• Today is: Tuesday, March 11, 2025

REZULTATI I ZGJEDHJEVE NUK PREMTON QEVERISJE STABILE

fakti
February26/ 2025
Në listat e kandidatëve për motive të ulëta të mashtrimit, partitë vendosën kryetarët aktual të komunave. Oligarket kanë mbajtur shpresë se me këta bedel do “ti rahatojnë në punë” disa figura të skaduar që “na kanë mbetur në dorë”.
Në mbështetje të fushatës u bënë “si një trup” mediet televizive me analist “200 euro nata”, të cilët anonin hapur nga punëdhënësit dhe irritonin shikuesit.
Hap fotografinë
Nga Nijazi IDRIZI
Zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit kanë rëndësi të veçantë, për shkak të tronditjes së politikave botërore dhe rriskut të pozicionimit të shteteve në një rend të ri të paskrupullt dhe të rrezikshëm botëror.
Këto zgjedhje vëzhguesit i vlerësuan si të qeta dhe demokratike. Me rezultatin e tyre aktualisht po duket se janë të kënaqur të gjithë: Lëvizja Vetëvendosje me fitoren, PDK e LDK me rriten, AAK+NISMA me kapërcim të pragut dhe LS me fitoren spektakël që e arriti me ndihmën e Serbisë.
Fituese doli Lëvizja Vetëvendosje e cila i la larg pas garuesit e tjerë, por poashtu mbeti larg ambicieve të deklaruara në moton për “bashkimin e 500 mijë zemrave”.
Fjalori herë herë i egër, (sidomos i i atyre që duhej të ishin të përmbajtur) nuk pati ndikim te qytetarët të cilët krejtësisht të qetë, atë e bartën te kutitë e votimit.
Votuesit edhe këtë herë i vlerësuan më shumë aktet e qeverisjes se sa programet e partive të cilat mbeten nën zhurmën e ovacioneve, këngëve dhe sirenave të makinave dhe autobusëve që bartnin votuesit nga një vend te tjetri.
Fitoren LVV ja solli suksesi në shuarjen e pushtetit paralel serb që nga veriu në jug të Kosovës dhe investimet në siguri! Por u vlerësua edhe ulja e kontrabandës (që ishte indikatori vendimtar për rritjen e buxhetit) dhe rishpërndarja sociale e tij për shtresat sociale të cilat tërhoqën më shumë qytetarë në raport me pakënaqësinë (por jo edhe revolten) e bizneseve të pakënaqura me mbylljen e parave në kasafortë.
Duhet të theksohet fakti se votuesit e dënuan mungesën e së paku një vepre madhore që do të mbahet mend nga ky mandat i plotë qeverisës.
Në anën tjetër, opozita edhe pse u paraqit me programe, e organizuar mirë, me monopol mediatik e me “donatorë” dorëlëshuar, me ndërhyrje të sponsorizuara të lobeve nga shtetet e fuqishme, nuk i arriti rezultatet e pritura. Opozita as kësaj radhe, mesazhin e votuesve për reformim të thellë që iu dha nga humbja katastrofale në zgjedhjet e vitit 2021. Për më keq, ajo (pos ambalazhit të ndryshuar), u paraqit me përmbajtje ekstremisht të degraduar e cila nga votuesit u përjetua si mashtrim! Disa nga faktet e evidentuara janë:
Reformat e kërkuara nuk kishin të bënin vetëm me përfshirjen e të rinjve në listat zgjedhore, por të kandidatëve të përgatitur me koncepte dhe ide të reja me të cilët do të mund të përballet koha e ndryshimeve radikale dhe ripozicionimi global i vendit tonë.
Për më keq, edhe pse në listat për kandidat erdhën emra të rinj, pak nga të merituarit u sistemuan në pjesën e epërme promovuese. Kjo binte erë argatllëku.
Për keq e më keq, emrat e rinj të radhitur sipër ishin familjarë të brezit të skaduar të oligarkeve të cilët synonin përmes tyre ta përjetësonin pushtetin. Në lista vlonin çupa e çuna, nipër e mbesa, dhëndur e nuse, dajë e teze, si asnjëherë më parë!
Në listat e kandidatëve për motive të ulëta të mashtrimit, partitë vendosën kryetarët aktual të komunave. Oligarket kanë mbajtur shpresë se me këta bedel do “ti rahatojnë në punë” disa figura të skaduar që “na kanë mbetur në dorë”.
Në mbështetje të fushatës u bënë “si një trup” mediet televizive me analist “200 euro nata”, të cilët anonin hapur nga punëdhënësit dhe irritonin shikuesit.
Për pak ditë rezultatet e votimit do të certifikohen dhe do të vie në radhë formimi i qeverisë. Rezultatet nuk premtojnë qeverisje stabile pa koalicion të qëndrueshëm.