Shkrimtari Emin Azemi është mjeshtër i vështrimit të mprehtë, i mendimit të thellë, i perceptimit të kompletuar dhe i të shprehurit të shkëlqyer gjuhësor, letrar dhe estetik. Ai, në shkrimet e tij, nuk është vetëm i kujdesshëm por edhe fanatik i shprehjes së bukur.
Nga Gani Bytyçi
Kur e marrim në dorë kolanën tre vëllimshe të librave të shkrimtarit dhe publicistit Emin Azemi, dhe e shfletojmë me kujdes, detyrimisht na imponohet ajo pyetja e përbotshme, të cilës sikur asnjëherë nuk i është dhënë përgjegjja e duhur, pse shkruajnë shkrimtarët?
Atë Zef Pllumi thoshte jeto për të tregu, që do të thotë për të dëshmuar. Albert Kamy shprehej “Créer, c’est vivre deux fois,” (Të shkruash është të jetosh dy here).
Shkrimtari Xhabir Ahmeti, vështrimin e tij kritik për këtë kolanë tre vëllimëshe e ka titulluar: “Një libër, i cili na ka shpëtuar nga harresa”, teksa konstaton se: “Para lexuesit del një libër, i cili e ka shpëtuar nga harresa gjithë atë, që ka ndodhur në Maqedoni dhe jo vetëm në të”.
Ja pra pse shkruajnë shkrimtarët. Ata shkruajnë kundër harresës. Shkruajnë për ta ndërtuar kujtesën tonë. Kështu ata e bëjnë historinë e ngjarjeve dhe historinë e njerëzve. E krijojnë historinë e kohës. Historinë e epokave. Shkrimtarët shkruajnë për mbijetesën e një populli, të një etnie, të një kombi. Shkruajnë për dramat e jetuara të njeriut. Ata shkruajnë për tragjeditë e ndodhura dhe viktimat e shkaktuara. Për dhimbjet e përjetuara. Kjo është arsyeja pse shkruajnë gazetarët, publicistët, shkrimtarët. Edhe vetë shkrimi sikur është zbuluar për këtë qëllim. Për mbamendje. Për të dëshmuar kundër harresës dhe për ta ruajtur kujtesën e njerëzimit.
Sot, këtu para nesh kemi tre tituj, tri përmbajtje a tri dimensione rrëfimi. Tri simbole a tri dëshmi të mbijetesës sonë, sociale, politike, intelektuale, kombëtare e historike. Po edhe të mbijetesës fizike. Atëherë të ndalemi tek libri me tre tituj. Janë tre tituj, tri vëllime, tri epoka, tri metafora rrëfimi. Më në fund është një dëshmi e gjallimit, rrugëtimit dhe e mbijetesës sonë fizike, politike e kombëtare. Por për të kuptuar librin është mirë ta njohim edhe autorin. Autori, Emin Azemi, në krye të herës nisi me gazetarinë.
Pastaj bëri poezinë por pa u ndarë nga gazetaria. U shmang (për një kohë) nga poezia për t`iu përkushtuar tërësisht gazetarsë, publicistikës dhe eseistikës. Këto tri fusha Emini i krijoi në një frymë, duke i dhënë elegancë shprehjes, thellësi mendimit dhe estetikë, bukuri fjalës së shkruar. Kështu, krijimtarinë letrare, publicistike dhe eseistike ai e bëri pasion jete duke ua dhënë atyre gjithë përkushtimin e tij.
Shkrimtari Emin Azemi është mjeshtër i vështrimit të mprehtë, i mendimit të thellë, i perceptimit të kompletuar dhe i të shprehurit të shkëlqyer gjuhësor, letrar dhe estetik. Ai, në shkrimet e tij, nuk është vetëm i kujdesshëm por edhe fanatik i shprehjes së bukur. Për të çdo detaj, çdo fjalë publike është e rëndësishme. Kur lexojmë titujt e shkrimeve dhe veprave të tij e kuptojmë gjithë përmbajtjen, preokupimin dhe trajtimin që do t`i bëjë ai një teme të caktuar.
