• Today is: Wednesday, February 5, 2025

Vuçiqi akuzon Perëndimin për “revolucion me ngjyra në Serbi”

fakti
January21/ 2025

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar përsëri Perëndimin se po organizon një revolucion me ngjyra në Serbi.

“Perëndimi është i përfshirë në përpjekjet për të organizuar një revolucion me ngjyra në Serbi duke përdorur studentët”, ka thënë ai në televizionin “Happy TV”.

Prej më shumë se dy muajsh, në Serbi po zhvillohen bllokime dhe protesta, ku qytetarët, studentët dhe opozita kërkojnë përgjegjësi politike dhe penale për rrëzimin e strehës prej betoni në Stacionin Hekurudhor në Novi Sad më 1 nëntor, ku humbën jetën 15 persona dhe u plagosën rëndë dy të tjerë.

Megjithatë, Vuçiq po përpiqet që të bëjë fajtor Perëndimin.

“Gjithçka që po bëjnë janë tentativa për revolucion me ngjyra, nuk kam asnjë dyshim për këtë. Ky nuk është problem, do të presim deri në momentin e fundit kur do të duhet të përgjigjemi, kur ata do të fillojnë bllokimin me forcë të autostradave”, tha ai.

Vuçiq shtoi se ka informacione se “agjentët e huaj përmes lidhjeve të tyre u kanë kaluar studentëve të caktuar” thirrjet për të shkuar në kryqëzimet kryesore rrugore dhe për të bllokuar trafikun. Kjo bëhet nën kontrollin e “instruktorëve të huaj”, tha ai.

“Ne tashmë e dimë se kush po e bën këtë dhe si. Disa prej tyre vijnë nga një numër vendesh perëndimore dhe të tjerët nga lindja, ku ata bënë punën e pistë për rrjetin e agjentëve perëndimorë. Ne do ta tolerojmë atë deri në një moment të caktuar dhe më pas ne do të sillemi në përputhje me rregullat që shteti duhet t’i respektojë”, ka shtuar Vuçiq.

Kësaj deklarate të Vuçiqit i bënë jehonë mediat ruse “RT” dhe “TASS”. /The Geopost/