• Today is: Friday, April 26, 2024

NJË APEL SHPRESËDHENËS I LAZIM DESTANIT NË KOHË PANDEMIE

EA
April20/ 2020

Lazim Destani si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe si Kryetar Nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, humanitetin kërkon ta bëjë bashkërisht me afaristët dhe shoqatat e fondacionet shqiptare në botë, duke ndihmuar shqiptarët në pjesët e atdheut, por edhe duke treguar fuqinë dhe potencialin ekonomik që kanë shqiptarët në mërgatë

 

Nga Faruk TASHOLLI

 

Lazim Destani nuk reshtë së vepruari në fushën humanitare në dobi të kombit. Ky filantrop dhe ky biznesmen i përmasave botërore, vetëm për pak muaj, nga buxheti familjar dha ndihma milionëshe për popullin e vet të ndodhur në fatkeqësi natyrore, por edhe tash kur virusi vdekjeprurës që përfshiu botën nuk i kurseu as shqiptarët. Por në këtë kuadër ai kërkon të niset bashkë me shqiptarët e shumtë që janë bërë shtylla ekonomike në shumë shtete europiane.
Lazim Destani si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës dhe si Kryetar Nderi i Rrjetit Global të Bizneseve të Diasporës Shqiptare, e konsideron themelore nevojën për t’i vënë në lëvizje strukturat e këtyre asociacioneve që t’i dalin në ndihmë popullatës në trojet tona etnike, e sidomos familjet në nevojë që në kohë pandemie te virusit Korona, ishin apo edhe pësuan rrënime ekonomike brenda familjes.
Kësaj radhe, ai humanitetin kërkon ta bëjë bashkërisht me afaristët dhe shoqatat e fondacionet shqiptare në botë, duke ndihmuar shqiptarët në pjesët e atdheut, por edhe duke treguar fuqinë dhe potencialin ekonomik që kanë shqiptarët në mërgatë. Shembujt e tij të shumtë në fushen humanitare, madje edhe të panumërta, hedhin para turpit strukturat shtetërore dhe politike shqiptare, që në këtë kohë të ligë shfrytëzojnë fatkeqësinë e popullit, duke bërë lojëra të pacipa drejt piramidës së pushtetit. Por Lazim Destani dhe diaspora shqiptare nuk fshehen në kohë të rënda. Zërin e tyre shpejt do ta dëgjojnë familjet në nevojë, në Shqipëri, në Kosovë, në Maqedoninë e Veriut, në Luginë të Preshevës, në Çamëri, në Mal të Zi e kudo ku jetojnë shqiptarët. Ata që e njohin këtë njeri, e dinë që Lazimi as nuk tutet por as nuk ngutet, por fjalën e dhënë e mbulon me vepër, gjithmonë në shërbim të kombit, qoftë në fushën jetësore, në fushën arsimore dhe kulturore. Apeli i tij është shumë shpresëdhënës për popollin tonë, në këtë kohë krize globale, jo vetëm shëndëtësore, por edhe ekonomike.

Achen, 20 prill