• Today is: Sunday, November 24, 2024

BASHKËSIA NDËRKOMBËTARE (NJË PJESË E SAJ) PO E FLIJON STABILITETIN E KOSOVËS PËR REHATINË E KOLLTUKUT TË VUÇIQIT!

fakti
September25/ 2023

Të mbështetësh sot Vuçiqin, është njësoj sikur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore të ishte mbështetur ende Gebelsi dhe të mos ishin dënuar krimet monstruoze të Hitleit. Ju lutem çfarë Evrope do të kishim sot, si do të dukej ajo, nëse do të ndodhte një amnesti e tillë e çuditshme e atyre që Evropën deshën ta shndërrojnë në gërmadhë me eshtra njerëzish të pafajshëm. A kaq i lirë qenka çmimi i lirisë së shqiptarëve të Kosovës dhe ku buron ky cinizëm që ende këtë liri e masin në kandarin e prishur të Vuçiqit?!

Nga Emin AZEMI

 

Ndërkombëtarët, sidomos BE, e kanë dënuar sulmin terrorist, por nuk e kanë adresuar fajin për këtë sulm. Ata kanë mbështetur Qeverinë e Kosovës dhe e kanë konsdirruar legale dhe legjitime mbrojtjen e sovranitetit të vendit, por pa e përmendur kreun politik të Beogradit dhe ky, mendoj unë, është problemi kryesor në diskursin ndërkombëtar, sidomos evropian, ndaj Kosovës, duke amnestuar sërish Serbinë nga përgjegjësia për destabilizimin eKosovës dhe rajonit.

Grupi terrorist që sulmoi policinë e Kosovës, me ç’rast vrau një dhe plagosi disa efektivë të kësaj policie,  është pjesë e strategjisë kamufluese të Beogradit për të krijuar situata konfilktuoze në Kosovë, sepse vetëm duke e mbajtur gjallë këtë strategji, mbijeton edhe politika destruktive e Beogradit ndaj Kosovës dhe rajonit përgjithësisht.

Perëndimi çuditërisht ende sheh tek Vuçiçi njëfarë aleati, pa çka se ai ende ka kundërshtuar thirrjet e Brukselit e Washingtonit për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë dhe për këtë vazhdon të mos ketë kurrfarë pasoje. Këtë qëndrim Vuçiqi e përsëriti edhe një herë para gazetarëve në prag të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, duke kundërshtuar kështu hapur përpjekjet e NATO-s, SHBA dhe BE-së për të detyruar Putinin që të largohet nga aventura invaduese në Ukrainë.

Vazhdimi i krizës në Kosovë, sidomos në veri të saj, është edhe pasojë e politikave të njëanshme të Brukselit  ndaj hendekut të hapur në mes të Beogradit dhe Prishtinës. Me standarde të dyfishta dhe me qëndrime asimetrike, Brukseli vazhdon ta bëjë edhe më të thellë këtë hendikep. Kjo ka mjaftuar ta trimërojë Vuçiqin në çuarjen  përpara të axhendave hegjemoniste të të ashtuquajturës “bota serbe”.

Edhe sulmi i djeshëm terrorist mbi policinë e Kosovës është pjesë e këtyre axhendave, kurse përfshirja e një manastiri në gjithë këtë lojë tregon se sa të paqëndrueshme janë kërkesat për shpalljen e pronave të kishave dhe manastireve serbe si zona eksterritoriale, një absurd i llojit të vet që Brukseli insiston t’i instalojë në këtë pjesë të Evropës. Eksteritorialiteti i kishave dhe manastireve serbe do të jetë gjithmonë një fitil i ndezur në duart e piromanëve në Beograd, kurse fajtor kryesorë për këtë zjarrvënie të qëllimshme në këtë pjesë të Ballkanit janë disa faktorë me ndikim në bashkësinë ndërkombëtare, të cilët po bëjnë shumë gabim që po e flijojnë stabilitetin e Kosovës për rehatinë e kolltukut të një politikani në Beograd, i cili me asgjë nuk ka ndryshuar nga fryma millosheviqiane e të bërit politikë. Të mbështetësh sot Vuçiqin, është njësoj sikur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore të ishte mbështetur ende Gebelsi dhe të mos ishin dënuar krimet monstruoze të Hitleit. Ju lutem çfarë Evrope do të kishim sot, si do të dukej ajo, nëse do të ndodhte një amnesti e tillë e çuditshme e atyre që Evropën deshën ta shndërrojnë në gërmadhë me eshtra njerëzish të pafajshëm.
A kaq i lirë qenka çmimi i lirisë së shqiptarëve të Kosovës dhe ku buron ky cinizëm që ende këtë liri e masin në kandarin e prishur të Vuçiqit?!

Shkup, 28 shtator 2023