• Today is: Thursday, October 10, 2024

SHQIPTARËT, 23 VITE PAS NËNSHKRIMIT TË MARRËVESHJES SË OHRIT- ETNI SHTETFORMUESE, JO PËRQINDJE!

fakti
August13/ 2024

Faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve do të bëhet vetëm atëherë kur ata do të jenë popull shtetformues në Maqedoninë e Veriut. Pa këtë komponentë, të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshi edhe Marrëveshjen e Ohrit do ta kenë efektin e terapisë së përkohshme, sepse shqiptarët ende nuk janë “shëruar” nga pasojat e shtetndërtimit të njëanshëm, ku atributi i shtetformësisë është zëvendësuar me terma eufemike, siç është 20 përqindshi,  që më tepër janë statitikë e thatë se sa që shprehin nevojat dhe synimet reale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut 

Nga Emin AZEMI

Kanë kaluar 23 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, një dokument ky që për kohën kur u miratua, u konsiderua si ‘zbulim’ që do të rregullonte të gjitha kontradiktat etnike, sociale e politike në shoqëritë multietnike. Askush nuk e kishte menduar se do të duhet kaq kohë  e gjatë të flitet për këtë Marrëveshje, jo vetëm si dokument, por edhe si efekt frustrimi që kishte prodhuar mosimplemntimi i plotë i saj. Dhe tani kur kemi edhe një Marrëveshje tjetër, atë Prespës, analizës i ngelen edhe disa ngjyra për ta bërë më të plotë ylberin që bashkon këto dy ngjarje kapitale për shtetin e brishtë dhe të kërcënuar nga krizat e brendshme dhe të jashtme.

Nevojitet një marrëveshje tjetër apo ridefinim kushtetues i shqiptarëve

Marrëveshja e Ohrit fatkeqësisht u devalvua nga vet ata të cilët duhej ta implementonin. Kjo marrëveshje nuk i dha frytet të duhura ne shoqërinë maqedonase, përderisa në shoqërinë shqiptare deri diku pati një impakat pozitiv dhe këtu është problemi se kjo eshte  një marrëveshje e cila vazhdon ta mbajë ndaras shoqërinë në Maqedoni. Nuk solli zhvillim ekonomik te shqiptarët, një marrëveshje qe i bëri disa ndryshime kozmetike në aspektin etnik të barazisë së gjuhës dhe flamurit, por ato janë vetëm një gjysëm zgjidhje. Prandaj, për përmirësimin e statusit juridik dhe politik të shqiptarëve në Maqedoni, nevojitet një marrëveshje tjetër apo ridefinim kushtetues, e cila do ti trajtonte të barabaratë të gjithë qytetarët në vend.

Parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit, sikundër dihet,  ishin 4: Tërësisht dhe pa kusht hidhet poshtë përdorimi i dhunës për realizimin e qëllimeve politike. Vetëm zgjidhjet paqësore politike mund ta garantojnë stabilitetin dhe ardhmërinë demokratike të Maqedonisë; Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pashkelshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike; Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike. Një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën natyrore të zhvillimit dhe krijimit të vet, duhet vazhdimisht të sigurojë Kushtetutën e tij që tërësisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe vet të zhvillohen vazhdimisht; Zhvillimi i pushtetit vendor është me rëndësi thelbësore për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike dhe për përparimin e respektimit të identitetit të bashkësive.

Mbi Marrëveshjen e Ohrit janë organizuar dhjetëra konferenca e shumë projekte dhe nga individë, institucione e faktorë të ndryshëm janë dhënë vlerësime të ndryshme mbi ecurinë e implementimit të kësaj marrëveshje. Por, emërues i përbashkët i të gjitha këtyre vlerësimeve ka qenë konstatimi se MO ka pësuar ngecje në segmente të caktuara dhe jo rrallë obstruimi i mos implementimit të saj ka ardhur nga vetë politikanët. Askush madje  nuk është i sigurt se sa kjo marrëveshje do të mund të mbuloj të gjitha pikëpyetjet që janë ngritur si gjilpëra mbi fushën me kontraste etnike, sociale e politike të Maqedonisë së Veriut këto 23 vite..

