Përmes Mesharit, Gjon Buzuku mishëroi shpirtin e Rilindjes dhe e përshtati atë në kulturën shqiptare. Vendosmëria e tij për të promovuar gjuhën shqipe dhe ndriçuar mendjet e shqiptarëve e vendosi atë si një figurë kyçe në historinë e letrave dhe identitetit kombëtar. Më 5 janar 1555, filloi një rrugëtim i ri për gjuhën dhe kulturën shqipe, një rrugëtim që vazhdon të frymëzojë brezat e sotëm përmes fjalëve të pavdekshme të Gjon Buzukut.
Dr. Dorian Koçi
Të mbartur ndër shekuj nga kultura arbërore, arbrit nuk qëndruan jashtë zhvillimeve të mëdha të qytetërimit europian. Një ngjarje e rëndësishme, më 5 janar 1555, shënoi këtë lidhje të veçantë: mbarimi i përkthimit të Mesharit nga Gjon Buzuku, libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe. Libri përbëhej nga 110 fletë mirëpo kopja e librit që ka arritur është e cunguar dhe i mungojnë 16 faqet e para dhe ndër to edhe kopertina me faqen kryesore. Buzuku ishte prift katolik, famullitar i një kishe në Shqipërinë Veriore jo aq larg nga vendi i botimit dhe një nga lëvruesit më të rëndësishëm të gjuhës shqipe. Me veprën e vet ai konsolidoi një traditë të rëndësishme të të shkruarit të gjuhës shqip me alfabet latin.
Kjo vepër monumentale nuk lindi në izolim, por si pjesë e rrymave intelektuale të Rilindjes Europiane.Rilindja Europiane, me idealet e saj për humanizmin, ndriçimin dhe rilindjen kulturore, la gjurmë të thella në Mesharin. Vendimi i Buzukut për të shkruar në shqip pasqyroi një nga shtyllat kryesore të Rilindjes Europiane: përdorimin e gjuhëve amtare për të bërë dijen dhe fenë të arritshme për njerëzit e thjeshtë. Përmes kësaj përpjekjeje, ai jo vetëm që përparoi shkrim-leximin, por edhe forcoi identitetin kulturor kombëtar.
Në thelbin e veprës së tij qëndron përkushtimi për ndriçimin shpirtëror dhe intelektual të popullit të tij. Kjo përpjekje përkon me frymën e Rilindjes Europiane, e cila i dha rëndësi dinjitetit njerëzor, zhvillimit intelektual dhe përgjegjësisë individuale. Përkushtimi i Buzukut për të ruajtur dhe lartësuar gjuhën shqipe ishte në harmoni me lëvizjet më të gjera të Rilindjes, që synonin rigjallërimin dhe kremtimin e trashëgimisë kulturore. Libri i lutjeve, Meshari i Gjon Buzukut reflekton jo vetëm devotshmërinë fetare të autorit, por edhe aspiratën e tij për të ruajtur dhe promovuar gjuhën dhe kulturën arbërore. Kjo përpjekje lidhet drejtpërdrejt me idealet e Rilindjes Europiane për t’u rikthyer tek traditat e lashta dhe për të nderuar gjuhën dhe kulturën amtare. Përdorimi i gjuhës shqipe për përhapjen e fjalës së Zotit tregon ndikimin e Reformacionit, një lëvizje bashkëkohore e Rilindjes Europiane që inkurajonte përfshirjen personale dhe të drejtpërdrejtë me tekstet e shenjta. Përmes ndërlidhjes së fesë, kulturës dhe arsimit, Meshari përfaqëson frymën e Rilindjes Europiane dhe frymëzon një ndjenjë identiteti dhe përparimi ndër shqiptarët.
Fjalët e Gjon Buzukut në përfundim të Mesharit janë një testament për përkushtimin dhe përulësinë e tij:
“U doni Gjoni, biri i Bdek Buzukut, tue u kujtuom shumë herrë se gluha jonë nukë kish gjë të ëndigluom ën së shkruomit shenjëtë, ën së dashunit së botësë s’anë, desha me u fëdigunë, për së mujta me ditunë, me zhdritunë pak mendetë e atyne qi të ëndiglonjinë…”
Ai pranon me përulësi sfidat që hasi, duke vënë në dukje se kjo vepër ishte një përpjekje e parë dhe e vështirë:
“E se për fat në keshe kun ënbë ëndonjë vend fëjyem, u duo tuk të jetë fajtë, ai qi të jetë më i ditëshim se u, ata faj e lus t’a trajtonjë ënde e mirë; për-se nukë çuditem se në paça fëjyem, këjo tue klenë më e para vepërë e fort e fështirë për të vepëruom ënbë gluhët t’anë.”
Përmes Mesharit, Gjon Buzuku mishëroi shpirtin e Rilindjes dhe e përshtati atë në kulturën shqiptare. Vendosmëria e tij për të promovuar gjuhën shqipe dhe ndriçuar mendjet e shqiptarëve e vendosi atë si një figurë kyçe në historinë e letrave dhe identitetit kombëtar. Më 5 janar 1555, filloi një rrugëtim i ri për gjuhën dhe kulturën shqipe, një rrugëtim që vazhdon të frymëzojë brezat e sotëm përmes fjalëve të pavdekshme të Gjon Buzukut.