• Today is: Thursday, October 10, 2024

PARA NËNTË (9) VITEVE KUMANOVA GDHIU ME ZHURMË HELIKOPTERËSH DHE BRESHËRI PLUMBASH, ENDE DERI MË SOT KANË MBETUR TË PASQARUARA SHUMË DETAJE RRETH KËSAJ NGJARJEJE

fakti
May09/ 2024

Sot është 9 maji dhe pikërisht në ditën e sotme, para 9 viteve, në Kumanovë ndodhi një ngjarje e çuditshme e cila deri sot nuk u sqarua plotësisht se pse ndodhi dhe kush e organizoi. Dënime drakonike  mori vetëm grupi që ishte pjesëmarrës në përpleshjet e Kumanovës, por jo edhe organizatorët, të cilët ende shëtiten të lirë, ndërkohë ata mundet sërish të organizojnë ndoinjë ‘spekakël’ të tillë të përgjakshëm.
Mbi këto ngjarje kam shkruar disa shkrime, por kësaj radhe për lexuesit e Gazetës FAKTI po i ribotoj vetëm tre prej tyre, të cilët ishin publikuar në datat 9 , 26 maj 2015  si dhe 14 tetor 2018.

 

Nga EMIN AZEMI

 

Kumanovë, 9  maj, 2015 – Kumanova sot gdhiu në një panik të paparë. Të gjithë ne që ndodheshim në këtë qytet, mundëm nga afër të ‘’prekim’’ psikozën e një atmosfere lufte. Detonime të fuqishme, kalibra armësh nga më të ndryshmet.

Mbi qiell pati edhe helikopterë. Breshëria e të shtënave kishte prishur sidomos gjumin e fëmijëve. Ata nuk e kishin ditur se sërish dikush do t’ua prish gjumin.
Sërish, dikush do të kujdeset që pikërisht në këtë zonë, të banuar me njerëz të urtë e hallexhinjë, të sprovojë edhe njëherë durimin e tyre.
Kumanova sot u rizgjodh sërish për të eksperimentuar armatimin dhe municionet e blerë taze nga shteti, por nuk e kemi ende të qartë se kundër kujt sot luftoi shteti i Maqedonisë.

Banorët përreth shtëpive ku u zhvillua përleshja nuk kanë lidhje me atë se çka ka ndodhur. Askush nuk di të tregojë se kush janë njerëzit misterioz kundër të cilëve sot u shkrepën gjithë ato armë dhe u zhvillua gjithë ajo përleshje mbi dy orëshe.

Pse pikërisht sot Kumanova edhe njëherë u zgjodh të jetë ‘’fole qyqesh’’ dhe pse pikërisht kjo zonë e qetë u piketua si një fushëbetejë absurde. Nuk e kemi të qartë se kush i solli ‘’vezët e qyqes’’ në këtë qytet, por një është e qartë se kushdo që të jenë ata, që sot iu futën kësaj aventure diletante, i kanë bërë një shërbim kolosal regjimit aktual, duke ia zgjatur jetën për aq sa atij do t’i duhet t’i realizojë edhe skenaret tjera. Të realizojë atë që paralajmëruam ditë më parë,:

1. T’i mbyllet goja opozitës maqedonase, që ajo të mos dominoj hapësirën publike me të vërtetën e saj për babëzitë e pushtetit.

2. Që shqiptarët në vend se të kthjellen dhe të konsolidohen për një ristrukturim të ri politik, ata tash duhet të mbrohen nga sulmet për vepra e trilluara subverzive kundër shtetit.

3. Opinioni publik maqedonas të homogjenizohet rreth idesë megalomane të Gruevskit për ruajtjen e Maqedonisë nga ‘’tradhtarët’’ maqedonas dhe ‘’bashkëpunëtorët’’ e tyre shqiptarë
Asnjë shqiptar në Kumanovë nuk ishte i rrezikuar nga askush që të ketë nevojë dikush prej anësh të vijë dhe t’i ‘’mbrojë’’ ata. Asnjë shqiptar në këtë qytet nuk pati nevojë që dikush të futet në shtëpinë aty afër dhe prej aty të zhvillojë njëfarë ‘’lufte heroike’’ ala Vojo Kushi kundër shtetit të Maqedonisë.

