Nga Nadia Boffa
Putin po e rindërton Bashkimin Sovjetik edhe falë ndihmës së liderve autoritarë në Ballkan dhe Evropën Lindore…
Mjafton një shikim i shpejtë në hartën elektorale, dhe do të vini re se Gjermania ndahet qartazi në dy pjesë, në atë lindore dhe perëndimi, saktësisht sipas kufijve të Gjermanisë para rënies së Murit të Berlinit.
Nëse në zonën perëndimore fitoi CDU (Bashkimi Kristiandemokrat) – partia kryesore në nivel kombëtar me 28.5 për qind të votave – në pjesën lindore të Gjermanisë, dhe në të gjitha landet, partia më e votuar, me mbi 30 për qind, është Alternative für Deutschland e ekstremit të djathtë, pro-ruse, kritike ndaj BE-së dhe NATO (dhe partia e dytë në nivel kombëtar me 20 për qind të votave).
Në landin e Turingisë, AfD mori mbi 38 për qind të votave, ose gati sa dyfishi i CDU-së. Në Brandenburg dhe Saksoni mori gati 35 për qind. Zgjedhjet e fundit në Gjermani, konfirmojnë një prirje që vazhdon prej disa kohësh në vendet të Evropës Lindore, por që po konsolidohet në disa fusha: një largim nga Bashkimi Evropian dhe një lëvizje drejt orbitës rusë, me të gjitha veçoritë që lidhen me politikat e brendshme dhe shoqërinë, të cilat dallojnë dukshëm sipas rastit.
Prandaj mund të thuhet se në Gjermani është ringritur zyrtarisht Muri i Berlinit, dhe Perdja e Hekurt ka rënë sërish në Evropë. Vetëm se këtë herë kemi një bllok verior – të përbërë nga Polonia, vendet baltike dhe ato skandinave – të cilët po shquhen gjithnjë e më shumë si një mburojë e BE-së dhe Perëndimit.
Ky bllok po përpiqet t’i rezistojë Rusisë dhe ndikimit të saj. Sepse në fusha të tjera, ai që ishte universi i Bashkimit Sovjetik, i cili po rivizatohet në një formë tjetër politike, me shfaqjen e forcave të djathta populiste dhe radikale.
Ajo që po ndodh në Evropën Lindore, është një fenomen me dimensione të mëdha, duke filluar nga vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, që janë prej kohësh vasale të Vladimir Putinit.
Këtu përfshihet Hungaria e Viktor Orban, e ndjekur nga Sllovakia e Robert Ficos (por jo nga Republika Çeke, e cila ka mbetur shumë pro-evropiane).
Për të vazhduar në juglindje të Evropës, me vendet e Ballkani Perëndimor (veçanërisht Kroacia dhe Serbia, tradicionalisht shumë afër Rusisë) dhe Ballkanit Lindor (Rumania dhe Bullgaria).
Dhe për t’u shtrirë deri në Gjeorgji. Pra BE-ja e ka shumë të ekspozuar krahun e saj lindor. Angelo Bolaffi, filozof politik dhe njohës i mirë i politikës gjermane, dhe gjatë viteve 2007-2011 drejtor i Institutit të Kulturës Italiane në Berlin, thotë se “në Evropën Lindore, po rishfaqet një zonë e re e hegjemonisë ruse, e cila na kujton epokën pas Konferencës së Jaltës”.
Për Bolaffin një element i përbashkët midis Gjermaninë Lindore, që votoi në shumicë AfD, dhe vende të tjera të Evropës Lindore, të cilat janë afruar ose mund të afrohen me Rusinë përmes partive së djathtës ekstreme, është “mungesa e një riedukimi demokratik që e ka penguar lindjen e një shoqërie civile”.
“Ndërsa në Gjermaninë Perëndimore, pati një riedukim politiko-kulturor, gjë që mundësoi procesin e llogaridhënies mbi të kaluarën naziste dhe traditës autoritare në Gjermani, kjo nuk ndodhi në pjesë lindore të vendit dhe në vendet e tjera ish-sovjetike.
Shumica e këtyre vendeve, e arritën çlirimin e tyre nga socializmi sovjetik nga lart, por pa u pasur nga ndonjë edukim mbi vlerat e demokracisë Moszhvillimi i kulturës liberale, i kombinuar me përzierjen e një tregut të lirë, ka krijuar një “qark të shkurtër” shumë të madh.
Atij iu shtua edhe përpjekja e Vladimir Putinit për të rikrijuar Bashkimin Sovjetik. Ky kombinim elementësh, së bashku me të tjerët, po e sjell Evropën Lindore më afër Rusinë”- shpjegon filozofi për Huffpost.
