• Today is: Sunday, November 24, 2024

Lajçak, koha për të ikur: Lupë mbi Kosovën dhe dylbi mbi Serbinë

fakti
July02/ 2023

Nga një ndërmjetësues që duhet të dëgjojë dy palët, duhet të kujdeset për qasje gjithpërfshirëse dhe mbi të gjitha për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, Lajçak është shndërruar në rrezik për procesin e bisedimeve duke u bërë avokat i palës serbe dhe prokuror ndaj shqetësimeve të Kosovës.

 

Nga Lutfi Dervishi

Miroslav Lajçak, prej tre vitesh i dërguari i BE-së për procesin e normalizimit të bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, e ka mbushur kupën dhe duhet ta pijë që të mos derdhet.

E ka mbushur kupën jo aq me të shkuarën e tij:

-vjen nga një vend që nuk e ka njohur Kosovën (nuk dihet nëse dhe kur do ta njohë)

-ka qenë ministër i jashtëm i Sllovakisë duke i dhënë porosi trupit diplomatik sllovak që të thoshte kudo se nuk e njohim Kosovën.

– ka miqësi të konsoliduar në Serbi

Lajçak e ka mbushur kupën me qëndrimet e njëanshme në dialog që rrezikojnë paqen në rajon.

Kur ai mori detyrën, tri vite më parë, mes Kosovës dhe Serbisë flitej për normalizim. Sot kemi mbërritur në pikën që flitet për “ulje të tensioneve”.

Nga një ndërmjetësues që duhet të dëgjojë dy palët, duhet të kujdeset për qasje gjithpërfshirëse dhe mbi të gjitha për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara, Lajçak është shndërruar në rrezik për procesin e bisedimeve duke u bërë avokat i palës serbe dhe prokuror ndaj shqetësimeve të Kosovës.

Avokat i palës serbe deri në atë pikë sa edhe kur u njoh me faktin se një prej serbëve të komitetit menaxhues për Asosacionin e Komunave me shumicë serbe ishte ndërkohë deputete e zgjedhur e Parlamentit të Serbisë, pa ju dridhur syri tha se: “nuk ekziston ndonjë kufizim që ta ndalojë atë”!!!

Aktualisht gjithë puna e Lajçak përqëndrohet në mantrën: ajo çfarë kërkon Serbia duhet të plotësohet dhe për shqetësimet e Kosovës flasim më vonë.

Edhe kur nga ana e Kosovës i paraqiten zgjidhje konkrete dhe realiste, përgjigja e tij është: këtë nuk e pranon Serbia.

Kur Serbia shkeli angazhimet në Marrëveshjen Bazë për mos pengim të Kosovës në anëtarësim në institucionet ndërkombëtare), vetëm një javë pas Ohrit, Lajçak që arrogancën ka nisur ta shfaqë edhe me shkrim, nuk gjeti asnjë fjalë për të thënë.

Eshtë Serbia që thyen angazhimet e marrë në marrëveshjen bazë, por presioni ushtrohet ndaj Kosovës.