Vetëm ata që i kanë mbledhur librat një nga një, që i kanë radhitur, i kanë lexuar me ëndje mund ta ndjejnë magjinë e këtij thesari. Vetëm ata mund t’i dinë horizontet e asaj bote të veçantë. Mund t’i njohin kënaqësitë e rendjes pas një libri, frikën nëse do ta kthejë atë miku që po e merr për ta lexuar, torturën që e shkakton rafti i gjithë atyre që presin radhën për t’u lexuar… e shumë kënaqsi të tjera që i njeh lexuesi i vërtetë e pronari i bibliotekës.
Nga Vjollcë Berisha
“Dërgomëni libra, libra, shumë libra, që shpirti të mos më vdesë!”, thotë lutja për ndihmë e shkrimtarit të shquar Fjodor Dostojevski drejtuar familjes së vet në kohën kur ndodhej i syrgjynosur në Siberi. I veçuar bote, i mbyllur mes katër muresh e i rrethuar prej hapësirash të ngrira pa fund e anë, mardhte nga e ftohta e nuk kërkonte zjarr, kishte etje dhe nuk kërkonte ujë, kërkonte libra, domethënë horizonte, domethënë shkallë për t’u ngjitur në majën e shpirtit njerëzor. Sepse agonia fizike, biologjike, natyrore, e një trupi nga uria, nga etja a nga mardhja, zgjat pak, shumë pak, ndërsa agonia e shpirtit të pakënaqur zgjat për tërë jetën. Kështu e lexon poeti Frederiko Garsia Lorka letrën përgjëruese të shkrimtarit rus për libra, i cili nga ana e tij gjithashtu lë një mendim proverbial mbi rëndësinë e leximit në fjalën që mban gjatë përurimit të bibliotekës në fshatin e tij, ku thotë: “Jo vetëm me bukë jeton njeriu. Unë po të kisha uri dhe të isha i mbetur në rrugë, nuk do të kërkoja një bukë, por do të kërkoja gjys’ buke dhe një libër”.
Po i radhis këto mendime vezulluese të emrave që kanë bërë historinë e letërsisë jo nga dëshira për t’ju informuar, ngaqë janë gjëra që mund t’i kishit lexuar qëkur, por nga dëshira për t’u strehuar tek ata, për t’u fshehur pas tyre në kohën kur duket sikur na kanë zënë përfundi ca shigjeta plot helm, veshur me tis të sheqertë humori, që i drejtohen atij që ka kulturën e lartë e fisnike për të ndërtuar bibliotekë personale a familjare, e, edhe më keq, drejt atij që lexon.
Po kalojmë nëpër ditë kur më shumë se kurdoherë kemi mundësi të shohim një copëz nga shtëpitë e njëri-tjetrit përmes paraqitjeve publike, përmes postimeve të fotografive në rrjete sociale, përmes intervistave e pjesëmarrjes në jetën kulturore, e cila mëton të zhvillohet edhe në këto kushte me mundësinë që na e jep interneti e që, ku e ku, bëhet më interesante për shkak të përfshirjes edhe të emrave të mëdhenj që jemi mësuar t’i shikojmë vetëm në skena gjigante. Kjo mundësi, dashur pa dashur, na e krijon një ide për shijen e tyre, për dhomat dhe, më kryesorja, për bibliotekat e tyre. Kemi parë kaq shumë prezantime të njerëzve të shquar përpara bibliotekave të tyre të pasura. Pse po habitemi!? Ata që paraqiten për të dhënë një mendim domeos të jenë edhe njerëz të fjalës, njerëz që e mëkojnë botën e vet me gjërat që lexojnë, njerëz që s’do mend do të kenë një pasuri të jashtëzakonshme, një thesar që s’bëzan e që quhet bibliotekë. Po a s’është kjo pamja më e shpeshtë që e kemi parë në tërë botën e civilizuar, madje edhe në kohën kur profesorët tanë, politikanët e njerëzit e medies parapëlqenin të intervistoheshin përpara monitorëve të kompjuterëve të tyre në zyra a në shtëpi kur u jepej rasti?!
Përse e tërë kjo duhet të jetë qesharake?! Përse duhet të lëmë përshtypjen se na vjen ndot nga pamjet me libra në prapavijë? Fundja, ai është këndi më dinjitoz i shtëpisë që s’cënon as privatësinë e ngjyrës së orendive, të mbulesave e enëve. Ka mondanitetin e vet të përhershëm dhe neutralitetin kundrejt syrit kureshtar. E më kryesorja, ajo është mbështetja vetë. Një paraqitje me bibliotekën time përmbrapa më jep siguri, më mban fort. Ai është muri më i sigurt mbështetës. Përse të mos përfitojmë nga kjo?!
Kam parë këto ditë shumë njerëz, shkrimtarë e intelektualë që i respektoj, të cilët kishin kërkuar ndonjë kënd shtëpie me ndonjë pamje jomburracake mbi orenditë e sallonit, por ndonjë mur ku gjendet ndonjë pikturë që ia vlen për ta bërë paraqitjen nga shtëpia. Kryesorja të mos jenë te librat, se ata të librave po përqeshen këto ditë (!). Në një kompleks të tillë po futesha edhe vetë për pak. E zura veten duke kërkuar vendin “modest” për paraqitjen time dhe e kuptova se si pavetëdijshëm te të gjithë ndikojnë opinionet e pamenduara mirë, për të mos thënë dashakeqe, të atyre që tentojnë të kërcënojnë praktikën e mirë të krijimit të bibliotekave, po qoftë edhe mburrjen me to.