Адвокатите тврдат дека полицијата ги малтретирала обвинетите од Диво Насеље - Призма

Kush deshi edhe njëherë këtë popullatë ta paraqesë kaq pa tru dhe kaq jointeligjente. Pse ka nevojë që tash zëdhënsit policorë ta tregojnë versionin e tyre për këtë aksion misterioz, ndërkohë që asnjë burim tjetër jozyrtar nga ana e shqiptarëve, madje edhe nga ata që supozohet se sot luftuan me shtetin e Maqedonisë, nuk po arrin të zbardh ndonjë detaj se çka në të vërtetë sot ndodhi në orët hershme të mënghjesit në Kumanovë.

Duke qenë viktimë vetëm të një vërtete që na servon shteti, shqiptarët, jo vetëm të Kumanovës, në mungesë të një truri politik shqiptar këtu, do të përdoren edhe gjatë kohë si pëluhurë toreadorësh për të mashtruar demin e harlisur, që pamëshirshëm shkel mbi fatet e qindra mijëra njerëzve.

Dikush, nesër, do të duhej ta paguaj tagrin e këtij mashtrimi.
Në Kumanovë sot pati shumë krisma, por ato nuk arritën të shurdhojnë vetëdijën e kësaj popullate e cila është e bindur se edhe këtë mëngjes maji dikush deshi ata t’i qeras me një omlet ‘’vezë qyqesh’’.

Vetëm terroristët vrasin pengje
(26 maj 2015)

Kumanova Luftime 9 maj 2015 - YouTube

Nëse del e vërtetë ajo që po dyshohet se forcat e sigurisë maqedonase i kanë ekzekutuar disa nga të dorëzuarit në Kumanovë, atëherë s’do mend se këtë shëmti do të duhej ta kualifikojmë si terrorizëm, sipas të gjitha normave e konventave, sepse vetëm terroristët vrasin pengjet dhe njerëzit e dorëzuar, e të lidhur me duar prapa.

Një shtet që nuk arriti ende ta kompletojë dinjitetin e vet karshi botës, që u bë aq qesharak me historinë e emrit të tij, ja që paska arrit të ruajë njëfarë trimërie trumcaku ndaj të dorëzuarve. Këta trumcakë të glacuar, që më 9 dhe 10 maj të këtij viti u munduan të nxjerrin njëfarë gjoksi të zaift para pengjeve të tyre, në fakt treguan se sa të mjerë janë në përpjekjet e tyre për ta mbuluar arrogancën me frikë.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut në Kosovë ka dyshime se disa prej viktimave të Kumanovës janë vrarë pasi janë dorëzuar. KMDLNJ bazohet në dëshminë e dëshmitarëve që kanë marrë pjesë në luftime dhe që kanë treguar se disa nga të vrarët kanë qenë gjallë në momentin e dorëzimit dhe janë shpallur të vrarë më pas.

Dyshimet i shtojnë edhe fotot e publikuara në media në të cilat mendohet se janë Beg Rizaj dhe Mirsad Ndrecaj në momentin e arrestimi nga Policia maqedonase.

E kemi ditur që nga viti 2001 se sa trima janë njerëzit me uniformë , por se paskemi ditur që janë aq qyqar e zuzar, sa të ekzekutojnë ata që nuk arritën të munden në një fushëbetejë burrash. Prandaj, këta që vranë burra duarlidhur, nuk meritojnë të quhen njësi speciale, as të mbajnë nofkën e ndonjë kafshe të rrezikshme, siç është tigri, bie fjala. Ata lirisht le të heqin dorë nga barra e të qenit njësi elite, sepse nuk shkojnë bashkë edhe etika profesionale edhe qyqarllëku. Në asnjë doktrinë ushtarake nuk shkruan se të dorëzuarit duhet të ekzekutohen, prandaj këta qyqana u bënë shkelës të një etike që s’e kishin zotëruar ende mirë.