Ndërkohë Anna Zafesova, gazetare e gazetës La Stampa dhe shkrimtare, thotë se “diktatura sovjetike ka lënë gjurmë në vendet e Evropës Lindore, të cilat u gjendën papritmas në një demokraci, me vlera të krejtësisht të ndryshme nga ato me të cilat i edukoi dikur diktatura sovjetike, duke u mësuar rëndësinë e të pasurit një udhëheqës, një zinxhiri të saktë komandimi dhe të drejtësisë represive”.
Tradita e autoritarizmit dhe mungesa e riedukimit demokratik, janë sigurisht elementët kyç që janë duke kontribuar në sjelljen e Rumanisë dhe Bullgarisë. Në Bullgari – vendi i fundit në listë ndër vendet evropiane që i përkasin ish-bllokut socialist dhe që po tregon shenja degradimi – partia e ekstremit të djathtë pro-ruse Vazrazhdane (Rilindja), pavarësisht se u rendit e treta me 13.4 për qind të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare të tetorit 2024, u përjashtua nga qeveria, e cila u formua nga një koalicion trepartiak: konservatorët e GERD, themeluar nga Bojko Borisov dhe dy parti të tjera të moderuara euroskeptike, përkatësisht Partia Socialiste Bullgare (BSP) dhe lëvizja “Ka një popull të tillë” (ITN).
Megjithatë, Vazrazhdane, drejtuesi i së cilës është Kostadin Kostadinov, arriti të ndikojë mbi politikën bullgare, siç nuk kishte ndodhur më parë, duke e afruar më shumë vendin ballkanik me Moskën. Pavarësisht se qeveria e re që e mori detyrën në janar, e ka rikonformuar vullnetin e saj për të përdorur euron, Vazrazhdane po organizon demonstrata të mëdha në mbarë vendin kundër futjes së monedhës së BE-së.
Vetëm disa ditë më parë mijëra njerëz, sulmuan zyrat e Komisionit Evropian në Sofje, duke hedhur bojë të kuqe, fishekzjarrë dhe kokteje molotov. Në vendin më të varfër të BE-së, Vazrazhdane ka fituar një popullaritet gjithnjë e më të madh. Kjo edhe për shkak të krizës ekonomike dhe rritjes së inflacionit, ku një nga sloganet e përdorur kohët e fundit ishte “DeNatofikimi” (Largimi nga NATO). Sot Bullgaria duket gjithnjë e më e ngjashme me Republikën Popullore Bullgare të Todorit Zhivkovit, të cilën Kostadinov synon që ta zgjerojë me Maqedoninë e Veriut dhe disa territore të Ukrainës.
Për këto ambicie i është vënë nofka “Putini II”. Në Rumaninë fqinje, situata është edhe më alarmante, pasi atje po afrojnë zgjedhjet presidenciale, të cilat do të mbahen më 4 maj. Kandidati i ekstremit të djathtë Călin Georgescu, pro-Putin dhe kundër mbështetjes ushtarake për Ukrainën, vazhdon të forcohet në sondazhe (aktualisht rreth 31 për qind) dhe mbështetet fort nga SHBA-ja e Donald Trump.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese rumune, 6 dhjetorin e vitit të kaluar, për të anuluar zgjedhjet presidenciale të fituara në raundin e parë nga Georgescu, për shkak të dyshimeve për ndërhyrjen e Rusisë, kanë shkaktuar një distancim të dukshëm të opinionit publik nga BE-ja dhe një afrim të shpejtë me Moskën.
Vendi ish-komunist, që në vitin 1989 doli në rrugë, duke sjellë shembjen e regjimit me orientim komunist – edhe pse me një farë pavarësie nga Moska – e udhëhequr nga Nicolae Ceaușescu, po del sot në rrugë në mbështetje të Georgescu dhe po bën thirrje për një BE dhe një NATO ndryshe, në të cilën Rumania mund të bëhet një lojtare më qendrore.
Edhe Moldavia vazhdon të ruajë një pozicion të ekuilibruar midis BE-së dhe Rusisë. Presidentja pro-BE Maia Sandu, ka fituar një mandat të dytë. Por në referendumin pro BE-së tetorin e vitit të kaluar, ajo fitoi vota me shumë pak vota diferencë, dhe vendi mbetet i ndarë përgjysmë.
“Në zgjedhjet që janë zhvilluar në Ballkanin Lindor dhe në veçanti në Moldavi, mendoj se ka një ndikim të fortë të brezave të vjetër. Kush ka lindur ose është rritur nën Bashkimin Sovjetik apo më kulturën sovjetike, tenton që të afrohet më vonë me këtë kulturë”- shpjegon Zafesova.
