I pyetur nëse do të vazhdojë të jetë pjesë e qeverisë ASH-ja, në rast se ndahet nga koalicioni VLEN, Arben Taravari tha se për momentin kanë raporte të mira me Mickoskin, por që ASH-ja nuk e ka problem edhe daljen nga qeveria.
“Kjo është e parëndësishme, ne jemi pjesë e qeverisë, vazhdojmë ta japim kontributin tonë, nëse dikush mendon se nuk duhemi atje, nuk e kemi problem aspak. Unë mendoj se me kryeministrin Mickoski kemi raporte korrekte, besoj se do të vazhdojmë. Në moment që e shohim se diçka nuk shkon si duhet, atëherë e themi, atë dhe publikisht dalim, s’është asnjëfarë problemi, por për momentin raportet janë korrekte dhe besoj se vazhdojnë”, tha mes tjerash Taravari.
“Nëse jo bashkë, do të shkojmë vet në zgjedhje”
Mospajtimet brenda koalicionit VLEN, tashmë nuk janë fshehtësi. Dilemat se a do të shkojnë bashkë në zgjedhje lokale, apo ASH do të shkojë vet kanë tunduar koalicionin VLEN.
“Ne jemi pjesë e VLENit. Do të tentojmë deri në fund që të gjejmë një zgjidhje s’bashku me VLENin në qoftë se jo e kemi opsionin që të shkojmë vetë në zgjedhje”, tha ArbenTaravari.
Pakënaqësitë siç duket kanë lindur edhe për shkak kanaleve të komunikimit Taravari-Ahmeti. Madje të shtunën pati edhe shtrëngim duarsh mes dy liderëve, por Taravari tha se ka qenë takim i rastësishëm sepse nuk e kishte ditur që edhe Ahmeti do ta takonte presidentin shqiptar Bajram Begaj.
“Unë se kam në plan që mos t’i flas ndonjë politikani shqiptar apo maqedonas këtu në vend. Përveç Apasievit s’dua të kem punë. Me tjerët ulem, bisedoj, flas”, theksoi Taravari.
Edhe pas Kuvendit të ASH-së Taravari tha se do të bëhen përpjekje që me VLEN-in të dilet bashkë në zgjedhje.
“Kuvendi qendror e angazhon këshillin drejtues që të tenton dhe më tutje që me VLEN-in të gjej gjuhë të përbashkët për të dal në zgjedhje bashkë. Që është shumë e rëndësishme për, por nuk e hedhim poshtë edhe opsionin tjera rezerve që nëse nuk gjejmë gjuhë të përbashkët”, u shpreh Taravari.
Kryeministri Mickoski u përmbajt nga komentimi
“Unë do të përmbahesha nga çfarëdolloj komentimi. Vetëm do të thosha se qeveria funksiono e bashkuar, si e vetme, kjo qeveri do të thosha jo zyrtarisht se ka shumicë prej 2/3 në Kuvendin e Maqedonisë. Realisht 78 deputetë e mbështesin”, pohoi Hristijan Mickoski.
Për dallim prej partive të tjera në VLEN, ASH vlerëson se në zgjedhje, të 4 partitë duhet të dalin me lista të veçanta për këshilltarë komunalë. Të hënën, 7 prill, me Arben Taravarin si mysafir në “Click Plus” në TV21 pritet të mësohen detajet rreth vendimeve që pritet të marrë ASH-ja.