Marrëveshja e Ohrit është një dokument i rëndësishëm që konfirmonte gjetjen e kompromisit politik në fund të një konflikti etnik. Sipas parashikimeve, kjo marrëveshje ka qenë dashur të implementohet deri në fund të vitit 2004, gjegjësisht në fillim të 2005.

Vonesat që sollën mosimplementimin me kohë të kësaj marrëveshjeje kanë mjaftuar të frustrojnë shumë njerëz, por të shfaqin edhe ide e alternativa konkurruese në “tregun” e ideve politike. Ka shumë arsye të kërkohet llogari nga ata që e kanë vonuar procesin e implementimit të MO, qofshin ata në pushtetin aktual, apo pararendës. Emërues i përbashkët i të gjithë vonuesve të këtij procesi ka qenë obstruimi i afateve duke luajtur lojë jo të sinqertë në mes të partnerëve të koalicionit.

Një dilemë konstante që ka shoqëruar debatin ka qenë nëse ofertat e ndryshme politike duhet kuptuar si zëvendësim i Marrëveshjes së Ohrit, apo vazhdim i këtij procesi që do të dinamizonte jetën politike shqiptare këtu. Dhe si derivate logjike të këtij debati ka mundur të përvijohet konstatimi se të trumbetosh gjatë gjithë kohës se Marrëveshja e Ohrit është zeniti i kualitetit dhe kuantitetit të politikbërjes së shqiptarëve, në njërën anë, dhe të refuzosh të bashkëpunosh mbi bazat e një diversiteti normal idesh e strategjish politike, në anën tjetër, fsheh brenda vetes tendencën e ngurtësismit të veprimit politik për qëllime shumë speciale dhe në favor të pazareve jotransparente me faktorët politik maqedonas.

Nëse dikur papirusi përdorej për të ruajtur kohëgjatësinë e epokave, Marrëveshja e Ohrit dëshmoi se nuk arriti dot të fshehë tronditjet politike që u shfaqën herë  pas herë në syprinën e trazuar të marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase.

Në shtetet multietnike si Maqedonia e Veriut, asnjë projekt madhor politik nuk mund të implementohet vetëm. Edhe Marrëveshja e Ohrit kaloi nëpër sfidën e rëndë të konsensusit ndëretnik dhe jo rastësisht ajo u bë edhe gurë peshoje për sprovat e mundimshme të qeverive të këtyre 23 vjetëve. Por, në anën tjetër Marrëveshja e Ohrit sikur testonte edhe grafikonin e nacionalizmit maqedonas brenda koalicioneve maqedono-shqiptare dhe fatkeqësisht sa më e obstruuar dilte kjo marrëveshje nga partnerë të caktuar maqedonas, aq më i besueshëm dilte në opinionin publik edhe kryeministri maqedonas.

Një temë që ka preokupuar vëzhgues të ndryshëm politik, ka qenë e ardhmja e raporteve shqiptaro-maqedonase në dritën e zbatimit të MO. Ka disa prej politikanëve shqiptarë, sidomos ata me stazh më të gjatë në pushtet, të cilët mendojnë se MO është përgjigja më e mirë ndaj sfidave që dalin në raportet shqiptaro-maqedonase. Sipas tyre MO është përgjigja më e mirë për të mbyllur disa nga problemet që tangojnë interesat e shqiptarëve.

Por, në anën tjetër, ndryshimet e fundit që ndodhën, që nga emri i shtetit, e deri te realitetet e reja politike e kulturore, e kanë gjetur tepër të papërgatitur shpirtërisht shoqërinë maqedonase. Kjo mospërgatitje po shihet çdo ditë dhe po vërehet në sytë e të gjithëve. Sidomos ka një shqetësim sa i përket implementimit të gjuhës shqipe. Ka plot maqedonas, të cilët nuk po munden ta marrin me mend se në këtë shtet po lind edhe një gjuhë tjetër zyrtare. Dhe nuk është problemi gjithaq te refuzimi i këtij realitetit të ri gjuhësor, sa është te konfuziteti që ata po e krijojnë teksa po ballafaqohen me këtë ‘shok’ kulturologjik të shqiptarëve.