Sipas gazetares, elementi tjetër që karakterizon këto vende, por edhe vendet e ish-Jugosllavisë, është ndjenja e përbashkët e “të mos u ndjerit pjesë e BE-së, apo të hasurit shumë vështirësi për t’u bërë pjesë e tij”.
“Sigurisht, afrimi me BE-në dhe modelin perëndimor, u perceptua paksa si njëlloj imponimi nga lart i një modeli kulturor dhe socio-politik, me të cilën shumë njerëz nga Evropa Lindore e kanë pasur jo pak të lehtë për t’u përshtatur.
Këta njerëz, ishin dikur pjesë e një shoqërie, që pavarësisht të gjithave u jepte atyre një formë respekti. Ndërkohë sot e gjejnë veten të varfër, të pa favorizuar, të detyruar të ndryshojnë punë apo të emigrojnë jashtë vendit. Në njëfarë kuptimi, për ta është zhdukur ëndrra evropiane”- thekson Zafesova.
Ndër vendet e ish-Jugosllavisë që po rikthehen në orbitën e Rusisë është edhe Kroacia, ku në zgjedhjet e janarit fitoi mandatin e dytë si president Zoran Milanovic, populist, fort anti-BE dhe me tendenca pro-ruse.
Ai fitoi me gati 75 për qind të votave, dhe që tani po ve në vështirësi qeverinë pro-evropiane e kryeministrit Andrej Plenkovic. Bolaffi nuk mund ta shpjegojë dot këtë votim, sepse “Kroacia e ka përjetuar përplasjen me ndikimin rus drejtpërdrejt përmes konfliktit me Serbinë”.
Megjithatë, ai shton se Kroacia s’ka qenë ndonjëherë një shoqëri me ndeja të forta perëndimore dhe evropiane. Gjithnjë në rajonin e Ballkanit, është edhe Serbia, me një qeveri pro-ruse dhe me në krye presidentin Aleksandër Vucic, mik i Putinit. Por mbi të gjitha, është një vend edhe protestat pro-demokracisë që janë zhvilluar muajt e fundit, nuk kanë si objektiv afrimin me BE-në, dhe as largimin nga Rusia.
Ndër vendet lindore të vendosura në orbitën ruse janë Hungaria e Viktor Orban dhe Sllovakia e Robert Ficos, të cilat vitet e fundit kanë ndihmuar në zgjerimin e ndikimit të Putinit në Evropën Lindore dhe më gjerë.
Ata që po veprojnë si mburojë për atë që po shfaqet si një “bosht i ri sovjetik”, janë për momentin Republika Çeke e presidentit pro-evropian Petr Pavel dhe sidomos Polonia, nën kryeministrin pro-evropian Donald Tusk. Ky i fundit ndërpreu vitet e pushtetit abuziv të populistëve të PiS, duke e ribashkuar gjithë opozitë dhe fituar me një rezultat të ngushtë.
Pastaj janë edhe vendet baltike dhe ato skandinave, të cilët vazhdojnë të veprojnë si pengesë kundër Moskës. Aq më tepër tani që Donald Trump ka treguar se dëshiron arritjen e marrëveshjes së paqes midis Ukrainës dhe Rusisë, duke e shmangur thuajse tërësisht BE-në.
Tusk po i bën presion BE-së për të rritur shpenzimet ushtarake për mbrojtjen “pa u përplasur me Trumpin”. Polonia shpenzon aktualisht 4.7 për qind të PBB-së në shpenzime ushtarake për NATO-n. Bolaffi thotë se është interesant fakti që shumë nga vendet që po veprojnë si mburojë kundër Rusisë, kanë jetuar nën dominimin sovjetik dhe nën ndikimin kulturor sovjetik, që megjithatë ka prodhuar efektin e kundërt, “pra i nxiti të largoheshin nga hija ruse”.
“Ky fenomen ka ndodhur sepse në ato vende, ku ka pasur një dinamikë kulturore të evoluar, është zhvilluar një kulturë liberale, që ka ndodhur në vende të tjera. Dhe më pas në praninë e hijes kërcënuese të Ariut Rus, këto vende veprojnë si mburojë. Dhe do vazhdojnë ta bëjnë
këtë gjithnjë e më shumë, edhe si një kundërpërgjigje ndaj afrimit të vendeve të tjera të Evropës Lindore me Moskën”-përfundon Bolaffi./Përktheu “Pamfleti” nga “Huffington Post Italia”