• Today is: Sunday, November 24, 2024

Dy bythë kali

fakti
July13/ 2023

Nga Nadisha Sonali Fonseka

Gjëra të çuditshme në një botë që s’merret vesh

Në Amerikë, dhe kudo në botë, gjerësia standarde e hekurudhës (largësia midis shinave) është 4 këmbë, 8.5 inç (1m., 43cm). Numër i pazakontë, apo jo? Përse pikërisht kjo gjerësi? Sepse me këtë gjerësi u ndërtuan hekurudhat e para në Angli, ndërkohë që ishin inxhinierët anglezë ata që ndërtuan edhe hekurudhat e para në Amerikë. Po anglezët, përse i kishin ndërtuar të vetat me këto përmasa?

Sepse trenat dhe hekurudhat e para u ndërtuan nga të njëjtët njerëz që deri atëherë kishin ndërtuar rrugët e tramvajeve të parë, dhe ata kishin përdorur pikërisht këtë gjerësi. Po përse e kishin përdorur pikërisht këtë gjerësi? Sepse njerëzit që ndërtuan tramvajet e parë përdornin të njëjtat vegla dhe të njëjtat përmasa që ishin përdorur përpara për karrocat, të cilat përdornin të njëjtën hapësirë midis rrotave.

Përse e kanë pasur të gjitha karrocat të njëjtën largësi midis rrotave? Sepse po të përdornin largësi të ndryshme, atëherë rrotat do t’iu prisheshin kur të kalonin në vragat e rrugëve ku kishin kaluar rrota me përmasa të përcaktuara më pare. Rrotat me largësi standarde nga njëra tjetra krijojnë vragë në rrugë. Po kush i ka ndërtuar këto rrugë me vraga të përcaktuara?

Rrugët e para të gjata përmes Evropës (duke përfshirë edhe ato të Anglisë) i ndërtoi Perandoria Romake. Të njëjtat rrugë të ndërtuara nga romakët përdoren edhe sot. Po vragat në rrugë? Ato janë lënë fillimisht nga karrot ushtarake romake. Më vonë, kushdo që donte t’i shfrytëzonte rrugët, duhet t’ia përshtaste largësinë midis rrotave të karrocës këtyre vragave, përndryshe rrezikonte të prishte rrotat.

Të gjitha qerret dhe karrocat e prodhuara në Romën e lashtë kishin të njëjtën gjerësi midis rrotave, pavarësisht nga modeli. Të gjitha karrocat dhe qerret e prodhuara që nga ajo kohë kanë gjithashtu të njëjtën largësi midis rrotave. Prandaj edhe në Shtetet e Bashkuara sot largësia midis shinave është 4 këmbë, 8.5 inç, një përmasë e diktuar nga karrot ushtarake romake.

Burokracitë nuk vdesin kurrë. Prandaj, kurdo që t’iu bjerë rasti të hasni në ndonjë proces/specifikim/procedure hekurudhe dhe të pyesni veten: “Kush ka qenë ai hajvan që e ka nxjerrë këtë përmasë?” mund të dalë që jeni shumë pranë të vërtetës. Sepse faktikisht ka qenë vërtet hajvan, jo një po dy.

Karrot e ushtrisë perandorake romake prodhoheshin aq të gjëra sa të përshtateshin me gjerësinë e bythëve të dy kuajve (Dy bythë-kali gjerësi).

Prisni, se s’ka mbaruar. Kur shihni anijet kozmike gati për t’u nisur, do të vini re dy raketa shtytëse ngjitur me rezervuarin e karburantit. Këto quhen shtytëse solide rakete (Solid Rocket Boosters – SRB), dhe prodhohen nga Thiokol, një uzinë në Utah.

Inxhinierët projektues të SRB do kishin dashur t’i bënin ato pak më të trasha, por SRB-të duhet të transportohen me tren nga Utah dhe hekurudha kalon përmes maleve dhe tuneleve. Tuneli është pak fare më i gjerë se hekurudha e cila, siç e dini tashmë, është dy bythë kali e gjerë.

Prandaj edhe projekti i anijes kozmike, që është ndoshta sistemi më i përparuar i transportit në botë, përcaktohet nga bythët e hajvanëve të dymijë vjetëve të shkuara. Prandaj sa herë që iu shkon mendja që hajvanët s’kanë rëndësi, kujtohuni që edhe sot botën e kontrollojnë bythët e hajvanëve. / Përkthyeu: Arben Kallamata

Burimi: Faqja Facebook Stranger Things in Stunning World