Urdhri për të vra të dorëzuarit në Kumanovë, burimin e ka te hakmarrja dhe urrejtja, mirëpo asnjëherë nuk kanë fituar ata që kanë urrejtje të tepruar. Mirsadi dhe Begu, ndonëse u vranë pasi u dorëzuan, ata dëshmuan se paskan patur dhjetëfish epërsi ushtarake kundrejt ”tigrave” të trembur nga hija e burrave duarlidhur. S’paska më keq se në front të dërgosh gjoja njësi speciale që i mbushin pantallonat ende pa përfunduar beteja. Në Kumanovë njësitë e ashtuquajtura elite u bënë helaqë përballë një grupi të vogël djemsh shqiptarë. Vetëm ata që gabimisht e projektojnë armikun mund të përfundojnë në xhuxhë të mjerë që nisen trima e përfundojnë vrasës ordiner të pengjeve duarlidhur.

“Grupi i Kumanovës” në kafazin e “zogjëve grabitqarë”
(14 tetor 2018)

Etiketa më shpërdoruese që është dëgjuar këto vitet e fundit, ka qenë fjala terrorist, që me lehtësi të madhe iu është veshur individëve të caktuar shqiptarë. Por, ekspertizat, sado që kanë qenë të sajuara dhe dirigjuara, asnjëherë nuk kanë arritur të sjellin argumente bindëse se bëhet fjalë për ndonjë veprimtari terroriste të personave, të cilët në momente kritike mund të kenë qenë në ndonjë “vend të gabuar”.

Targetimi i “grupit të Kumanovës” me kualifikimin “terrorist”, që lidhet me ngjarjet e 9-10 majit, 2015, është shmangia më elegante e institucioneve të drejtësisë për të trajtuar këtë grup me terma adekuat, që do të ishin larg përkufizimeve aktuale.

Gjyqësori në Maqedoni ka shumë punë të pakryera edhe sa i përket semantikës së kualifikimit të ngjarjeve. Në procesin e skriningut do të duhej të përfshihet edhe kjo çështje, sepse pretendimi për të qenë një ditë pjesë e BE nënkupton edhe flakjen e nebulozave terminologjike.

Rasti i këtyre djemve të ardhur nga Kosova në Kumanovë, para tri vjetëve, ka prodhuar një triler tragjik që më tepër ka karakter të papërgjegjësisë së kombinuar institucionale e individuale, se sa të ndonjë ngjarjeje me konotacion terrorist. Ata u zunë në befasi, gati në gjumë, dhe asnjë ekspertizë nuk ka provuar të na bindë se qëllimi i tyre ishte të vrisnin ndonjë person. Rrethanat e ndodhjes së tyre në “vend të gabuar” dhe “kohë të gabuar” mund të diskutohen, por akti final i aktiviteteve të tyre nuk ka qenë terrorizmi, siç po pretendojnë prokurorët dhe gjykatësit e këtij rasti.
Тензична атмосфера на седницата во случајот „Диво насеље“ | Balkan Insight

Në logjikën juridike të një shteti, siç është Maqedonia, që ndodhet ende brenda traditave sovjetike të manipulimit me fakte e prova, rastet si ky gjithmonë marrin ngjyrim misterioz me konotacion të konspiracionit, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të humben gjurmët se kush e konstruktoi këtë ngjarje, dhe cilët ishin ideatorët dhe frymëzuesit e kësaj aventure tragjike. Me vetë faktin se në seancat gjyqësore munguan një pjesë e madhe e të apostrofuarve si dëshmitarë të drejtpërdrejt, që u kërkuan nga të akuzuarit, është e mjaftueshme për të kuptuar se ky proces gjyqësor u ngrit mbi një padrejtësi të madhe.

Ngjarjet e 9 dhe 10 majit 2015 nuk ndodhën vetvetiu, në mënyrë stihike. Ato dikush i ka ideuar dhe organizuar. Madje kjo punë u bë me bashkëpjesëmarrje. Plot individë nga Maqedonia dhe nga Kosova u kujdesën që këto ngjarje të kenë efektin dhe kontekstin e tyre. Mirëpo jo të gjithë individët u penalizuan për veprimet e tyre. Disa humbën jetën, të tjerët u burgosën me qindra vite burg dhe jo pak u dënuan me burgime të përjetshme. Por, të gjithë këta nuk kanë qenë vetëm dhe është iluzore të mendohet se veprimet e tyre nuk e kishin njëfarë parapërgatitje dhe njëfarë koordinimi.

