Procesi i shteformësisë së shqiptarëve, është kapitulli i ri i marrëdhënieve në mes të dy popujve më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut. Pa rrumbullakimin e këtij procesi, perspektiva e Maqedonisë së Veriut do ti ngjante një fryti gjysmë të pjekur. Prandaj është koha që këtu të lind një Lëvizje për shteformimin e shqiptarve në Maqedoninë e Veriut.
Nga Emin AZEMI
Pasi të kenë kaluar këto përplasje identitare bullgaro-maqedonase, shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet t’i përveshin mëngët dhe të luftojnë për statusin e tyre shtetformues. Kjo për faktin se paradoksi i marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase qëndron tek mosdefinimi i pozicioneve që do të bënte diferencimin substancial në mes të lojalitetit blanko dhe kooperativitetit, në mes të statusit të qiraxhiut dhe statusit shtetformues. Shqiptarët në Maqedoni janë të shquar për një lojalitet gandist kundrejt politikave shtetformuese maqedonase, mirëpo, çuditërisht, nuk e kanë rrumbullakësuar për vete procesin e shtetformimit.
Logjika e segmenteve të caktuara të politikës shqiptare në Maqedoni për të zaptuar një copë pushtet në oborrin e kryeministrave maqedonas, ende pa ndodhur faktorizimi i vërtetë i shqiptarëve, ka degjeneruar kuptimin e përfaqësimit dinjitoz- institucional të tyre.
Sa iu shpagua shqiptarëve kostoja e lojalitetit, duke filluar nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta e deri më sot? Nëse në vitet nëntëdhjetë shqiptarët vepronin nën ombrellën e një kushtetute që nuk po e shprehte realitetin shumetnik të shtetit, po më vonë kur u bënë ndryshimet kushtetuese, si është i definuar statusi i shqiptarëve dhe a ka një shpërputhje në mes të luftës që ata bënë në 2001-shin dhe trofeve politikë të asaj lufte që shqiptarët megjithatë i rangon si pakicë kombëtare në të gjitha ligjet që dalin nga kushtetuta aktuale.
Nëse në vitet nëntëdhjetë Gligorovi u thoshte shqiptarëve: rrini urtë, mos kërkoni shumë, se po e irritoni VMRO-në nacionaliste, tani shqiptarëve u thuhet gati e njëjta gjë, por me një konotacion dhe ambalazh tjetër.
Tani u thuhet shqiptarëve se duhet të rrinë urtë sepse rrymat proruse dhe pro-serbe e shfrytëzojnë këtë si adut për ta destabilizuar Maqedoninë dhe, për pasojë, për ta rrezikuar kauzën e saj evropiane. Lojaliteti i shqiptarëve përdoret si terapi gjeopolitike, sepse vetëm shqiptarët qenkan ata që po i përcaktokan kauzat evropiane të shtetit! Madje, me çmim që ata të jenë ekstremisht lojalë, ndërkohë që autorët dhe redaktorët maqedonas, në librat e tyre shkollorë, pa fije turpi dhe papengueshëm, mund t’i trajtojnë shqiptarët si ardhacakë dhe si uzurpatorë.
Në njërën anë shqiptarëve u kërkohet të jenë lojalë ndaj shtetit të Maqedonisë, kurse, në anën tjetër, ata trajtohen si një trup i huaj i këtij shteti. Madje, shqiptarët “ardhacakë” dhe si “uzurpatorë”, siç quhen në librat e shkollarëve maqedonas, qenkan përcaktuesit gjeopolitik të Maqedonisë evropiane (!).
Tani thuhet se janë bërë ndryshime kushtetuese, por shqiptarët sërish nuk janë një komb shtetformues në Maqedoninë e Veriut. Janë avancuar shumë çështje, siç është çështja e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe dhe ajo e përfaqësimit adekuat, por të gjitha këto çështje nuk janë bërë kategori kushtetuese. Mjafton të shikohet Ligji për Shtetësi ku kusht për marrjen shtetësisë së Maqedonisë është njohja e gjuhës letrare maqedonase (!).