Ajo zënie e vetes me presh në duar, duke u ikur rafteve me miqtë e përhershëm që fshehin aty pafundësisht mund e dashuri, rafteve ku banojnë ngushtë, shpesh njëri mbi tjetrin, arkitektët e botës sime, personazhet që i kam njohur e dashur njërin pas tjetrit, e që i kam ftuar t’i njohin edhe motrat e mia, miqtë e të afërmit, më ndrydhi keqazi dhe më bëri të reflektoj mbi shëmtinë e këtij kompleksi të injektuar nga njerëz që mezi e shkruajnë gjuhën amtare ose nga disa të tjerë që pavetëdijshëm marrin anën e tyre.
Ajo bibliotekë që e kemi mjet pune. Ato kopertina me ngjyra, madhësi e erë të ndryshme janë almiset e punës sonë të përditshme. Pse u dashka të na vijë turp prej tyre. “Ky është sindrom. Kështu i kompleksonin e i struknin mënjanë nxënësit që mësonin e lexonin në klasë”, thotë mikja ime Xh. Dhe kush ia dilte ta bënte këtë? Ata që moti kishin ndërruar rrugën e dijes.
Dëshira për të folur për këtë çështje s’ka të bëjë me shtysën për të bërë avokatin e atyre që janë kritikuar për snobizëm, por për të krijuar një digë sado të vogël në komunitetin e njerëzve që e duan librin, me idenë që të mos u vijë keq t’i shfaqin librat e tyre. Ata libra që u është dashur një jetë për t’i grumbulluar, po ndoshta edhe më shumë se një jetë, atë të gjyshit e të babait. Ata libra që janë argëtimi e streha e tyre e parë, që janë mjeti kryesor i punës së tyre, fuqia e tyre e fshehtë, kënaqësia e tyre e përhershme…
Vetëm ata që i kanë mbledhur librat një nga një, që i kanë radhitur, i kanë lexuar me ëndje mund ta ndjejnë magjinë e këtij thesari. Vetëm ata mund t’i dinë horizontet e asaj bote të veçantë. Mund t’i njohin kënaqësitë e rendjes pas një libri, frikën nëse do ta kthejë atë miku që po e merr për ta lexuar, torturën që e shkakton rafti i gjithë atyre që presin radhën për t’u lexuar… e shumë kënaqsi të tjera që i njeh lexuesi i vërtetë e pronari i bibliotekës.
Se një bibliotekë nuk është një grumbullim librash të grupuar e të klasifikuar, por është një zë kundër injorancës, një dritë e përhershme kundër errësirës.
E ç’nuk ka një lexues në raftet e tij prej terjaqiu! Janë aty tërë ata libra që i ka përpirë në netët pa gjumë. Janë rojtarët e përhershëm të ditëve të tij më të lumtura, si dhe të atyre më të mugëtave. Janë grumbujt e mëdha të librave që presin të këndohen. Është frika që e bën të dridhet se jeta s‘ka për të dalë që t’i thithë të gjitha. Janë grumbujt e librave që janë blerë duke e ditur që s’kanë për t’u lexuar kurrë. “Thjesht, duhet të jenë të mitë. S’mund t’i lë”, mendon tek i blen. Pastaj janë fjalorët, enciklopeditë, studimet, krestomacitë… që i kërkon kur i duhen, që i dalin në ndihmë gjithmonë; drejt të cilëve shkon rregullisht, prapë e prapë, me po atë zell që i shkon teatrit dhe gjithnjë mahnitet nga një gjë e re… Pa janë tërë ata libra që ka pasur shtysën e çmendur t’i rilexojë e që mendon se do ta bëjë përsëri kur ta marrë malli. Janë poezitë, vëllimet me poezi që i hyjnë në shtrat pa leje dhe e bëjnë të këndojë tërë natën. Ato krijime të vogla, të thella që ia kanë mësuar të gjitha kodet e lumturisë dhe i vijnë pa pra; ato krijime që i ka mësuar përmendësh dhe prapë i shfleton e i shfleton pa u lodhur. Janë edhe ata librat me dedikimet si plagë nga njerëz që i deshi e që ishin të rrallët që ia mësuan botën, që e kuptuan se dhurata më e çmuar për të ishte një libër dhe koha që u harxhua për ta zgjedhur atë. Sa e sa personazhe, përralla, heronj të vegjëlisë, burra e gra të çmendura e popullojnë atë bibliotekë dhe jetojnë në paqe përkrah njëri-jetrit me vite e me breza.
E pranoj se ka nga ata që nuk kanë lexuar mjaftueshëm, por kanë një copëz biblioteke prapa shpine në paraqitjet e tyre. Nuk mendoj se janë për t’u tallur edhe ata. Gjithkush që ka pasur ca rafte me libra që i ka bërë vetë e di mirë se biblioteka është ajo “ngrehinë” që s’bëhet për një natë dhe s’bëhet nëse nuk ke një dashuri për librin. Edhe te tipi më i keq i pronarit të një biblioteke unë shoh diçka fisnike kundrejt atyre që e përqeshin: vlerësimin që ka për librin. Ai fundja e di se armatura e personalitetit është mu ai grumbull librash dhe mëton ta prezantojë.
Unë për vete, teksa shoh këto ditë libra, rafte e biblioteka të ndryshme familjare, kam atë shtysën e çmendur që mund ta kenë të gjithë ata që u marrin erë librave e që e konsiderojnë të humbur orën që kanë ndenjur larg leximit, për t’i parë nga afër ato biblioteka, për t’i prekur ata libra, për të folur për botimet e tyre të ndryshme, kopertinat, letrën, përkthyesin… me pronarët e tyre.
Nëse je me tërë këtë pasion, përse të kesh turp prej tyre dhe përse të lejosh të ta prishin magjinë?!
Libër natyrisht, kudo: në paraqitjen publike, në vetminë e thellë, sot, nesër, përherë…
Tetovë, mesprill, 2020