Në një atmosferë të ngrohtë, kryetarja e Brunssum të Holandës , Wilma van der Rijt priti në takim drejtorin e Ansamblit shqiptar Shkodran Tolaj me ç’rast për së afërmi biseduan për sfidat në kulturën evropiane dhe të përbashkëtat e kombeve që mundësojnë krijimin e urave të bashkëpunimit siç po ndodh në festivalin “World Parade Brunssum” ku po ekspozohet një kolorit i jashtëzakonshëm i kostumeve në një harmoni të mrekullueshme me këngët dhe vallet nga 15 shtete të botës!
Znj. Rijt shprehu kënaqësinë e saj që për herë të parë në këtë festival ka përfaqësues nga Maqedonia e Veriut dhe shprehu përgëzimet më të sinqerta për prezantimin dhe performancat e trupës sonë që po bie në sy për paraqitjet unike dhe po konsiderohet si prurje në këtë edicion!
Ajo ndau dhurata për drejtorin z.Tolaj dhe shoqëruesit e tij Amir Mamutin- bashkëpunëtor për marëdhënie ndërkombëtare, Bali Saliu- vallëtar dhe Peme Hoxha- vallëtare në ansamblin tonë!
Në shenjë mirënjohje drejtori Tolaj i dhuroi plisin tonë kombëtar si simbol identifikues i ansamblit dhe audio CD- të ku në mënyrën më profesionale është e përfshirë kultura jonë dhe puna e ansamblit shqiptar!
Drejtori Tolaj i dhuroi edhe medaljen e Ansamblit që jepet vetëm për personalitetet e rralla të kulturës sonë dhe këtë medalje e la në Komunën Brunssum si shenjë e marëdhënieve dhe miqësisë së përhershme të popullit dhe artistëve holandezë me Ansamblin Nacional të këngëve e valleve popullore shqiptare në RMV!