• Today is: Sunday, November 24, 2024

KOSOVA NË MES TË COVID-19 DHE PAQARTËSIVE POLITIKE

EA
April17/ 2020

Klasa politike, mund të konsiderohet madje shembulli i vetëm në botë e cila nuk po ndërpretë përleshjen politike në kohën e pandemisë. Kjo situatë ka ndikuar që në mesin e qytetarëve të mbretërojë një zhgënjim i madh, kurse në ditët dhe javët në vazhdim pritet që ky  disponim të thellohet edhe më tej.

Prishtinë, 17 prill/ Gazeta FAKTI –  Në Kosovë po nddodhin dy beteja paralele, njëra kundër Covid-19 dhe tjetra brenda klasës politike. Përderisa në betejën e parë po humbin jetë njerëzish, në betejën e dytë po humbin shpresa njerëzish.
Klasa politike, mund të konsiderohet madje shembulli i vetëm në botë e cila nuk po ndërpretë përleshjen politike në kohën e pandemisë. Kjo situatë ka ndikuar që në mesin e qytetarëve të mbretërojë një zhgënjim i madh, kurse në ditët dhe javët në vazhdim pritet që ky  disponim të thellohet edhe më tej.
Ndërkohë, ndaj situatës aktuale politike në Kosovë nuk ka qëndruar indiferent edhze ambasadori amerrikan në Prishtinë, Philip Kosnett. Ai  ka kritikuar retorikën politike në Kosovë, pasi sipas tij, sikurse edhe në vendet tjera, ajo degradon në racizëm, seksisëm dhe homofobi.

Kosnett ka thënë se një gjë e tillë poshtëron ata, të cilët bëjnë sulme të tilla në baza etnike, gjinore ose të orientimit seksual.

Ambasadori amerikan ka thënë që liderët politikë në Kosovë duhet të dekurajojnë një shëmti të tillë.

Sipas tij, duhet folur me fakte dhe jo me fyerje.

“Retorika politike në Kosovë, sikurse në vendet tjera, shpesh degradon në racizëm, seksisëm dhe homofobi. Kjo poshtëron ata që bëjnë sulme të tilla dhe ata që i tolerojnë ato. Liderët kanë përgjegjësinë për të dekurajuar një shëmti të tillë. Fokusohuni në fakte, jo në ofendime”, ka shkruar Kosnettt në “Twitter”.

Kurti i përgjigjet Thaçit, kërkon zgjedhje pas pandemisë

Presidenti Thaçi pas tre letrave dërguar Lëvizjes Vetëvendosje në lidhje me emrin e mandatarit sot ka marrë një përgjigje nga zoti Kurti, përmes së cilës ka qartësuar se nuk heziton t’i përgjigjet dhe as nuk e refuzon kërkesën e tij, porse është në pritje të përgjigjes nga ai për letrën e fundit të dërguar.

Ndër të tjera në letrën e kryeministrit në detyrë Kurti dërguar presidentit Thaçi thuhet: “Do të jem në pritje të sqarimit tuaj, me shpresën se do të përdorni standardin e njëjtë që po pritni nga unë. Pas përgjigjes suaj mbase mund ta kem më të qartë arsyen pas këtij insistimi për t’u marrë me çështje dytësore e tretësore, në një kohë kur të gjithë duhet të bashkohemi në luftën kundër armikut të përbashkët- COVID-19”.

Por si pritet të veprojë Presidenti Thaçi pas kësaj përgjigjeje të zotit Kurti ?

Drejtori Ekzekutiv i organizatës “Çohu”, Arton Demhasaj në një prononcim për “Gazeta Blic” ka theksuar se Kushtetuta nuk përcaktuar një afat se kur partia fituese e dergon emrin e mandatarit tek presidenti.

Demhasaj thekson se në mungesë të këtij afati nga LVV-ja interpretohet sikur ka afat ndërsa nga Presidenti Thaçi po bëhet presion me letra, por gjithçka është e paqartë.

“Derisa nuk ka afat Kushtetues njëkohësisht e as ligjor e as nuk ka të vendosur precedentë për këtë çështje se si duhet të veprohet.
Mendoj çdo lloj veprimi që bën Presidenti tani mund të quhet veprim i njëanshëm edhe që pastaj ka nevojë pastaj patjetër me u dërgu në Gjykatën Kushtetuese për interpretim, nëse gjithmonë ndodh një veprim i tillë i njëanshëm i Presidentit pra i jepet madati dikujt tjetër dhe përjashtohet Lëvizja Vetëvendosje si subjekt politik për të patur mandatarin për formimin e Qeverisë”, ka thënë Demjaha.

Ndërsa njohësi i çështjeve politike Krenar Shala theksoi se Presidenti tashmë duhet të qëndrojë mbi palët dhe udhëzohet sipas Kushtetutës.

“Presidenti duhet të veproj konform kushtetutës dhe konform praktikave të deritanishme që janë bërë pas procesit të kalimit të suksesshëm të mocionit të mosbesimit kundër qeverisë. Presidenti nuk e ka mandatin që ta ushtroj vullnetin e tij partikular, por duhet të qëndroj mbi palët dhe të udhëzohet sipas kushtetutës. Neni në të cilin po thirret presidenti nuk është i duhuri pasi që nuk kemi të bëjmë me dorëheqje të kryeministrit por për shkarkim të qeverisë”, vlerëson Shala.

A do ta penalizojë sërish Qeverinë Kurti, Gjykata Kushtetuese?

