Gjatë fjalës së tij në Forumin Botëror të Ekonomisë që po mbahet në Davos, presidenti amerikan Donald Trump, shprehu kritikat dhe ankesat e tij ndaj Bashkimit Evropian.
Trump tha se ai e do Europën, por ka shumë ankesa për Bashkimin Europian.
Presidenti amerikan tha se “miqtë e tij në Evropë ankohen për kohën e tej zgjatur që duhet që disa veprime apo procedura të miratohen në BE”.
Trump iu referua një shembulli personal. Ai tha se për një miratim projekti që atij i duhej Irlanda ia miratoi për një javë, por nëse do duhej që ta miratonte në BE, atëherë miratimi do bëhej për 5 apo 6 vite.
Për sa i përket Amerikës, Trump tha se BE e trajton SHBA-në “shumë padrejtësisht dhe shumë keq dhe se ai ka ankesa shumë të mëdha”.
“Ata kanë një taksë të madhe dhe një taksë TVSH-je të konsiderueshme. Ata në thelb nuk i marrin produktet tona bujqësore apo makinat tona. Ata vendosin tarifa për produktet tona. Unë e dua Evropën, i dua vendet e Evropës, por procesi është i rëndë dhe ata e trajtojnë SHBA-në shumë padrejtësisht me taksat që vendosin”, tha Trump.
Presidenti Donald Trump, i cili ka premtuar se do të sigurojë dominimin e energjisë amerikane, po kërkon drejtpërdrejt ndihmë nga prodhuesit e huaj të naftës për të ndihmuar në uljen e çmimeve të energjisë.
Në fjalimin e parë kryesor të presidencës së tij për liderët globalë të biznesit dhe politikës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Trump i bëri thirrje Arabisë Saudite që të rrisë investimet e saj në SHBA në 1 trilion dollarë, por edhe të ulë çmimin e naftës. Sipas tij kjo do të ndihmojë në përfundimin e luftës në Ukrainë, të cilën Rusia e ka financuar pjesërisht me sasinë e madhe të të ardhurave të saj nga nafta.
“Unë do t’i kërkoj gjithashtu Arabisë Saudite dhe OPEC-ut të ulin koston e naftës, ju duhet ta ulni atë, gjë që sinqerisht, jam i befasuar që nuk e bënë para zgjedhjeve. Kjo nuk tregoi shumë dashuri nga ata që nuk e bënë këtë. Isha pak i befasuar”, tha Trump gjatë fjalimit me video-konferencë në Davos.
“Nëse çmimi do të ulej, lufta Rusi-Ukrainë do të përfundonte menjëherë. Tani për tani, çmimi është mjaft i lartë sa ajo luftë do të vazhdojë… Ata janë shumë përgjegjës, në një masë të caktuar, për atë që po ndodh”, shtoi presidenti amerikan.
Çmimi i naftës përcaktohet nga tregjet globale, megjithëse ndikohet nga sasia e naftës së prodhuar nga Arabia Saudite dhe anëtarët e tjerë të OPEC-ut. OPEC ka mbështetur çmimet duke kufizuar prodhimin.