Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin qeveritë, partnerët e shoqërisë civile, mediat e pavarura dhe qytetarët në luftën kundër krimit të organizuar dhe çrrënjosjen e korrupsionit, iu përgjigj shërbimi për shtyp i Departamentit të Shtetit në një pyetje të Zëri i Amerikës në gjuhën maqedonase, është SHBA një nga pesë vendet që ka ofruar ndihmë juridike ndërkombëtare për marrjen e provave në hetimin e “Shkupit 2014”.
Prokuroria Themelore Publike ka njoftuar të premten se është duke zhvilluar hetime ndaj 15 personave fizikë dhe 7 personave juridikë për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe pastrim parash për 11 monumente, gjatë të cilave dyshohet se janë pastruar më shumë se 16 milionë euro para buxhetore.
Në deklaratë thuhet se “udhëheqësit e Maqedonisë së Veriut duhet të tregojnë rezultate të forta, të prekshme në luftën kundër korrupsionit, duke forcuar pavarësinë institucionale dhe duke kufizuar ndërhyrjet politike, veçanërisht në gjyqësor, që është thelbësor për përmbushjen e synimeve të anëtarësimit në BE dhe duke ndërtuar besimin e qytetarët në qeveri”.
Në mesin e të dyshuarve në hetim, me emrin e koduar “Phoenix”, janë edhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski i arratisur në Hungari dhe ish-ministrat e Financave dhe Kulturës Zoran Stavreski dhe Elizabeta Kançeska-Milevska.
Ish-kryetari i Komunës së Qendrës, Vladimir Todoroviq, i është caktuar masa e arrestit shtëpiak, ndërsa ndaj të dyshuarve janë shqiptuar masa tjera të paraburgimit dhe masa më të lehta për sigurinë e të dyshuarve.
Hetimi konstatoi se për punimin e monumenteve “Luftëtari mbi kalë”, “Goce Dellçev”, “Dame Gruev”, “Metodia Andonov – Çento”, “Themeluesit e VMRO-së”, “Car Samoili”, “Justiniani i Parë”, “Nikola Karev”, “ASNOM” dhe luanët e vendosur në urën “Goce Dellçev” janë paguar mbi 57 milionë euro, ndërsa dyshohet se janë larë 16 milionë euro, të cilat kanë përfunduar në llogari të ndryshme bankare.
Sipas informacioneve zyrtare të Prokurorisë, të cilat u prezantuan në një konferencë për media, krimi është kryer në periudhën nga viti 2007 deri në vitin 2013.
SHBA së fundi e futën në listën e zezë kryetarin e Strugës, Ramis Merko, për përfshirje në korrupsion të konsiderueshëm, ndërsa vitin e kaluar futën në listën e zezë edhe ish-kryeministrin Nikola Gruevski dhe ish-drejtorin e Agjencisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit Sasho Mijalkov.
Dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së për Politikat Evropiane dhe NATO-n, Spenser Boyer, për Zërin e Amerikës në maqedonisht të enjten, tha se është e rëndësishme për sigurinë rajonale dhe globale që Maqedonia e Veriut të fokusohet në demokraci dhe sundim të ligjit.
“Sigurisht, ne kujdesemi për demokracinë dhe sundimin e ligjit në përgjithësi për të gjithë aleatët dhe partnerët tanë. Ne mendojmë se fokusimi në ato gjëra dhe të pasurit demokraci të forta është i rëndësishëm për të pasur sisteme të forta për të qenë elastik, për të kontribuar më gjerësisht në sigurinë rajonale dhe globale. Kështu që kjo është gjithmonë e rëndësishme”, tha Boyer, transmeton Gazeta FAKTI.