• Today is: Sunday, November 24, 2024

SERBIA NË FOKUS TË INVESTIMEVE GJERMANE

fakti
July09/ 2023

Pavarësisht se Gjermania ka deklaruar zyrtarisht se ka hyrë në recesion, kompanitë gjermane në Serbi, në përgjithësi do të vazhdojnë të investojnë në Serbi dhe premtojnë të rrisin numrin e të punësuarve me rreth 30% vitin e ardhshëm.

Kompanitë gjermane dhe serbe, anëtare të Odës Ekonomike Gjermano-Serbe, e kanë vlerësuar pozitivisht klimën ekonomike në Serbi dhe pavarësisht krizës aktuale, 87% e kompanive të anketuara do të investonin sërish në Serbi.

Tash së fundmi, një prodhues gjerman i automobilave, i paidentifikuar, planifikon të ndërtojë një fabrikë në komunën perëndimore të Serbisë, të quajtur Cacak, një investim me vlerë të paktën 90 milionë euro (98 milionë dollarë), tha presidenti Aleksandër Vuçiç.

Kompania planifikon të hapë terren për fabrikën në tetor, tha Vuçiç në një postim në Instagram, të hënën.

Kompania do të punësojë 800 punëtorë në fabrikë, shtoi ai.

“Deri në verën e ardhshme, ne do të marrim pjesë në hapjen e kësaj fabrike të madhe, e cila do të thotë shumë, jo vetëm për qytetin tonë, por edhe për të gjithë Serbinë”, tha kryebashkiaku i rrethit Cacak, Milun Todorovic.

Hapësira e prodhimit dhe e zyrave, që shtrihet në rreth 60,000 m2, do të ndërtohet në disa faza, shtoi Todorovic.

Muajin e kaluar, prodhuesi japonez i motorëve elektrikë, Nidec Corporation, hapi një fabrikë në qytetin verior Novi Sad.

Në shkurt dhe mars të këtij viti, Oda Ekonomike Gjermano-Serbe, kreu një anketë për mjedisin e biznesit në Serbi. Rezultatet e fundit tregojnë se kompanitë gjermane kanë ende besim në Serbi si destinacion investimi, pavarësisht sfidave që lidhen me gjeopolitikën dhe ekonominë globale.

Vlerësimi i tyre për situatën ekonomike në Serbi për vitin 2023 nuk është përkeqësuar. Përkundrazi, optimizmi në ekonominë serbe po rritet sërish. Pothuajse gjysma e kompanive të anketuara (47%) e vlerësojnë biznesin e tyre si të mirë dhe vetëm 6% si jo mjaftueshëm të mirë. Parashikimet e biznesit për këtë vit janë optimiste dhe vetëm 7% e të anketuarve kanë frikë nga përkeqësimi.

Kur bëhet fjalë për zhvillimin e biznesit dhe punësimin shtesë në vitin 2023, 45% e kompanive të anketuara planifikojnë të rrisin numrin e të punësuarve, 52% e kompanive do të mbajnë të njëjtin numër punonjësish, ndërsa vetëm 3% e të anketuarve parashikojnë se do të ulet numri i të punësuarve në kompanitë e tyre. Ky rezultat tregon se kompanitë gjermane do të vazhdojnë të krijojnë vende të reja pune në Serbi.

34% e kompanive të anketuara planifikojnë të rrisin investimet në vitin 2023, ndërsa 13% kanë paralajmëruar investime më të ulëta. Në vlerësimin e faktorëve që ndikojnë në biznesin në Serbi, më keq u vlerësuan disponueshmëria e fuqisë punëtore, lufta e dobët kundër korrupsionit dhe krimit, qëndrueshmëria politike dhe sociale, si dhe transparenca në tenderët publikë.

Kriteret që lidhen me tregun e punës në Serbi, morën nota të kënaqshme nga kompanitë gjermano-serbe, d.m.th. kompanitë gjermane janë të kënaqura me kualifikimin, produktivitetin dhe gatishmërinë e punonjësve për të punuar.