Në kapitullin e Marrëveshjes së Ohrit që flet për IMPLEMENTIMIN DHE MASAT PËR NDËRTIM TË MIRËBESIMIT, është aneksi C, i cili parashihte që “të vazhdojnë përpjekjet në projektet e destinuara për përmirësim të marrëdhënieve ndëretnike”.

Paradoksaliteti i një pjese të politikës shtetërore mbështetej në narrativin primitiv për shqiptarët si pakicë kombëtare, ndërkohë që nuk u realizuan parametrat kryesorë nga Marrëveshja e Ohrit që dilnin nga kapitulli ‘IMPLEMENTIMI DHE MASAT PËR NDËRTIM TË MIRËBESIMIT’, ku parashiheshin edhe objektiva konkretë në zhdukjen graduale të stereotipave ndëretnike.

Sikur të realizohej në tërësi ANEKSI C i Marrëveshjes së Ohrit, maqedonasit sot nuk do të përjetonin tërmet emocional kur dëgjojnë fqiun shqiptar të flet në gjuhën shqipe zëshëm, pa pasur nevojë të brengoset se me këtë do të lëndojë ndjenjat e bashkëqytetarëve maqedonas.

Ka disa qasje sa i përket marrëdhënieve në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve. Njëra qasje mbështetet nga politikanët, të cilët mendojnë se falë kontributit të tyre ka ardhur deri te përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike. Tjetra, nga sociologët dhe analistët, të cilët nuk e shohin situatën bardh e zi. Ata në njërën anë e shohin me pozitivizëm Marrëveshjen e Ohrit si pikënisje e një bashkëjetese të re në Maqedoni, por në anën tjetër e shikojnë me pesimizëm funksionimin e sistemit, duke aluduar në parimin e Badenderit dhe në principet e demokracisë konsensuale.

Por një qasje që gjithmonë ngel pezull dhe nuk është studiuar gjithaq, është vetë perceptimi i qytetarëve sa i përket evoluimit të raporteve ndëretnike. Sipas anketave të viteve të fundit është vërejtur se Marrëveshja e Ohrit ka ndihmuar në relativizimin e marrëdhënieve të acaruara ndëretnike në mes të dy kombeve më të mëdha: maqedonasit dhe shqiptarët, ndonëse ky nuk ishte faktori kryesor që ka ndikuar në formimin e mendësisë së re dhe as që janë eliminuar plotësisht dallimet.

Këto të drejta që i kanë shqiptarët, do të arriheshin me luftë a me politikë paqësore? Rreth kësaj pyetjeje janë thyer shtizat më së shumti këto vitet e  fundit. Hulumtimet e opinionit publik kanë rezultuar në të dhëna interesante, duke marrë përgjigjen e mbi 50 për qind të shqiptarëve, të cilët e arsyetojnë luftën e armatosur për arritjen e më shumë të drejtave për shqiptarët. Por, kështu nuk mendojnë mbi gjysma e të anketuarve maqedonas, të cilët me pezëm e mllef e kualifikojnë konfliktin si komplot kundër Maqedonisë.

Përpjekja për ta dekompozuar ‘Maqedoninë e Ohrit’ nga qarqe vendimmarrëse politike maqedonase, është kundërtendencë e frymës që ka gjeneruar kjo marrëveshje. Faktorizimi i më shumë atributeve shqiptare në institucionalizimin e jetës politike e shtetërore ka prodhuar jo pak bllokada nga vetë ata që janë të obliguar ta implementojnë Marrëveshjen e Ohrit.