Vendimi i Gjykatës Kushtetutese të Republikës së Kosovës që shpalli antikushtetues vendimin e parë të Qeverisë Kurti për kufizimin e lirisë së levizjes së qytetarëve me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë COVID-19, ka shtyrë ekzekutivin që të nxjerrë masa të reja, të cilat janë edhe më shtrënguese.

Me kompetenca të deleguara nga Kurti, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, i detyruar nga afati kohor i Kushtetueses, ka  nxjerrë masa të reja, duke ua kufizuar qytetarëve që të lëvizin në orë të caktuar vetëm për 90 minuta.

Lidhur me një vendim të tillë ka pasur reagime të shumta nga njohësit e kushtetutës, partitë politike, shoqëria civile e politikanë të huaj, të cilët kanë theksuar se një vendim i tillë përsëri është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut.

Kundërshtimin për masat e reja të qeverisë Kurti që kufizojnë lëvizjen e qytetarëve bazuar në numrin e parafundit të numrit personal të letërnjoftimit, sot e ka konkretizuar Partia Demokratike e Kosovës, duke e dërguar për të dytën herë qeverinë në Kushtetuese pas presidentit Hashim Thaçi.

Shohet viktima e 12-të në Kosovë nga koronavirusi

Në mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë edhe një pacient nga koronavirusi në Klinikën Infektive, raporton “Zëri.info”.
Lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë mjeku Shemsedin Dreshaj, i cili ka thënë se pacienti që ka ndërruar jetë sot është hospitalizuar në Klinikën Infektive më 13 prill dhe është i moshës 70-vjeçare.
“Sot në mëngjes kemi edhe një rast me fatalitet, viktima është nje burrë me inicalet S.M., i moshës 70 vjeç, nga Nerodimja e Ferizajt, ai ka qenë i shtrirë në Klinikë që nga data 13 prill”, ka thënë Dreshaj, raporton “Zëri.info”.
Ky është viktima e 12-të në Kosovë nga koronavirusi.
Ndërkaq,në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 52 pacientë me koronavirus, 11 nga ta janë në kujdes intensiv, ndërsa dy prej tyre në gjendje të rëndë shëndetësore
Gjendjen e tyre e ka konfirmuar infektologu Shemsedin Dreshaj.
“Aktualisht në Klinikë kemi 52 pacientë, 11 pacientë janë në kujdes intensiv me oksigjenoterapi, ndërsa dy prej tyre kanë gjendje më të rëndë shëndetësore”, ka thënë Dreshaj, njofton gazeta Zëri.
Dreshaj ka dhënë edhe një lajm të mirë, ku sot nga Klinika janë liruar 5 pacientë të shëruar me koronavirus, ndërsa 6 të tjerë të hospitalizuar janë në prite të rezultateve.

Arben Vitia e konfirmon se ka folur në telefon me homologun e tij nga Serbia

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka konfirmuar se ka pasur bisedë me homolug e tij nga Serbia si dhe shteteve tjera fqinje. Këtë e ka konfirmuar edhe faqja zyrtare e Ministrisë së Shëndetësisë.

‘’Dje, ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, z. Arben Vitia, realizoi biseda telefonike me homologët e tij të shteteve fqinje.’’, thuhet në njoftim.

‘’Të gjithë, ministrja e Shqipërisë, znj. Znj. Ogerta Manastirliu, ministri i Malit të Zi, z. Kenan Hrapoviç, ai i Serbisë, z. Zlatibor Lonçar dhe ai i Maqedonisë së Veriut, z. Venko Filipçe vlerësuan se gjendja duhet trajtuar me përgjegjësi maksimale dhe ndihma duhet të jetë e shpejtë dhe reciproke.’’

‘’Pandemia është problem i përbashkët dhe të gjithë shtetet e Ballkanit duhet të lehtësojnë me sa mundet njëri-tjetrin në përvoja dhe ndihma profesionale. Udhët e qarkullimit për mallrat, personelin shëndetësor dhe pajisje mjekësore duhet të jenë të lira. Të gjithë u dakorduan dhe premtuan se do të jenë të gatshëm për çdo lehtësim në këtë sipërmarrje të përbashkët kundër COVID-19.’’, thuhet tutje aty.

Prishtina vazhdon në karantinë por jo të gjithë i respektojnë masat

Është dita e tretë prej kur kanë filluar të zbatohen masat e reja për kufizim të lëvizjes, me qëllim të parandalimit të përhapjes së korona virusit. Me vendim të ri, qytetarët mund të lëvizin vetëm 90 minuta në ditë, në orare të caktuara në bazë të numrit të parafundit personal të letërnjoftimit.

Lagjet Mati 1, konkretisht rruga “Ndue Perlleshi”, Tophane-rruga “Lidhja e Prizrenit” dhe Veternik në komunën e Prishtinës, ishin shpallur vatra të përhapjes së virusit.

Në hyrje dhe dalje të Veternikut kanë vazhduar edhe sot kontrollet nga Policia e Kosovës, për të mos lejuar lëvizjet nga të dyja anët, pa posedimin e lejes për qarkullim pa leje.

Ndër të tjera, qytetarët duhet të jenë të pajisur me masa mbrojtëse, maska dhe doreza, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit të tyre.

Megjithatë, jo të gjithë po respektojnë ato. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës, në gjithë territorin e Kosovës janë ndaluar 31 persona, meqë të njëjtit nuk kanë respektuar orarin e lëvizjes. Policia ka njoftuar se 11 persona janë shoqëruar në stacion policor, pasi që nuk kanë vepruar sipas dispozitave shëndetësore./ Gazeta FAKTI