Aristotel”.
Kush ishte dhe çfarë ideologji kombëtare përfaqsonte Hasan Prishtina ?
Po kush ishte zotnia fisnik që e vranë në rrugën Tsimski të Selanikut?
Ishte e rastësishme vrasja e një njeriu pa pasur më parë asnjë incident debati apo konflikti, në rrugën kryesore të Selanikut kozmopolit, nyjes ballkanike të politikës, biznesit, korrupsionit por edhe labirintheve të shërbimeve të fshehta ?
Prokurori i gjykatës së Selanikut, Eksarhopulos, më datën 23 shkurt 1934, deklaronte në sallën e gjyqit, me emocion jo të zakonshëm për një jurist, gjatë leximit të aktakuzës ndaj vrasësit të Hasan Prishtinës:
“Unë, tha prokurori, nuk jam këtu të vlersoj personalitetin e Hasan Prishtinës, por dua të deklaroj se Hasan Prishtina ishte një patriot i madh shqiptar, që punoi dhe luftoi për lirinë dhe mbrothësinë e atdheut të tij, dhe që rrethanat e sollën të ishte jashtë atdheut të vet”
Hasan Prishtina ndoshta mban rekordin në historinë shqiptare, ku për shkak të veprimtarisë së tij politike, është dënuar gjashtë herë me vdekje; nga xhonturqit, nga Esat Pasha, nga Serbia dhe tre herë nga qeveria e Ahmet Zogut.
Hasan Prishina lindi në Vushtrri të Kosovës, në 27 shtatot të viti 1873. Deri në vitin 1908 është quajtur Hasan Berisha-Polaci, diku tjetër Hasan Vuçitërni, kurse prej kohës kur zgjidhet deputet i Prishtinë në parlamnetin otoman, Hasan Prishtina. Edhe pse ka letra të viteve 1920, të nënshkruajtura me dorën e tij si Hasan Vuçiterni.
Mësimet e para i kreu në vendlindje, të mesmen në Selanik dhe studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë në Stamboll.
Gjatë shkollimit fitoi kulturë të gjerë, ku përveç turqishtes mësoi gjuhë të huaja si, frëngjisht, greqisht dhe arabisht, si edhe u brumos me ide përparimtare evropiane.
Në kryeqytetin otoman krijoi lidhje të ngushta me bashkatdhetarët e tij, dhe u njoh me veprat e tyre epokale si të Sami dhe Naim Frashërit, Pashko Vasës, Hoxhë Tahsinit, etj, si dhe do të njihet me veprat e iluministëve francezë, Volterit, Monteskie, Zhan Zhak Rusos, etj.
Fillimisht ai punoi në administratën qendrore në Stamboll, ku arriti postin e
Kryekonsullit të shtetit, dhe njohu mekanizmat e ndërtimit dhe funksionimit të administratës shtetërore. Janë për tu admiruar stili dhe gjuha e përzgjeshur që përdor Hasan Prishtina në komunikimin e tij si oratorik, ashtu edhe në fjalën e shkruajtur.
Ai u zgjodh tre herë deputet i shqiptarëve nga Prishtina (1908 – 1912) në parlamentin
Osman, ku u dallua si deputeti shqiptar më aktiv në mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve, si edhe të popujve të tjerë, veçanërisht kundër politikës shtypëse antishqiptare të xhonturqve.
Një ditë pas fjalimit historik të Hasan Prishtinës në Parlamentin Otoman, më 11 janar 1912, me nismën e Ismail Qemalit u mbajt “Takimi i Taksimit”, ku morën pjesë Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Esad Toptani, Myfid Libohova, Syrja Vlora dhe Aziz Vrioni, të cilët dhanë betimin për organizimin e Kryengritjes shqiptare për autonominë e gjithë Shqipërisë.
Disa ditë më pas, duke parë përkeqsimin e gjëndjes së popujve të perandorisë otomane, 5 depute të parlamenti turk i kërkuan takim sulltanit. Në mes tyre edhe Hasan Prishtina. Të nesërmen, gazeta “Tanin” e Xhonturqëve shkruante “Hasan begu nga Vulçitirni, deputet i Prishtinë, filloi me na kërcënue përpara sulltanit”.
Pasi mori detyrën, ai shkoi në Kosovën e tij për organizimin e Kryengritjes së përgjithsme kundër Perandorisë Osmane
Më 5 maj 1912, Hasani, ashtu siç kishte paralajmëruar, doli në Drenicë ku
iu drejtuar krerëve të tubuar atje se po i shpall luftë Turqisë; ” Më mirë një pushkë në male se një thes fjalë në Parlament”. Dhe “Në vend të një kulltuku me turp në Stamboll, preferova kryengritjen me nder në malet e Kosovës”
Ishte Kryengritja e Përgjithshme e shqiptarëve, dhe atyre të Kosovës kryesisht, që i dha goditjen vdekjeprurëse ngrehinës së sëmurë otomane në Ballkan.
Ideali i Hasan Prishtinës ishte çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i kombit shqiptar. Ai ishte i papajtueshëmme ndaj çdo ideje përçarëse, veri-jug, toskë e gegë. Në një fjalim në Parlamentin shqiptar, më 1921, ai deklaroi: “Unë nuk jam as tosk, as geg, por jam shqiptar”.
