• Today is: Sunday, November 24, 2024

Ja sinjalet që po jep Vuçiqi se mund të plasë një konflikt i armatosur në Ballkan

fakti
July07/ 2023

Kosova dhe Serbia vijojnë përplasjet  në distancë. Tensionet mes këtyre dy shteteve vetëm sa janë shtuar. Pala serbe fajëson Albin Kurtin si ideatorin e kësaj situate, teksa paralajmëron se ky i fundit po përgatit likuidimin e serbëve në veri të Kosovës. Ditën e djeshme Vuçiç ka bërë sërish rolin e “viktimës” dhe ka zbuluar se Serbia kërkon organizimin e një sesioni urgjent të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Ai pretendoi se në Kosovë po bëhet spastrim etnik i heshtur në dëm të serbëve.

 

Me këtë qëndrim, ai tha se do ketë dhe një takim urgjent edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për të denoncuar atë që e quajti “një sulm të Kurtit ndaj popullatës serbe në Kosovë”.  “Në Kosovë po kryhet një aksion i pogromit, persekutimit dhe spastrimit etnik të serbëve, i cili është mirë i organizuar dhe i mbështetur nga një pjesë e komunitetit ndërkombëtar. Ne duam të veprojmë në përputhje me Rezolutën 1244 dhe në përputhje me normat e së drejtës publike ndërkombëtare. Duke pasur parasysh se jeta e serbëve në Kosovë po kërcenohet, ne do të kërkojmë një seancë urgjente e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Por fillimisht do të kërkojë një bisedë urgjente me kreun e NATO-s, Jens Stoltenberg, për të treguar situatën”, tha Vuçiç. Mirëpo si duket ky është vetëm një skenar i presidentit serb. Vuçiç nga njëra anë bën të ‘pafajshmin’ nga ana tjetër përgatitet për luftë. Ditët në vijim, Vuçiçi do të nisë zbatimin e planit të tij për të dërguar  një formacion të ushtrisë dhe forcave speciale të Serbisë në Kosovë.

Vuçiç sinjale për luftë

Vuçiç tha se nuk i shkon mendja të nisë një luftë kundër NATO-s, por dëshiron të marrë të gjitha masat për të mbrojtur popullin e tij. Kreu i shtetit serb ka njoftuar se javën e ardhshme me shumë mundësi do të ndalojë të gjitha eksportet e municioneve. “Serbia nuk po përgatitet për asnjë luftë, por është e gatshme të shpëtojë jetën e njerëzve të saj. Po shqyrtojmë mundësinë e nënshkrimit të një vendimi për ndalimin e eksportit të mëtejshëm të municionit nga Serbia, si dhe të çdo arme sepse interesi jetik kombëtar i Serbisë është i kërcënuar.” Vuçic tha, po ashtu, se Serbia do ta shqyrtojë kërkesën e Listës Serbe, për shpalljen e njësive speciale të Policisë së Kosovës organizatë terroriste. Presidenti serb njoftoi se vendimet do të merren në mënyrë të të përgjegjshme, dhe brenda 14 ditëve do të informohen edhe ndërkombëtarët.

Lëvizja nga Serbia

Vuçiç sqaroi se në seancën urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, nëse do të zhvillohet, do të kërkojë lëshimin e një urdhri ndaj KFOR-it që të përmbushë detyrimet e përcaktuara me nenet 9, 15, 3 dhe 4 të Rezolutës 1244. Presidenti serb shtoi se në arenën ndërkombëtare do të kërkojë “parandalimin e çdo veprimi të mëtejshëm nga strukturat e sigurisë të Kosovës që kërcënon jetën, lirinë, sigurinë dhe mbijetesën e serbëve në Kosovë, duke kryer çmilitarizimin e të gjitha formacioneve të armatosura të shqiptarëve”. Por në pikat e përmendura nga Vuçiçi të Rezolutës 1244, përcaktohet edhe dërgimi i një formacioni të ushtrisë dhe forcave speciale të Serbisë në Kosovë. “Anëtarëve të BE-së dhe SHBA-ve do tua përsëris se ne do të përmbushim gjithçka, por presim që të formohet Asociacionin, të shohim lirimin e të gjithë të arrestuarve. Regjimi i Prishtinës gjeti arsye të mjaftueshme për të arrestuar çdo serb. Është thirrja më e drejtpërdrejtë dhe brutale për spastrim etnik. Ne jemi të gatshëm të vazhdojmë bisedimet, por është e qartë se gjërat kanë dalë jashtë kontrollit.” Kujtojmë se kjo nuk është hera e parë që Vuçiç hiqet si viktimë në këtë mes. Edhe vitin e kaluar ai ka hedhur akuzat e forta ndaj Prishtinës zyrtare, ku thotë se është ajo që dëshiron të sulmojë veriun e vendit si dhe ta bëjë likuidimin e serbëve”Kosova po e përdorë situatën në Ukrainë për të bërë fushatë kundër Serbisë” thotë Vuçiç dhe se “është gënjeshtër se Serbia dëshiron të sulmojë këdo”.“Po përgatisin likuidimet e njerëzve tanë në veri”. E them hapur. I paralajmëroj të mos e bëjnë këtë, nën maskën e luftës kundër krimit. Mos vrisni njerëz. Ne nuk do të vrasim askënd. Ne kemi nevojë për paqe dhe stabilitet”, tha Vuçiç kohë më parë, por në fund të gjithë e dimë që Serbia nuk zbatoi asnjë marrëveshje të ndërkombëtarëve./ Gazeta FAKTI