Askund nuk përmendet gjuha shqipe dhe, për pasojë, plot shqiptarë janë refuzuar të pajisen me shtetësi vetëm sepse nuk e kanë zotëruar mirë (me shkrim dhe me gojë) gjuhën letrare maqedonase. Sikur gjuha shqipe të ishte kategori kushtetuese, shqiptarët do ta merrnin me automatizëm shtetësinë e Maqedonisë, por kjo nuk po ndodh, sepse sovraniteti shtetëror ende buron nga shtylla shtetformuese e popullit maqedonas. Shqiptarët e Maqedonisë aktualisht ndodhen në mes të të drejtave ligjore dhe kufizimeve kushtetuese. Sikundër dihet, kushtetutshmëria e një të drejte është më e lartë se ato që definohen me ligje, sepse këto të fundit dinë të jenë edhe kontradiktore dhe me shumë dubioza, siç është, bie fjala, Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, në të cilin askund nuk përmendet gjuha shqipe, për arsye të boshllëqeve kushtetuese, kështu që shqiptarët, megjithatë, rangohen si qytetarë të rendit të dytë, pas maqedonasve, të cilët janë shtylla e kombit shtetformues.
Në planin praktik kjo është lehtësisht e vërejtshme dhe e prekshme, madje edhe tepër eksplicite, për arsye se liderët maqedonas, bie fjala, mund të takohen kur t’u teket dhe të vendosin si t’u teket, pa marrë mundin që për këtë të kenë edhe miratimin paraprak të politikanëve shqiptarë. Ky miratim mund të vijë post-festum, por kjo flet për diçka tjetër.
Për çka flet kjo? Kjo flet se maqedonasit e shohin veten si shtyllë të kombit shtetformues, kurse shqiptarët i shohin si mbështetës të këtyre shtyllave. Në dipotrinë maqedonase, shqiptari duhet të jetë ekstremisht lojal ndaj shtetit (të maqedonasve) dhe ata (maqedonasit) vendosin se sa të drejta (ose sa kilogram të drejta) duhet t’i kenë shqiptarët. Të drejtat e shqiptarëve aktualisht u ngjasojnë marrëdhënieve në mes të shitësit dhe blerësit që blen mall me veresi. Ky i fundit, për të mos hyrë më shumë borxh, është i detyruar që groshën të mos e blejë me kilogram, por kokrra-kokrra, shalqirin ta blejë me flegra, kurse akulloren ta shijojë duke e lëpirë xhamin e ëmbëltores.
Në dioptrinë maqedonase në Maqedoni, nuk jeton kombi autokton shqiptar, por “një pjesë e kombit shqiptar” që ndodhet diku, jashtë territorit të Maqedonisë. Kjo i bie që shqiptarët në Maqedoni, pasi që janë pjesë e kombit shqiptar, janë ca kalimtarë të rastit që i kanë hapur çadrat dhe përkohësisht janë vendosur në tokën e “shenjtë maqedonase”.
Me fjalë të tjera, shqiptarët, sipas Kushtetutës aktuale, e kanë statusin e banorëve nën çadra me stacionim të përkohshëm, kurse madhësia e çadrave si edhe hapësira që zënë ato aktualisht përcaktohen me ligj.
Në dioptrinë maqedonase nuk ka gjuhë zyrtare shqipe në Maqedoni, por ka një popullatë prej 20 për qind që e flet atë gjuhë. Nesër me iu tekë romëve me u bë 20 për qind, komod mund ta përdorin zyrtarisht gjuhën e tyre, sepse këtë ua garanton ligji.
Procesi i shteformësisë së shqiptarëve, është kapitulli i ri i marrëdhënieve në mes të dy popujve më të mëdhenj në Maqedoninë e Veriut. Pa rrumbullakimin e këtij procesi, perspektiva e Maqedonisë së Veriut do ti ngjante një fryti gjysmë të pjekur, dhe garës se kush do të arrinte të vjelë sa më shumë fruta të pjekura. A ka rrezik që shqiptarëve sërish t’iu mpihen dhëmbët për shkak të ofertave gjysmake në kopshtin evropian me fruta (të kontrabanduara) ballkanike?
Prandaj është koha që këtu të lind një Lëvizje për shteformimin e shqiptarve në Maqedoninë e Veriut.
Shkup, 01. 06. 2024