Kjo ishte moto e jetës së tij në gjithë veprimtarinë politike, organizative, diplomatike, kulturore dhe luftarake nga të gjitha pozicionet ku e çoi fati i luftëtarit të përjetshëm.
Hasan Prishtina, ishte i fundmi q; kish mbetur nga krijuesit e Shqipërisë dhe në vizionin e tij, të formuar e mbrujtur në mitrën e sapo formuar të kombit shqiptar, nuk mund të kishte tjetër hapësirë se sa ajo e bashkimit të shqiptarëve në një shtet. Ashtu, si pak a shumë ndodhi me popujt e tjerë të Ballkanit, ku edhe ata nuk kishin kënaqur krejt orekset e tyre nga kazani etniko-territorial ballakanik.
Por Shqipëria e Konferencës së Londrës të vitit 1913 nuk ishte ajo për të cilën Hasan Prishtina ishte ngritur edhe kundër Perandorisë Otomane. Për më tepër, vendilndja e tij dhe toka për të cilën luftoi me armë në dorë, Kosova, ishte lënë jashtë trungut mëmë.
Ky ishte dhe mbeti gjithë jetën vizioni dhe kredua e tij politike. Ai mendonte se Shqipëria pa Kosovën nuk mund të ishte shtet normal që mund të mbijetonte.
Hasan Prishtina, për shumë vite, bashkëpunoi me të gjitha forcat dhe vendet që mund ti shërbenin realizimit të qëllimit të tij. Përveç Serbisë. Sa edhe historiani serb Milosav Jeliç shkruan në librin e tij “Albanija” më 1933, “Këtë njeri, ne serbët, duhet ta kishim bërë për vete”.
Por koha gjeopolitike nuk punonte për shqiptarët. Dhe Hasan Prishtina ndoshta e kuptoi këtë që në krye të herës, kur kërkesës së tij për të mbështetur pavarsinë e Shqipërisë, konsulli anglez në Shkup iu përgjigj “Mbretëria e Bashkuar nuk ka interes të merret me këtë çëshje”.
Por një prijës popullor si ai, luftëtar i së drejtës dhe vetvendosjes së popujve, kishte besim të patundur tek të drejtat natyrore të çdo kombi për mvetësi.
Por nuk mendonin kështu prijsat lokalë shqiptarë me frymë orientale dhe despotike. Atyre u mjaftonte që të kishin nën hyqëm një fshat e të kishin titullin bej, pasha etj. Dhe për të arritur këtë qëllim, ishin të gatshëm ti shërbenin edhe djallit vetë. Shqipëria e katandisur një thelë nga Konferenca e Londrës ishte tamam kostumi që i shkonte për shtat Esad Pashës, Ahmet Zogut e përkrahësve të tyre.
Apo ndoshta këta e nuhatën se kaq ishin fuqitë e shqiptarëve, dhe në fillim duhej ndërtuar kjo pjesë Shqipëri e në të ardhmen shikojmë e bëjmë, ata vetë, apo brezat e ardhshëm…?!
Të dy palët i mbetën besnikë deri në fund pikpamjeve të tyre. Me një ndryshim: Lokalistët ofiqarë ishin gati të jepnin çdo gjë, dhe të bashkpunonin me çdo shtet tjetër me kusht që ata vetë mos të humbnin kolltukun e pushtetit.
Ndërsa Hasan Prishina gjatë gjithë jetës së tij, dëshmoi se ai do të mbështetej tek çdo shtet që do ndihmonte në realizimin e qëllimit të tij etnik.
Kështu veproi sapo u formuaa shteti shqiptar si deputet, ministër, kryeministër apo i emigrant politik nëpër Europë duke vazhduar misionin e tij me të gjitha mënyrat e mundshme.
Deri sa e gjetën plumbat vrasësë që vërtetuan profecinë e tij kur u kishte thënë bashkluftëtarëve të ngushtë “herët a vonë, mu, ty Gurakuq, dhe ty Bajram beg ka me na vra dora e Ahmet Zogut”. Vrasjet janë dëshmuar, ndërsa vrasësi apo vrasësit mbeten për tu vërtetuar plotësisht.
Vijon nesër…
- Sfondi politik i kohës së vrasjes së Hasan Prishtinës
- Cili ishte raporti i Hasan Prishtinës më Greqinë dhe ish-deputetët grekë, kolegët e tij, në parlamentin otoman në vitet 1908 -1912 ?
- Kush ishte, apo ishin të interesuar për vrasjen e Hasan Prishtinës?
- Kush ishte ekzekutori Ibrahim Çelo, “patrioti” që nuk dinte mirë të fliste shqip, dhe cili fati i tij i mëtejshëm?
- Cili ishte monitoruesi i vrasjes së Hasan Prishtinës dhe një nga agjentët shqiptarë (apo edhe të shërbimeve të tjera) më i zhdërvjellët që më vonë u bë deputet i parlamentit shqiptar ?
- Cili ishte roli i kryekonsullit Jusuffati, i Sekretarit të Konsullatës Remzi Çelo, dhëndrit të ardhshëm të Mehdi Frashërit, si edhe i kafasit të Konsullatës në vrasjen e Hasan Prishitnës?
- Hasan Prishtina figurë e së shkuarës apo dishepull i një të drejte kombëtare që u realizua më 1999 ?