Deri më tani askush nuk i ky pyetur shqiptarët se sa kanë qenë të pezmatuar dhe indinjuar kur në rrugët e tyre për çdo ditë kanë hasur emra partizanësh apo komunistësh maqedonas të cilët ose kanë marrë pjesë në djegien e fshatrave shqiptare të malësisë së Shkupit, Kumanovës, Kërçovës e gjetiu, ose kanë udhëhequr procese të montuara gjyqësore kundër veprimtarëve shqiptarë menjëherë pas LDB.
Nga Emin AZEMI
Ka plotë emra rrugësh të partizanëve që kishin marrë pjesë në djegien e fshatrave shqiptare dhe në masakrimin e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Emra të tillë kontraverz ka me bollëk në Tetovë, në Shkup, në Kumamovë, Kërçovë e gjetiu. Shqiptarët askush nuk i pyeti kur u vënë këta emra në rrugët e tyre dhe ata ishin dhe janë ende të detyruar që në letërnjoftimet e tyre dhe në dokumente tjera të mbajnë adresa me këta emra kriminelësh.
Deri më tani, përpos në Shkup (u rimartuan mbi 150 rrugë), për arsye të pakuptimta e absurde, askund tjetër nuk është ngritur ndonjë iniciativë serioze për heqjen e këtyre emrave iritues.
Por, tash së fundmi është ngritur një iniciativë tjetër. Kësaj radhe kryetarit maqedonas të Butelit i pengojnë emrat emblematik të Drane Bojaxhiut, Omer Kaleshit, Adem Kastratit, Agron Berishës dhe shumë emra veprimtarësh tjerë të shquar shqiptarësh, dhe i ka kërkuar Qytetit të Shkupit që të rikthehen emrat e vjetër (të partizanëve), për arsye se emrat e rinj (të artistëve), sipas tij dhe këshilltarëve maqedonas të Butelit, paskan shkaktuar indinjatë tek popullata maqedonase e kësaj komune.
Deri më tani askush nuk i ky pyetur shqiptarët se sa kanë qenë të pezmatuar dhe indinjuar kur në rrugët e tyre për çdo ditë kanë hasur emra partizanësh apo komunistësh maqedonas të cilët ose kanë marrë pjesë në djegien e fshatrave shqiptare të malësisë së Shkupit, Kumanovës, Kërçovës e gjetiu, ose kanë udhëhequr procese të montuara gjyqësore kundër veprimtarëve shqiptarë menjëherë pas LDB.
Plotë prokurorë e gjyqtarë maqedonas, që kishin qenë partizanë gjatë luftës, kishin udhëhequr procese gjyqësore kundër Azem Maranës dhe elitës udhëheqëse të NDSH-së, si dhe kishin marrë pjesë në likuidimin fizik të Sylë Hotlës, Nexhat Agollit si dhe të shumë veprimtarëve të shquar shqiptarë.
Emrat e gjithë këtyre kriminelëve, pa kurrfarë pengese vazhdojnë të fyejnë ndjenjat e shqiptarëve, mirëpo për këtë nuk bëhet kurrfarë problemi. Madje edhe vetë shqiptarët e Kumanovës, Tetovës, Kërçovës, Strugës janë treguar jo vetëm pasiv dhe indiferent, por edhe skajshmërisht të papërgjegjshëm ndaj kësaj problematike që drejtpërdrejt prish harmoninë ndëretnike në mes të qytetarëve me kombësi të ndryshme.
Kjo iniciativë nuk është e rastësishme në këtë moment dhe ajo vjen pikërisht tani kur Maqedonia e Veriut duhet të fillojë ndryshimet kushtetuese si kush për t’u bërë pjesë BE-së. Por, kujdestarët e djallëzive gjithmonë gjejnë alibira për të zhvendosur prioritet shtetërore. Shpërthimi i skandalit rreth abuzimeve me projektin qesharak “Shkupi 2014” si dhe humbja e terrenit në betejat me bullgarët, maqedonasit e grumbulluar rreth partive që shikojnë prapa në shek. 19, po mundohen t’i kompensojnë në një arenë tjetër – me shqiptarët. Sepse gjithmonë kur i ashtuquajturi nacionalizëm maqedonas i ka harxhuar bateritë në betejat identitare me serbët, grekët dhe bullgarët, është munduar t’i mbushin ato në betejat shpifura me shqiptarët, qoftë edhe si përpjekje për të hapur një front të ri beteje këtu në Maqedoni, si vazhdimësi e krizës në veriun Kosovës.
Në Shkurt të vitit 2016, udhëheqsha e atëhershme maqedonase e Butelit pat “mbjellë” një kryq gjigant në një hapësirë publike dhe për këtë nuk kishin marrë pëlqimin e askujt, dhe më së paku të atyre me etni e religjion tjetër me të cilët bashkëjetonin.
Regjia politike kishte bërë që kryqi të zhvishet nga funksioni sakral që ka, sepse rrëfimi i mëkateve në Maqedoninë e Veriut ka kohë që kishte munguar , ndërkohë që feja vazhdon të (keq)përdoret nga politika si kompensim i mos gjetjes së ofertave adekuate për qytetarët e etnive e feve të ndryshme.
Atëherë edhe sot, po t’i kishin pyetur maqedonët e thjeshtë të Butelit, atyre as në mend nuk do t’iu binte kryqi pesëdhjetë metërsh. Jo se kanë hequr dorë nga feja e tyre, por pse në listen e prioriteteve të tyre të përdishme kanë halle shumë më të mëdha se ky gogol prej hekuri. Një gogol që tash e tutje do t’ua ruaj atyre ”bahçet” nga armiqtë imagjinar. Ata do të vazhdonin edhe më tej të kërkonin përgjigje për hallet e shumta që kanë, por regjisorët e manipulimit u treguan më të shkathtë në zëvendësimin e kornizave sociale me disa tonë armaturë në pikturën e shtrembëruar të realitetit tonë bizar.
Këta regjisorë manipulues vazhdojnë edhe sot t’i ushqejnë qytetarët maqedonas me disa kauza imagjinare, sepse kjo është një strategji social-psikologjike që ka funksionuar mirë në shoqëritë e përziera ku politika e përçarjes është më e fuqishme se ideja civile për jetesë të përbashkët. Në Maqedoni kjo ide as që ka funksionuar, sepse mendësia politike e një eshaloni nacionalist që ende frymëzim gjen në kuzhinat politike të Beogradit, është ndërtuar mbi përjashtimin e shqiptarëve nga strategjia e kohezionit të brendshëm qytetar e social. Në momentin kur shqiptarët (si në rastin Shkupi) duan të rikthejnë pozicionin e dinjitetit të tyre nacional, kjo iu pengon patriotëve aparatçikë me muskuj silikoni, si ai kryetari i Butelit, të cilët sërish duan të manipulojnë me ndjenjat nacionale të maqedonasve, në dëm të shqiptarëve.
Rrëshqitja e vëmendjes publike nga aferat korruptive të ish drejtuesve të partisë opozitare maqedonase në drejtim të një hendeku ndëretnik, ka qenë dhe mbetet pjesë e një mendësie mesjetare për robërimin e njerëzve me skenarë të shpifur.
Shkup, 01 korrik, 2023