• Today is: Sunday, November 24, 2024

SERVER KOMENTON FITOREN E TRUMPIT: NDARJET NË UKRAINË DO TË JENË NJË PRECEDENT PËR NDARJET NË KOSOVË

fakti
November06/ 2024

Duke analizuar se çfarë kontribuoi në rezultatet e zgjedhjeve në SHBA dhe në fitoren bindëse të Donald Trump, Daniel Server, profesor në Universitetin Johns Hopkins, thotë se në të ndikuan disa faktorë dhe një prej tyre sigurisht që është zhgënjimi me ekonominë, veçanërisht norma e inflacionit. 

Serveri thotë se fitorja e Trump ka implikime edhe për Ballkanin, sepse ndarjet në Ukrainë do të jenë precedent për ndarjet në Kosovë dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Serveri, i cili ishte mysafir i Al Jazeera Balkans News, foli edhe për ndryshimet në politikën e jashtme të SHBA-së që mund të pasojnë fitoren e Trump.

“Unë pres që Trump të ofrojë mbështetje edhe më të pakushtëzuar për Izraelin. Por unë mendoj se ndryshimi i parë më dramatik do të jetë në Ukrainë, ku ai do të përpiqet t’u japë rusëve një pjesë të Ukrainës për t’i detyruar ata të ndalojnë luftën. Këtë e ka bërë të ditur gjatë fushatës parazgjedhore dhe ndoshta do të ketë sukses në këtë”, thotë Server.

“Ka implikime për Ballkanin, sepse ndarjet në Ukrainë do të jenë një precedent për ndarjet në Kosovë dhe BiH,” shton ai.

Në të njëjtën linjë është edhe Frank Wisner, ish-emisar i SHBA-së për statusin e Kosovës, i cili ka folur  për programin Expose të Radios Evropa e Lirë.

Wisner nuk e përjashton mundësinë që Trump ta eksplorojë ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për konfliktin e saj të vazhdueshëm me Serbinë.

“Nëse ai sheh ndonjë marrëveshje me [presidentin e Serbisë, Aleksandar] Vuçiq, që i përshtatet, ai nuk do ta presë Kosovën që të bindet. Ai do të jetë transaksional, në kërkim të një marrëveshjeje, në kërkim të një përparimi, në kërkim të diçkaje që e bën të duket mirë. Kosova duhet të jetë e shkathët, të sigurohet se ka mbështetje të fortë nga evropianët, por rrugëtimi i saj mund të jetë i vështirë”, thotë Wisner.

Wisner kujton se një marrëveshje për shkëmbim territoresh mes Kosovës dhe Serbisë, përgjatë vijave etnike, është përfolur në vitin 2020, gjatë mandatit të parë presidencial të Trumpit.

Por, plani nuk ka shkuar përpara pasi presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi, i është dorëzuar Gjykatës Speciale në Hagë si i dyshuar për krime lufte.
Ndërkaq David Phillips, drejtor i Programit për Ndërtimin e Paqes dhe të Drejtat e Njeriut në Universitetin e Kolumbias,

rump e sheh ndarjen e Kosovës si zgjidhje të shpejtë për marrëdhëniet e saj të trazuara etnike dhe kjo, sipas tij, jo vetëm se do ta destabilizonte Kosovën, por do ta hapte Kutinë e Pandorës edhe në shtete të tjera multietnike të Ballkanit, si Maqedonia e Veriut, Bosnje e Hercegovina apo Serbia.

“Nëse Trump zgjidhet, ka gjasa të shohim një ndryshim të madh në qasjen e Shteteve të Bashkuara. Trump ka interesa financiare në Ballkan. Ai ka interesa të dëshmuara në transaksione në favor të SHBA-së”, thotë Phillips për Exposenë.

Në shtator të këtij viti, djali i madh i Trumpit, Donald Jr., ka darkuar me biznesmenë serbë në Beograd, për të diskutuar mundësitë për investime.

Paraprakisht, në maj, dhëndri i Trumpit, Jared Kushner, ka bërë kontratë me shtetin e Serbisë për ndërtimin e një hoteli luksoz në vendin e një ish-baze ushtarake në Beograd.

Richard Grenell, i cili në kohën e administratës Trump ka qenë përfaqësues i SHBA-së në dialogun Kosovë-Serbi dhe ka shtyrë përpara marrëveshjen për shkëmbim territoresh, ka zhvilluar po ashtu marrëdhënie të ngushta me Qeverinë e Serbisë.

Në vitin 2023, Vuçiq i ka ndarë atij Urdhrin e Flamurit Serb, duke thënë se Grenell “ka qenë ndër të paktët njerëz në SHBA, që ka pasur qasje të ekuilibruar ndaj Kosovës”.

Donald Trump Jr. e ka cilësuar Grenellin si “pretendent kryesor për pozitën e sekretarit të Shtetit”, nëse babai i tij do ta merrte timonin e Shtëpisë së Bardhë./Gazeta FAKTI