Ta marrim vëllimin e tretë të librit, “A kurohet mendësia?”, që ka një një dimension semantik të shumëfishtë. Titulli këtu na del si pyetje por ai është rezyme e gjithë asaj që është shtruar e trajtuar në libër. Pra titulli shpreh gjithë preokuipimin, shqetësimin dhe dilemat e autorit. Këtë pyetje autori e le të hapur për të gjithë. Pyetja sikur më bëhet mua apo u bëhet edhe ju të gjithëve. Në të vërtetë kjo pyetje i bëhet çdo lexuesi të sotëm, të nesërme e të përhershëm. Dhe kjo është porta, të cilën autori e le të hapur në krijimtari, në publicistikë, në eseistikë por edhe në politikë.
Më në fund, këtë portë autori ia le të hapur edhe historisë. Titulli, “A kurohet mendësia?”, asocion aq shumë me një dokumentar, që është shfaqur në Televizionin e Gjenevës, këtu e disa vjet më parë. Në këtë televizion atëherë po shfaqej një dokumentar për rënien e Murit të Berlinit.
Kishte shumë vite që muri ishte përmbysur. Autori i dokumentarit po i bënte një analizë të shkëlqyer (edhe psikologjike) mendësisë gjermane pas, rënies së Murit të Berlinit. Dokumentari kishte titullin të gjetur: Muri në kokë (le mur dan la tete). Analiza e gjithanshme socio-kulturore e politike, që i bëhej gjendjes në Gjermani, pas rënies së Murit, qonte në konstatimin se muri është rrëzuar por ai akoma ka ngelur në kokat e njerëzve.
A kanë një përfundim analog dokumentari “Muri në kokë” dhe libri “A kurohet mendësia”? Këtë mund ta konstatojë lexuesi. Autori Emin Azemi qëndroi përherë i njëjtë. Ai nuk ndërroi asnjëherë as nga rrethanat politike, as nga ato sociale, as historike. Si autor i fjalës së shkruar, ai gjithmonë mbeti i njëjtë, duke luftuar pa rreshtur për të drejtën e të shprehurit të mendimit dhe të fjalës së lirë. Ai përherë mbeti besnik i vlerave dhe shenjtërisë së fjalës së shkruar.
Laureati i çmimit vjetor për letërsi në Francë, (Concur 2024), Kamel Daoud, deklaroi se shkrimtari ka nevojë për tri gjëra: Një tryezë, një karrige dhe një atdhe. Emin Azemi shkrimtar, gjithmonë është mjaftuar me këto tri gjëra, tryezën, karrigen dhe atdheun e tij. Ai, gjithë krijimtarinë e tij publicistike-eseistike, në mënyrë të padiskutueshme, e ka të mbështetur mbi “bazën etike të argumentit”.
Lidhur me koherencën e rrëfimit dhe rolin valorizues të lexuesit, autori do të shprehet: “Për një autor ky është elementi i qenësishëm që përcakton vertikalen e tij njerëzore e intelektuale, ndonëse janë dy arbitra suprem – koha dhe lexuesi, ata të cilët e kanë fjalën e fundit të valorizimit të këtij projekti publicistik – eseistik”. Kjo është përgjegjësia e shkrimtarit ndaj asaj që shkruan ai.
Të themi në fund se kjo kolanë tre vëllimshe është një vlerë e rrallë në duart e lexuesve, në hapësirat e librarive dhe bibliotekave, në institutet e historisë dhe të trashëgimisë sonë kulturore, aty ku ruhen dëshmitë e egzistencës, mbijetesës dhe rrugëtimit tonë fizik, socio-kulturor, intelektual, kombëtar e historik.
Gjenevë, 31 janar 2025