Mirëpo çka ndodhi? Jashtë burgut mbetën ata individë që i organizuan ngjarjet e Kumanovës? Në Kumanovë, më 9 dhe 10 maj ranë disa idealistë shqiptarë, që gabimisht u futën në agjendat e matrapazëve shtetërorë të Shkupit e Prishtinës dhe është për t’u habitur se si kjo e vërtetë vazhdon të mbetet disi e pluhusorur me tisin e misteriozitetit dhe paqartësisë. Fatkeqësisht jo pak njerëz vullnetmirë në Kosovë më me rëndësi e kishin t’i shpallnin heronj këta djem që ranë në Kumanovë, se sa të çjerrnin maskën e harbutëve të gjithë atyre që i futën këta djem në gërshërë, në një rrugicë qorre të një lagjeje të varfër të Kumanovës, aty ku idealistët e kishin mendu të hyjnë, por kishin qenë matrapazët dhe harbutët ata të cilët e kishin mendu mosdaljen nga kjo rrugicë. Në rrugët pa dalje hyjnë ose njerëzit që nuk i njohin taktikat e luftës guerile, që nuk ishte në rastin e “grupit të Kumanovës”, ose në ato rrugë të fut dikush, me premtimin se “lehtë ia bëjmë, mjafton të shkrepen disa rafale…”.
Осум години од нападот во Диво насеље – DW – 9.05.2023

Nëse ngjarjet e përgjakshme të Kumanovës lihen kështu, të pasqaruara dhe të pa ndriçuara deri në fund, atëherë i bie që turli kastraveci i shërbimeve sekrete mund të kurdis, pa i munguar as një qime floku, çfarëdolloj “spektakli” dhe për këtë politika të hesht dhe të mos kërkojë llogari për autorët e atij “spektakli”. Nëse politika legale nuk reagon ndaj deformimeve që vijnë prej njerëzve të shërbimeve sekrete, atëherë ajo politikë është bashkëpjesëmarrëse në ato ngjarje, duke iu dhënë madje edhe legjitimitet institucional. Në shtetet demokratike, madje edhe kryeministrat dhe presidentët tërhiqen nga skena politike, kur opinioni publik zbulon dallaveret e tyre, sidomos të atilla që lidhen me skenarë shtetërorë për të futur njerëz të pafajshëm në kurth. Çka na qenkan kaq të rëndësishëm këta persona të shërbimeve sekrete që nuk nxirren para drejtësisë në mënyrë që shërbimet ku ata punojnë të lirohen nga hipotekat dhe dyshimet për veprime të paligjshme dhe tejet johumane. Cilat qenka ato “sekrete shtetërore” që nuk po bëkan të dalin në gjykatë dhe pse Parlamenti i Maqedonisë (Komisioni përkatës) nuk u mor asnjëherë me ato sekrete?

“Ngjarjet e Kumanovës” duhet ti kalohen Prokurorisë Speciale Publike dhe të ndahet njëherë e përgjithmonë fajësia e atyre që erdhën pa e ditur se ku po vijnë, e që morën dënime kapitale, dhe e të tjerëve që e dinin saktësisht epilogun dhe efektin e këtyre ngjarjeve, e që aktualisht janë më të lirë se zogjtë e malit. Përderisa të mos futen në kafaz këta zogj grabitqarë, nuk mundet të flitet për kurrfarë ekspertize, qoftë ajo kombëtare a ndërkombëtare dhe “ngjarjet e Kumanovës” do të vazhdojnë të mbeten një gropë e thellë, e mistershme, ku secili e ka luksin të projektojë konspiracionet e veta.

Amnistia, fundja, është e pashmangshme për gjithë ata që bien pre e manipulimeve shtetërore.

Teрористите од „Диво насеље“ бараат групна екстрадиција во Косово - Република