I dërguari Special i Presidentit amerikan Donald Trump, Richard Grenell ka konfirmuar se sapo të hiqën tarifa dhe reciprociteti dialogu do të nisë me intensitet të plotë.
Në një postim në Twitter, si konfirmim i postimit të presidentit Thaci se javën e ardhshme do t’i ndërmarrë hapat përfundimtar kushtetues për ta formuar qeverinë e re, Grenell tha se ka folur me liderët në Kosovë dhe Serbi dhe u ka kërkuar të fillojnë ta ndërtojnë besimin mbi këtë proces që sot, në mënyrë që të jenë gati kur të rinisin negociatat, shkruan Indeksonline.
Grenell tha se edhe Kosova edhe Serbia kanë konfirmuar se do të punojnë në drejtim të ndërtimit të besimit.
Ambasadori Grenell, në fund, ka paralajmëruar më shumë të reja në lidhje me procesin, të cilat tha se do të bëhen të ditura së shpejti.
“Sapo të hiqen tarifa/reciprociteti (ndoshta këtë javë?) dialogu fillon intensivisht. Kam folur me liderët në Serbi dhe Kosovë për ta bërë të qartë se duhet të fillojnë ta ndërtojnë besimin që sot për të qenë gati – dhe ma kanë konfirmuar se ashtu do të bëjnë. Më shumë detaje së shpejti”, ka shkruar Grenell në Twitter.
VV PARALAJMËRON REZISTENCË
Këshilltari i kryeministrit në detyrë, Shkëlzen Gashi, ka reaguar ndaj deklarimeve të ambasadorit amerikan Richard Grenellit për fillimin e dialogut Kosovë-Serbi.
Në një postim në Facebook, Shkëlzen Gashi ka paralajmëruar se nuk do të ketë njohje të Kosovës nga Serbia e as anëtarësim në OKB.
“Këta po duan të pranojnë shkëmbim territorial; komuna të reja me shumicë serbe e asociacion të tyre; si dhe eksterritorialitet për kishat e manastiret ortodokse në Kosovë. Nuk do të ketë njohje të Kosovës nga Serbia e as anëtarësim në OKB. Këta do të marrin amnisti për pasurim të paligjshëm për dy dekada në kurriz të qytetarëve të Kosovës dhe amnisti nga Gjykata Speciale. Ne do të rezistojmë!”, ka shkruar Gashi.
Postimi i plotë pa ndërhyrje:
NE DO TË REZISTOJMË!
Këta po duan të pranojnë shkëmbim territorial; komuna të reja me shumicë sërbe e asociacion t ë tyre; si dhe eksterritorialitet për kishat e manastiret ortodokse në Kosovë.
Nuk do të ketë njohje të Kosovës nga Sërbia e as anëtarësim në OKB.
Këta do të marrin amnisti për pasurim të paligjshëm për dy dekada në kurriz të qytetarëve të Kosovës dhe amnisti nga Gjykata Speciale.
NE DO TË REZISTOJMË!
HAKI ABAZI KËRKON NGA GRENELLI TË RESPEKTOJË VULLNETIN E DALË NGA VOTA
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës Haki Abazi i është kundërpërgjigjur kërkesës së ambasadorit Richard Grenell për heqjen e taksës dhe reciprocitetit ndaj mallrave të Serbisë.
Ai në një postim në Twitter shkruan se Kosova tashmë ka hequr taksën ndaj Serbisë.
“Tarifat janë hequr tashmë. Udhëheqësit dhe përfaqësuesit e vërtetë të popullit të Kosovës u zgjodhën më 6 tetor 2019. Pse po tregon mosrespektim për një vend miqësor demokratik dhe qeverinë e tij? Liderët në demokraci përcaktohen nga zgjedhjet dhe mbështetja / votat e njerëzve”, ka shkruar Abazi.
/Gazeta FAKTI