Rama kuptoi më në fund nga miku i tij Vuçiq se roli i tij në zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës, është zero, sepse Vuçiqi tha se askush tjetër, përpos Serbisë, nuk ka të drejtë të merret me Draft statutin e Asociacionit. Merreni me mend çfarë roli mund të ketë në të ardhmen Rama, nëse guxon të hap çështjen e diskrimimit të çdoditshëm të shqiptarëve në jug të Serbisë
Nga Emin AZEMI
Edi Rama në Beograd ishte një tjetër, nuk ishte ai Edi Rama i batutave e “zajebanciave”. Miku i tij Vuçiqi ia dha një dush të ftoht në fund të konferencës për shtyp.
“Ne në Serbi kumbarët i zgjedhim vet dhe nuk lejojmë të na i imponojnë të huajt”, ishte kjo replika e Vuçiqit me Ramën, duke ia kundërshtuar këtij të fundit shprehjen “kumbar” që i referohej Sholzit dhe Macronit.
Vuçiqi me këtë rast ia mbajti edhe një leksion të vogël Ramës, duke ia bërë me dije atij se askush tjetër, pos Serbisë, nuk mund të hartoj Draft-statut për Asociacionin e komunave serbe në Kosovë.
Vuçiqi e nxori keq Ramën, p;r pak sa njuk ela lakuriq…
Rama në Beograd kësaj radhe nuk shkëlqeu… Shkëlqimi i tij kishte ngelur diku brigjeve të Bjeshkëve të Nemuna….
Llafollogjia dhe batutologjia e tij kësaj radhe doli të kenë barotin e lagur, sepse “mentalni sklopi” i tij përkon me një sindrom që disa politikanë të Tiranës e shfaqin në formë të një kompleksi inferioriteti, të një sjellje me edukatë ekstremisht naive ndaj politikanëve serbë.
Një ditë para se ta takoj Ramën, Vuçiçi bëri të ditur se Serbia kërkon organizimin e një sesioni urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, sepse sipas tij “në Kosovë po kryhet një aksion i pogromit, persekutimit dhe spastrimit etnik të serbëve, i cili është mirë i organizuar dhe i mbështetur nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Ne duam të veprojmë në përputhje me Rezolutën 1244 dhe në përputhje me normat e së drejtës publike ndërkombëtare. Duke pasur parasysh se jeta e serbëve në Kosovë po kërcenohet, ne do të kërkojmë një seancë urgjente e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por fillimisht do të kërkojë një bisedë urgjente me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg, për të treguar situatën”, ka thënë Vuçiçi.
Manovrimet e Vuçqit tash më janë të njohura. Para se të ndërmerr ndonjë aksion të çmednur, ai gjithmonë vishet me rrobat e viktimës, duke përdour “vuajtjet” e serbëve në Kosovë si pretekst për të ndaluar të gjitha eksportet e municioneve.
“Serbia nuk po përgatitet për asnjë luftë, por është e gatshme të shpëtojë jetën e njerëzve të saj. Po shqyrtojmë mundësinë e nënshkrimit të një vendimi për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit nga Serbia, si dhe të çdo arme sepse interesi jetik kombëtar i Serbisë është i kërcënuar” Vuçiqi dhe shtoi se Serbia do ta shqyrtojë kërkesën e Listës Serbe, për shpalljen e njësive speciale të Policisë së Kosovës organizatë terroriste.
Për dallim nga qëndrimi denigrues i Ramës kundrejt Kurtit, Vuçiqi ka një qëndrim krejt tjetër ndaj Listës Serbe, duke e përdorur këtë të fundit si instrument të politikave të tij hegjemoniste. Idetë e tij acaruese mbi Kosovën, Vuçiqi shumë komod i transmeton përmes Listës Serbe, kurse Rama idetë i Kurtit i deformon, duke i përdorur ato si shantazh në koluare ndërkombëtare, ku, siç po spekulohet, po përgatitet edhe shpallja “non grata” e kryeminstrit të Kosovës.
Rama ka kritikuar hapur Kurtin për qëndrimet politike që po mban kundrejt situatës në veri të Kosovës, duke luajtur madje edhe rolin e ndërkombëtarit, një detyrë që askush s’ia kishte dhënë.
Por, pas kësaj përplasje me Vuçiqin në Beograd, ai do të duhej të nxjerrë të paktën dy mësime:
– e para, e kuptoi më në fund nga miku i tij Vuçiq se roli i tij në zgjidhjen e çështjes së veriut të Kosovës, është zero… sepse Vuçiqi tha se askush tjetër, përpos Serbisë, nuk ka të drejtë të merret me Draft statutin e Asociacionit…. Merreni me mend çfarë roli mund të ketë në të ardhmen Rama , nëse guxon të hap çështjen e diskrimimit të çdoditshëm të shqiptarëve në jug të Serbisë….
– e dyta, kjo qasje vardisëse e Ramës ndaj diplomatëve joparimorë të Perendimit sa i përket çështjes së Kosovës, nuk gjeti mirëkuptim në Beograd, sepse Vuçiqi ia bëri të ditur atij se “kumbarët i zgjedh vet”, që i bie se ai nuk pranon imponim kumbarësh, siç e tha edhe vet, apo më troç, Vuçiqi ia bërë me dije Ramës se nuk i pranon diktatet e diplomatëve të huaj sa i përket Kosovës….
Rama vërtetë nuk u prit nga Kurti në Prishtinë, por darka e Beogradit e shtruar nga “pobratimi” i tij pas disa “shqelmave” që i mori nga Vuçiqi, do të duhej t’i shërbejë atij si një apoteozë ku thyhen shtizat parimore e shtetërore, etike e patriotike në mes të Tiranës dhe Beogradit mbi Kosovën.
Darka e Beogradit kësaj radhe pati një shije tjetër. Pati shijen e një kumbarllëku të shpifur, ku rregullat e buzëqeshjes i cakton i zoti i shtëpisë, kurse vajin në buzë e mban peshqesh ai që nuk i njeh mirë serbët.
Shkup, 08 korrik, 2023