Në këto çaste dramatike, në këtë agoni të shqiptarëve të Kosovës, vetëm Bllaca dhe UÇK mbetën realitet, të tjerat, pra edhe partitë politike me liderët e tyre u shuan, njësoj siç u shuan ankthet dhjetëditore të kaluara në kampin e përqëndrimit të quajtur Bllacë, shkruante Gazeta FAKTI, 15 prill 1999
Treni si kulçedra e zëzë, qëndronte në Stacionin e Vjetër të Prishtinës, i rrethuar në të gjitha anët nga policët, ushtarët dhe paramilitarët serbë. Hynin njerëzit në te gjithqysh, madje edhe përmes dritareve, hipur mbi kokat e njëri tjetrit. As që mund të merrej me mend numri i shqiptarëve që gjendeshin aty, e që kishin vetëm një qëllim të shpëtojnë nga masakra e terrori serbian, duke mos pandehur se venin në ferr.
Lokomotiva e gjatë sa nuk ta kapte dot syri, u nis, e me të u lëkund, apo siç do të thoshte De Rada ynë, u nis edhe gjaku i Arbërit. Sa më tepër që ajo shtonte shpejtësinë, aq më shumë zbehej Kosova, e cila ngecte pas – e shkretë. “Ma jep një cigare, se më dogji flaka” – tha një pesëdhjetëvjeçar, që e kishte braktisur duhanin para dhjetë viteve, duke mos mund t’i frenojë lotët. Nuk ishte kjo pamje patetike, siç mund të vërehet në jetën e përdithsme, por dhembje e njeriut të revoltuar, të prekur në qenie, të lënduar në shpirt, i cili në pamundësi t’i rezistojë armikut, ishte detyruar të braktisë vatrën, vendlindjen e atdheun.
Me të kaluar kufirin, të cilin e kontrollonin serbët, kolona e njerëzve që qarkullonte vetëm midis binarëve (nga jashtë tyre gjendeshin minat) hyri në zonën neutrale – midis Kosovës dhe Maqedonisë, hyri pra në Bllacë, – në luginën, në fushëgropën e tmerrit e ferrit. Me dhjetëra mijëra, qindra mijëra shqiptarë, burra, gra, fëmijë, pleq, të sëmurë, të hendikepuar, femra shtatëzëna, ku në grupe e ku në turma, qëndronin në atë fushë të mallkuar, me shikim të drejtuar kah pikëkufiri, kah kordoni i policave maqedonas, të cilët as që përpiqeshin të fshehin qëndrimin e tyre përbuzës, disponimin antishqiptar. Të thoshte mendja, se ata nuk gjendeshin aty për të ruajtur rendin, e as për të mundësuar shpëtimin e shqiptarëve të ikur nga terrori, por për t’i mbajtur të ngujuar në Bllacë, në atë kamp të përqëndrimit, duke shpresuar se nga aty nuk do të dalë, nuk do të shpëtojë shqiptar i gjallë.
Ka në qenien tonë diçka mitike, mbase edhe anatemuese, diçka nga Tantali e Sizifi, nga se ç’prej se ekzistojnë, e ekzistojnë thellë në kohë, gjithmonë na përcillen katrahurat, ekzodet, mundimet ndër më të ndryshmet. Një katrahurë e tillë, ishte edhe kjo që në fillim të prillit, ndodhi në Bllacë ku njerëzit çmendeshin, ballafaqoheshin me vdekjen, e në shumë raste atë nuk e përballonin dot. Për t’u bërë makthi edhe më i madh, mbi popullin e syrgjunosur filloi të bie shi i përcjellur me erë të ftohtë. Dhe tek lageshin rrobat në trup, tek bëheshin qull ato pak plaçka që shërbenin për shtrojë e mbulojë, gjasat për të mbijetuar këtë tmerr e ferr sa vinin e pakësoheshin. Të moshuarit, të sëmurit, fëmijët, të lodhur, të rraskapitur, të mërdhirë e të uritur, erreshin, por nuk gëdhinin dot të gjallë. Këtë fat e përjetuan edhe foshnjet, të cilat ose vdisnin në embrion, ose nga të ftohtit, pa kurrfarë kujdesi mjekësor. Bota si duket ende nuk dinte ç’po ndodhë me popullin shqiptar në fushëgropën e Bllacës, që tashmë ishte shndërruar në luginë të fantazmave. Për këtë ferr, ajo mësoi kur aty u hapën varret e para të foshnjeve e pleqëve, e kjo falë gazetarëve të FAKTI-t, por edhe reporterëve të huaj, konrektisht atyre të CNN-it dhe BBC-së, të cilët të penguar që në Bllacë të hyjnë legalisht, aty depërtuan ilegalisht – nëpër male. Por edhe atëherë, pra edhe kur tërë bota shihte llahtërinë dhe çmendinë e Bllacës, shqiptarët ende mbaheshin në ferr nga autoritetet maqedonase. Dhe kur tentonin t’i afroheshin një çik më tepër pikëdaljes matanë kufirit, sulmoheshin brutalisht dhe rraheshin me gorbaçë nga policia speciale maqedonase.
Hepatitet, pneumonitë, dehidrimet e alivanosjet shtoheshin me shpejtësi epidemiologjike. Njerëzit barteshin me lese në dy drejtime: ose në ndihmën e shpejtë, ose në rrugë pa kthim. Nuk ndihmonin tashmë as ndihmat humanitare që me traktorë shpërndaheshin nga shoqatat bëmirëse, as tendat e improvizuara me leckë plastike, as zjarret e ndezura anembanë kësaj fushëgrupe të mallkuar, rreth të cilave qëndronin kruspull njerëzit e mërdhirë deri në palcën e kurrizit.
Të gjitha këto skena të trishtueshme i shikonin qetë policët e armatosur deri në dhëmbë, të cilët në duar bartnin dorëzat, e në fytyrë gaz-maskat, thuajse kishin të bënin me njerëz leprozë, e jo me dertëlinj të ndjekur dhe të përndjekur me dhunë nga vatrat e tyre shtërgjyshërore.
Numri i atyre që dilnin nga ky ferr, ishte i vogël, të mos themi i paqenë, në raport më masën, e cila këtë e synonte ditë e natë.
Nëse është kështu, atëherë Bllaca është një sprovë e tillë, është për më tepër, një etapë e re e historisë sonë. Pas kësaj që ndodhi në Bllacë, askush më nuk ka të drejtë të flasë për popullin dhe në emër të popullit, e aq më pak ata që popullin e lanë në baltën e gjallë, e vetë ua mbathën këmbëve.
Në këto çaste dramatike, në këtë agoni të shqiptarëve të Kosovës, vetëm Bllaca dhe UÇK mbetën realitet, të tjerat, pra edhe partitë politike me liderët e tyre u shuan, njësoj siç u shuan ankthet dhjetëditore të kaluara në kampin e përqëndrimit të quajtur Bllacë. /FAKTI, 15 prill 1999