• Today is: Friday, December 27, 2024

“Fliste një italishte elegante”, Pëllumb Xhufi zbulon detaje të panjohura nga jeta e Skënderbeut: Pse nuk arriti të bëhej mbret

fakti
December25/ 2024

17 janari shënon përvjetorin e vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeut. Historiani i njohur Pëllumb Xhufi në një intervistë televizive ka zbuluar disa detaje interesante. Ndër të tjera, ai thotë se Skënderbeu ishte trupmadh, por nuk kishte egërsi në portret siç e kemi parë në statuja.

Pëllumb Xhufi: Po nisem nga libri i Fan Nolit, i vitit 1921 “Historia e Skënderbeut”, të cilin ai e shkruajti bazuar kryesisht në kronikat e kohës, në radhë të parë shkruar nga Marin Barleti pastaj dhe nga kronikanë të tjerë të cilët janë bazuar kryesisht te Barleti. Në ’47, Fan Noli u detyrua të shkruajë përsëri “Historinë e Skënderbeut” që është krejt gjë tjetër.

Pra kemi dy versione nga Fan Noli?

Pëllumb Xhufi: Janë dy versione, njëri që është po themi divulgativ, i pari dhe i dyti që është vërtet një vepër shkencore se bazohet tashmë në vepra arkivore që ndërkohë dolën, u botuan dokumentet arkivore për Skënderbeun të cilat japin një imazh krejt tjetër të Skënderbeut, jo vetëm ai luftëtari me shpatë në bazë të të cilit janë bërë edhe portretet e Skënderbeut, edhe të gdhendura.

Ndoshta-ndoshta, jo ai trupmadhi që njohim ne?

Pëllumb Xhufi: Jo, me trup të madh ishte Skënderbeu por nuk ishte edhe aq i egër sa e shohim te busti i Paskalit.

Historiani shton se Skënderbeu ishte diplomat i jashtëzakonshëm, strateg dhe i kultivuar. Dokumentet e principatës së Milanos thonë se fliste edhe italisht.

Pëllumb Xhufi: Fliste një italishte elegante.

Italisht, Skënderbeu?

Pëllumb Xhufi: Po, po fliste italisht në mënyrë elegante, në atë kohë italishtja mesjetare ishte anglishtja e sotme, gjuha ndërkombëtare e asaj kohe.

Po ku e mësoi italishten?

Pëllumb Xhufi: Shiko, ne themi që u formua te oborri i sulltanit. Mos kujtoni se oborri i sulltanit u mësonte arabisht fëmijëve. Vetë sulltani ishte i rrethuar nga piktorë italianë, mësues italianë.

 

***

Pse nuk arriti të bëhej mbret

Marrëdhëniet e mira me Papatin do t’i siguronin titullin mbret nëse nuk do të kishte ndodhur një rastësi fatkeqe. Historiani flet edhe për ndërrimin e feve që kishte bërë Skënderbeu dhe aftësitë e tij diplomatike e strategjike.

Herë quhej princ e herë quhej mbret.

Pëllumb Xhufi: Mbret nuk u bë dot.

Për fat të keq nuk u bë dot dhe ishte e parashikuar siç e thotë Papa Piu II që ishte një bashkëkohës dhe mbështetës i fortë i Skënderbeut. Do bëhej kryqëzata në vitin 1464, do nisej nga Ankona dhe erdhi flota, u bë gati dhe vdiq Papa për fat të keq, ishte organizatori dhe Papa i kishte premtuar Skënderbeut dy gjëra, që: ti do bëhesh mbret i Shqipërisë dhe e dyta, do merrte se shteti i Skënderbeut që mjaft i rrudhur, po themi një shtet i Ismail Qemalit pas 500 vjetësh do zgjerohej në treva të tjera shqiptare në Maqedoni, në veri etj mirëpo ky rast iku për një koincidencë fatale, vdekja e Papës nuk realizoi kryqëzatën dhe Skënderbeu nuk u bë, por ngeli gjithmonë Dominus Albanie, domethënë “Zoti i shqiptarëve”.

Ndërkohë ju thoni që Skënderbeu ka ndërruar tre fe?

Pëllumb Xhufi: Jo vetëm Skënderbeu, edhe i ati i tij ka ndërruar tre fe. Skënderbeu edhe në këtë qe inovator sepse fenë e kishte të dashur, por nuk thoshte “fe dhe atdhe” por “atdhe dhe fe”. Këtë e nxjerr shumë mirë në një letër që i çon princit të Tarentit, të Italisë së Jugut se ai i thotë “që bëhu me mua” se ishte në luftë me mbretin e Napolit, “bëhu me mua sepse unë jam edhe më katolik se mbreti i Napolit” dhe i thotë “katolikë jemi të gjithë, të gjithë ne që pagëzohemi jemi njësoj katolikë dhe nuk ka katolikë më të mirë dhe më të këqinj. Problemi është që mbreti i Napolit më ndihmon kundër turqve mua, kurse ti lufton kundër atij që mua më ndihmon kundër turqve, domethënë je armiku im, këtu është llogaria që bëj unë”.