Analiza e lartë e letërsisë na ka thënë që tragjedinë nga komedia e ndan një gjë shumë e vogël. Shpesh edhe nje ose dy fjalë. Dhe koha e përditshme në këto çaste po tregon që nëse ka pasur vërtet një tragjedi Simaku, mediokriteti që nuk e njeh fare se ç’është personaliteti i njeriut po e kthen në komedi.
Nga Spartak Ngjela
Çështja e Parashqevi Simakut, duket se tani kaloi nga analizat abstrakte, tek analiza konkrete.
Por vetëm si mendim, sepse jetën e këngëtares nuk po e tregon vetë këngëtarja, pavarësisht se ajo është e gjallë.
Tregimet gojore të shoqërisë, sigurisht që janë një letërsi popullore.
Letërsinë popullore e mban dëshira për të folur për ngjarjet ose jetën e të tjerëve, dhe shpesh e më shpesh këto janë thashetheme që vijojnë deri në një thashethemnajë.
I.
Duhet që gjithmonë të mbajmë parasysh se historia në analizën e saj të faktit si jetë individuale të një figure historike, duhet të kalojë nga e përgjithshmja, te figura historike që po flitet, dhe që përmbajnë ngjarjet e jetës në aktivitetin shoqëror të figurës historike.
Aktualisht kudo në botën shqiptare po flitet për figurën e këngëtares shumë të njohur Parashqevi Simaku.
Këngëtarja kishte 8 vite pa asnjë lajm për të, dhe befas gjithçka doli në skenë për të treguar tragjedinë e saj si ngjarje aktuale. Por brenda psikologjisë popullore, dhe ndoshta larg së vërtetës.
Historia e një vendi është një përgjithësim i një kohe të caktuar për jetën e një shoqërie të caktuar në sensin e kohës historike.
Prandaj logjika e arsyetimit të një ngjarjeje për një figurë historike, duhet të kalojë gjithmonë nga analiza e jetës së përgjithshme të shoqërisë ku ai ose ajo bën pjesë, tek jeta e individit që po duam ta analizojmë.
Dhe kjo nuk është një gjë e lehtë, që mund ta bëjë gjithkush.
II.
Po le të kalojmë tek fakti Simaku që po vijon së treguari, në një kohë kur zonja Simaku është në një situatë të rëndë të jetës së saj.
Kështu thotë media në thashethemnajë popullore, por asgjë nuk po trajtohet në funksion të së vërtetës.
Një këngëtare me personalitet të madh në një shoqëri, nuk mund të analizohet si një individ çfarëdo që ka kryer një akt me ngarkesë shoqërore.
Analiza e lartë e letërsisë na ka thënë që tragjedinë nga komedia e ndan një gjë shumë e vogël. Shpesh edhe nje ose dy fjalë. Dhe koha e përditshme në këto çaste po tregon që nëse ka pasur vërtet një tragjedi Simaku, mediokriteti që nuk e njeh fare se ç’është personaliteti i njeriut po e kthen në komedi.
Pse?
Sepse mediokriteti kërkon ngjarje për ta treguar, sepse kërkon të harrojë vetveten. Se vetja është e rëndë, dhe për ta harruar duhet të tregosh ngjarje tragjike, dhe këta, duke i treguar, lehtësohen.
Dhe kjo është letërsia popullore, e cila kur në qendër të këtyre tregimeve është një figurë e njohur, të gjithë janë nën emocionin që secili të thotë diçka për figurën, pa e vrarë mendjen se janë ose jo të vërteta ato që kanë pushtuar jetën shoqërore.
Imagjino sikur kjo shoqëri, të shihte në televizion një tragjedi letrare dhe kjo të përcillej pastaj në shoqëri në funksion të artit. A ka ndodhur ndonjëherë kjo në Shqipëri?
Kurrë!
Atëherë, pyetja kush është më superiore në shoqërinë shqiptare: arti apo thashethemnaja?
Thashethemnaja, sigurisht që është superiore.
Atëherë?
Prandaj, çështja Simaku do të vijojë në letërsinë popullore…