• Today is: Sunday, November 24, 2024

Sovranisti

fakti
July04/ 2023

Në vitin 1963 dhe 1967 de Gaulle e bllokoi kandidaturën e Britanisë së Madhe për anëtarësim në organizatën që sot quhet Union Evropian

Nga Daut DAUTI, Londër

Sovranisti më i madh që njeh historia është Charles de Gaulle. Kur u okupua Franca në Luftën e Dytë Botërore nga Gjermania, de Gaulle iku në Angli. Atëherë ai ishte ndër gjeneralët jo aq të njohur në Francë, por kishte vizion politik dhe nuk e duronte okupimin e vendit të tij. Por, de Gaulle nuk do të bëhej ai që u bë dhe Franca nuk do të çlirohej pa ndihmën anglo-amerikane.

Pas luftës, kur de Gaulle erdhi në krye të Francës, anglo-amerikanët tentuan që Francën ta vënin në një vijë të dëgjueshmërisë. Ata mendonin se mund ta bënin këtë punë për shkak se faktikisht e kishin çliruar Francën nga Gjermania. Por, de Gaulle iu tha:’Ju falënderojmë shumë për ndihmën, por Franca është shtet sovran’.

Madhështia e de Gaulle-it u pa edhe në rastin e Algjerisë. Në vitin 1959 ai, përkundër rrezikut ndaj jetës së tij, përkundër atentatit që ia organizuan kreu ushtarak dhe politik francez, përkundër opinionit publik dhe mediave, tha:’Algjeria duhet të pavarësohet’. Me këtë veprim ai nuk e pavarësoi vetëm Algjerinë, por edhe e ruajti Francën nga shkatërrimi ekonomik dhe rreziku për luftë civile.

Në vitin 1963 dhe 1967 de Gaulle e bllokoi kandidaturën e Britanisë së Madhe për anëtarësim në organizatën që sot quhet Union Evropian. Për të gjallët e tij, Britania, vendi që e çliroi Francën, nuk do të hynte në këtë organizatë. Me këtë de Gaulle shprehte diçka personale, por edhe e mbronte ekonominë e Francës. Pra, e mbronte sovranitetin e Francës dhe populli francez i qëndonte de Gaulleit pas.

Tashti, kjo nuk është diçka që nuk e din Albin Kurti. Sipas të gjitha gjasave Kurti është duke u munduar ta kopjojë de Gaulle-in. A do të ketë sukses?