Por faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve do të bëhet vetëm atëherë kur ata do të jenë popull shtetformues në Maqedoninë e Veriut. Pa këtë komponentë, të gjitha marrëveshjet paraprake, përfshi edhe Marrëveshjen e Ohrit do ta kenë efektin e terapisë së përkohshme, sepse shqiptarët ende nuk janë “shëruar” nga pasojat e shtetndërtimit të njënashëm, ku atributi i shtetformësisë është zëvendësuar me terma eufemike, siç është 20 përqindshi,  që më tepër janë statitikë e thatë se sa që shprehin nevojat dhe synimet reale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Marrëveshja e Ohrit vs. Pakoja e Ahtisarit

Derisa në Maqedoni kompromisi (Marrëveshja e Ohrit) ishte i brendshëm, në rastin e Kosovës kompromisi (Pakoja e Ahtisarit) ishte me Serbinë për të neutralizuar ambiciet e saja kundër shtetësisë së Kosovës, por jo edhe për të garantuar mosndyrhyrjen e saj në sovranitetin juridik e territorial të Kosovës. Tendencat e fundit për çmontimin e Maqedonisë së Ohrit, në fakt është shembulli më i keq i mosimplementimit të një marrëveshjeje, e kurrsesi model për të tjerët

Lehtësia për të promovuar Maqedoninë si model të një shteti multietnik burimin e ka tek pamundësia për ta dëshmuar të kundërtën e këtij argumenti, se, megjithatë, ka një model tjetër – Kosova, që me Pakon e Ahtisarit, i thyen të gjitha parametrat e mundshëm të analogjisë. Nëse Marrëveshja e Ohrit mund të konsiderohet si një dokument që arriti të neutralizoj plasaritjet e mëtejme ndëretnike, pas një konflikti dramatik në v. 2001, ky nuk është kurrfarë argumenti për të shpikur një fjalor të posaçëm politik i cili do të shpjegonte ekskluzivitetin e këtij dokumenti gjoja të pakrahasueshëm në arealin e konfigurimeve shumetnike.

Nëse i bëhet një krahasim sipërfaqësor të dy dokumenteve – Marrëveshjes së Ohrit dhe Pakos së Ahtisarit, do të mund të vërejmë një dallim kuantitativ e kualitativ të dimensioneve që rregullojnë raportin në mes të shumicës dhe pakicës, që rregullojnë çështjen e statusit të gjuhëve, statusit të bashkësive fetare, lidhjeve me shtetet amë, financimin dhe autonominë e komunave, funksionalitetin e institucioneve shtetërore në tërë territorin, karakterin unitar të shtetit etj.

Ahtisari mund t’i përshtatej më tepër Maqedonisë

Realiteti institucional në Kosovë, përmes Pakos së Ahtisarit, nuk e shpreh realitetin faktik në terren, sepse Kosova promovohet si shtet multietnik me një pakicë të papërfillshme serbe që në asnjë konventë ndërkombëtare nuk ka bazë argumentuese dhe analogjike. Ajo që në Pakon e Ahtisarit evidentohet si obligim për shumicën për ta lejuar përdorimin e gjuhës së pakicës, sepse gjuha serbe ka shtrirje territoriale në tërë Kosovën, ndoshta do të mund të gjente aplikim në Maqedoni, ku shqiptarët numerikisht dhe territorilialisht kanë një prezencë dhe shtrirje më të madhe se sërbet në Kosovë. Këtu, zaten bie edhe parimi i ekskluzivitetit dhe pakrahasueshmërisë së Marrëveshjes së Ohrit, si gjoja extra-model i vetëm që e ka rregulluar statusin e përdorimit të gjuhës shqipe.

Në Kosovë kishat dhe manastiret kanë status ambasade. Ekstraterritorialiteti i tyre promovon një model të paparë, që cenon jo vetëm kompaktësinë territoriale dhe karakterin unitar të Kosovës, por krijon parakushte të tmerrshme të segregimit të komuniteteve fetare, si një hap që më tepër e shkërmoq mozaikun ndëretnik se sa që e afron dhe e integron në një filozofi unike politike e institucionale.

Në Marrëveshjen e Ohrit vetëm Kisha Ortodokse Maqedonase njihet si bashkësi fetare zyrtare dhe me këtë formulim, sërish kjo marrëveshje nuk paraqet kurrfarë modeli për botën tjetër jashtë Maqedonisë.

Ku ndeshen Badenteri dhe Ahtisari?

