Viktimat janë dy nga Kumanova dhe një nga Krusheva.numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me Kovid-19 arrin në 1117.
Shkup, 17 prill/Gazeta FAKTI – Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se në Maqedoninë e Veriut, gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 36 raste të reja të të infektuarve me Kovid-19 dhe tre viktima.
Viktimat janë dy nga Kumanova dhe një nga Krusheva.
Janë regjistruar edhe 18 persona të shëruar, për çfarë nga Klinika e infektologjisë dhe gjendje febrile sot janë larguar 11 pacientë, nga Spitali i Dibrës janë larguar 2 pacientë, ndërkaq 5 pacientë të tjerë të shëruar kanë qenë në mjekim shtëpiak.
Nga rastet e reja, më së shumti ka Shkupi me 22, pas saj vjen Kumanova me 4 raste. Nga 3 raste janë regjistruar në Prilep, Strugë dhe Veles, kurse një rast është regjistruar në Manastir. Këto rezultate kanë dalë nga realizimi i 467 testeve.
Përfshirë statistikat e sotme, numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me Kovid-19 arrin në 1117.
Në anën tjetër, Kryetari I Komunës së Dibrës, Hekuran Duka ka kërkuar masa shtesë ekonomike nga Qeveria, pasi siç tha ai, është vënë në pikëpyetje ekzistenca e biznesit të vogël. Ai ka kërkuar masa ekonomike shtesë për Dibrën.
Tetovë, të ndërpritet transporti i udhëtarëve
Edhe nga Shtabi Komunal i krizës në Tetovë i kanë dërguar disa kërkesa Qeverisë. E para, që të ofrojë modus për asistencë financiare për të punësuarit e NJKTZ dhe NPK, të gjithë mjekët amë në teritorin e komunës së Tetovës të furnizohen më doreza,maska dhe mjete dezinfektuese,
“Duke marrë parasysh tendencën në rritje të rasteve me COVID19 në komunën e Tetovës dhe komunat përreth kemi kërkuar nga Qeveria e RMV ndërprerje të plotë të transportit të organizuar të udhëtarëve mes komunave në rajonin e Pollogut, i cili kryesisht realizohet me autobusë dhe furgonë. Masa e kufizimit dhe ndërprerjes së transportit të organizuar të qytetarëve të bëhet sipas shembullit të komunës së Kumanovës”, thonë nga Komuna e Tetovës.
Nga kjo Komunë kanë përsëritur thirrjen deri te Banka Popullore, që të obligojë të gjitha bankat komerciale në komunën e Tetovës të adaptojnë orarin e punës në këtë gjendje të jashtëzakonshme, dhe të gjejnë modus për pagesën e pensioneve me qëllim që të moshuartit të mos grumbullohen para pikave pagesore.
Qytetarët po përgatiten për izolimin më të gjatë
Tregjet e vendit përfshi edhe atë të “Bit Pazar-ir” në Shkup por edhe thuajse të gjitha marketet e vendit sot janë më të frekuentuara se zakonisht. Qytetarët po përgatiten për izolimin më të gjatë në shtëpi që kanë kaluar ndonjëherë. Ora policore që hyn në fuqi sot nga ora 16:00 do të përfundojë të martën në ora 05:00 të mëngjesit. Kjo masë që ka për qëllim të parandalojë përhapjen e koronavirusit, nuk është pritur mirë nga të gjithë qytetarët edhe përkundër që ka prej tyre që e mbështesin këtë masë dhe apelojnë edhe tek të tjerët që të respektohet.