Policia e Kosovës ka arrestuar 16 shtetas serbë, në mesin e të cilëve kishte edhe oficerë aktiv të sigurisë së Serbisë. Kështu bëri të ditur ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.Grupi i parë, sipas tij, i përbërë nga katër persona, u ndalua në Gjakovë. Ndërkaq, 12 persona të tjerë u ndaluan në Prizren.
Mes provave të sekuestruara janë fotografi me hartën e Kosovës, imazhe të pjesëtarëve të vrarë të grupit terrorist të Banjskës, dy thika, një sopat dhe një dritë rotative.
Për ndalimin e katër personave në Gjakovë ka raportuar edhe Policia e Kosovës, por edhe në njoftimin për mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, të mbajtur të dielën, është përmendur ky rast.
Të arrestuarit në Gjakovë janë: Branko Rakiq me vendbanim në Mitrovicë te veriut, Nemanja Vamokiq toger i policisë me vendbanim në Novi Sad, Pavle Kragoviq, me vendbanim në Beograd, Millovan Steviq, kapiten dhe agjent i ushtrisë serbe me vendbanim në Mitrovicë të veriut.
Ministri në detyrë Sveçla, ndërkaq, pretendoi se 12 personat e ndaluar në Prizren, “po strehoheshin në Seminarin Ortodoks të Bogosllavisë”.
Ministri bëri të ditur se njëri nga të arrestuarit është identifikuar si i afërm i të dyshuarit kryesor për vrasjen e Afrim Bunjakut, Vladimir Radivojeviq, i njohur si “Mami”.
Këta persona janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit.
Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka ngritur alarmin se Serbia po vazhdon përpjekjet për të penguar formimin e institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025, duke ushtruar ndikim tek disa deputetë të komuniteteve joserbe.
“Presidenti i Serbisë, Vuçiq, ua ka dhënë në dispozicion burimet dhe mjetet shtetërore për këtë Listës Serbe dhe kryeterroristit Milan Radoiçiq, i cili në agresionin kriminal e terrorist të Banjskës më 24 shtator 2023 ishte nënkryetar de jure i Listës Serbe, kurse tani është kryetar de facto i këtij subjekti politik. Në shënjestër janë disa deputetë të pakicave joserbe”, shkroi Kurti.
“Edhe kësaj radhe, si shumë herë më parë, djem e vajza që me devotshmëri i shërbejnë atdheut triumfuan përballë strukturave shtetërore kriminale serbe… Krenar e mirënjohës pa fund për secilin polic e police të DRP Gjakovë për vigjilencën e angazhimin e tyre në shërbim të atdheut”, ka shkruar ndër të tjera Graishta.
Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Vesel Gashi, i cili ka bërë të ditur se rasti është zbuluar pas veprimeve operative-hetimore të ndërmarra nga sektori i hetimeve në Prizren.
Këto zhvillime nxiten edhe reagime nga Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, e cila u shpreh se nga mediat ka mësuar se persona që natën paraprake kanë qenë mysafirë të Seminarit, duke theksuar se
Kisha nuk mund të ketë njohuri se kush janë të gjithë pelegrinët që marrin pjesë në shërbesa apo edhe në këtë seminar.
“Çdo insinuatë se personat e përmendur, duke qëndruar në pjesën e mysafirëve të Seminarit, kinse kanë shfrytëzuar ‘institucionin fetar për maskim dhe për nxitje të tensioneve ndëretnike dhe fetare në Kosovë’, siç thuhet në komunikatën e sotme të Policisë së Kosovës, është krejtësisht e papërgjegjshme dhe nuk bazohet në fakte konkrete”, tha Dioqeza Rashkës dhe Prizrenit.
Rasti ka rikthyer shqetësimin për sigurinë në zonat kufitare dhe për aktivitetet e mundshme të grupeve të lidhura me strukturat ilegale serbe. Policia e Kosovës ka siguruar se do të vijojë me vigjilencë të shtuar dhe hetime të thelluara. /Telegrafi/