Ushtria dhe policia e Maqedonisë kontrollon çdo cep të territorit, gjë që kjo nuk ndodhë në Kosovë. Jofunksionaliteti institucional i shtetit të Kosovës në tërë territorin nuk po ndodhë për shkak të mangësive që prodhon modeli shumetnik i Pakos së Ahtisarit. Përkundrazi, ky model në parim ka lënduar rëndë karakterin unitar të Kosovës, duke i dhënë kompetenca të pamerituara pakicës serbe, e cila në çfarëdo situate dhe konfigurimi demografik i ka të garantuara 20 vende në parlament.

Në Maqedoni, funksionon një mekanizëm tjetër – Badenteri, që parandalon majorizimin e pakicës nga shumica, por në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, shqiptarët nuk e kanë keqpërdorur këtë mekanizëm dhe nuk e kanë kuptuar si dhuratë, por, përkundrazi si produkt i një lufte të gjatë për demokraci e barazi.

Jofunksionalitet në Kosovë erdhi edhe për shkak të standardeve të dyfishta që përdori bashkësia ndërkombëtare , e cila ndryshe e trajtonte Kosovën me shqiptarë, e ndryshe Kosovën ku shqiptarët nuk guxonin të shkelnin me këmbë (veriu i Mitrovicës). Kjo qasje ndërkombëtare ( sidomos disa segmente të EULEX – it dhe më herët të UNMIK-ut) bëri që roli i Serbisë në Kosovë të fuqizohet dhe të merr atributet e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare në administrimin e Kosovës (rasti i strukturave paralele në veri të Mitrovicës).

Lejimi blanko i Serbisë të kontrollojë adiministrativisht (madje edhe në aspektin e sigurisë) veriun e Mitrovicës, nuk paraqet asgjë tjetër, pos leje për të hapur Serbia në Kosovë minibursa që do të vinin në ankand tokat e Kosovës.

Shqiptarët dhe serbët sipas Marrëveshjes së Ohrit dhe Pakos së Ahtisarit

Marrëveshja e Ohrit dhe Pakoja e Ahtisarit kanë prejardhje të ndryshme sa i përket shkak-pasojave që prodhuan finalizimin e këtyre dokumenteve. Marrëveshja e Ohrit erdhi si epilog i një lufte që bënë shqiptarët për të siguruar status të barabartë në Maqedoni. Pakoja e Ahtisarit erdhi si rezultat i kompromisit që bëri bashkësia ndërkombëtare për të kompensuar “fajin” që tregoi me rastin e pavarësimit të Kosovës. Derisa në Maqedoni kompromisi (Marrëveshja e Ohrit) ishte i brendshëm, në rastin e Kosovës kompromisi (Pakoja e Ahtisarit) ishte me Serbinë për të neutralizuar ambiciet e saja kundër shtetësisë së Kosovës, por jo edhe për të garantuar mosndërhyrjen e saj në sovranitetin juridik e territorial të Kosovës.

Sipas kushtetutës serbe, Kosova është ende pjesë e Serbisë dhe këtë agresion kushtetues nuk ka mundur ta parandalojë Pakoja e Ahtisarit, ashtu siç ka bërë Marrëveshja e Ohrit e cila shqiptarët i trajton (në preambulë) si pjesë e popullit shqiptar, që me automatizëm përjashton karakterin e autoktonisë së shqiptarëve në Maqedoni, e me këtë edhe çfarëdo lloj ambicie integraliste të shqiptarëve në Ballkan.

Për t’u konsideruar model një dokument a një marrëveshje, kërkohet të studiohen të gjitha rrethanat dhe kontekstet që mund ta bëjnë të veçantë atë model. Pastaj, po të ishte vërtetë model Marrëveshja e Ohrit, siç pretendojnë disa zyrtarë në Shkup, ai do të implementohej në tërësi dhe nuk do të përjetohej si “fatkeqësi elementare” për një pjesë bukur të madhe të popullatës joshqiptare. Tendencat e fundit për çmontimin e Maqedonisë së Ohrit, në fakt është shembulli më i keq i mosimplementimit të një marrëveshjeje, e kurrsesi model për të tjerët.

Shkup, 13 gusht 2024