• Today is: Sunday, November 24, 2024

Komuna e Butelit me iniciativë maqedonase kundër emrave shqiptarë të rrugëve!

fakti
July01/ 2023

Komuna e  Butelit në emrin e këshilltarëve maqedonas ngritur iniciativë deri te Qyteti i Shkupit me të cilën kërkohet rikthimi i emrave të vjetër të rrugëve që gravitojnë në territorin e Butelit, me  arsyetimin “se shumë qytetarëve janë ankuar deri te Komuna Butel, se ndryshimi i emrave të rrugëve ka shkaktuar shpenzime shtesë tek ata”.

Riemërtimi i rrugëve ka përfshi disa emra të shquar veprimtarësh dhe të kulturës shqiptare, në mesin e të cilëve Omer Kaleshi, Adem Kastrati, Drane Bojaxhiu, Agron Berisha, Surija Imami, Zahir Xhaferi, Afrim Zhitai, Vullnet Starova, Esat Stavileci dhe të tjerë. Ka edhe emra të figurave joshqiptare, por reagimi ka të bëje vetëm me figurat shqiptare.

Kryetari i Butelit nga radhët e VMRO-DPMNE-së, Darko Kostovski e ka bere të ditur për mediat iniciativën e ngritur i cili tha se vendimi për ndërrimin e emrave “në udhëheqësinë e Qytetit të Shkupit nga Petre Shilegov është marrë në mënyrë vetanake, pa konsultim me komunat tjera të Shkupit dhe pa marrë pëlqimin e qytetarëve të këtyre komunave”.
Por, Këshilltarët shqiptarë i kërkojnë Kostovskit të heqë dorë nga iniciativa.

“Si këshilltar të Komunës së Butelt, si qytetarë dhe si shqiptarë i kërkojmë kryetarit të komunës, Darko Kostovski që të heqë dorë nga kjo iniciativë dhe ky propozim. Jo vetëm që kjo nuk do të kalojë në Qytetin e Shkupit, sepse ne kemi mekanizma për ta bllokuar, por le ta dijë ai se imponimi nuk kalon”, deklaruan  këshilltarët shqiptarë të Komunës së Butelit ndaj iniciativës së kryetari të Butelit, Darko Kostovski për kthimin e emrave të vjetër të rrugëve në këtë komunë, gjegjësisht largimin e emrave shqip, informon tv21.

Ata thonë se nëse ai vazhdon kështu, “duke i rënë murit me kokë, do ta thyejë edhe qafen” dhe se e kujtojnë “se shumë shpejtë kalojnë katër vjet dhe vijnë zgjedhjet”.

“Ne për dekada kemi duruar emrat maqedonas, serb e vietnamez dhe nuk kemi shprehur ndjenjë të anonimitetit, ndërkaq Darko Kostovski asnjë vit nuk arrin t’i durojë emrat shqip. Kjo albanofobi nuk është më vetëm një problem politik, por është shndërruar edhe në diagnozë. Dua t’ia kujtojmë kryetarit se në komunën tonë zyrtarisht jetojnë 37% shqiptarë, ndërkaq jozyrtarisht, sepse ai nuk lejon që njerëzit të regjistrohen në adresat e reja mund të jenë edhe 50%. Nëse ai mendon se kështu e mbron Butelin nga shqiptarët, e mashtron veten dhe ndjekësit e tij. Sa më shpejtë që e pranon se Buteli është komunë multietnike, jo i bën mirë atij dhe komunës. Emrat e figurave shqiptare, turke, rome, tregon se ne dimë të respektojmë njëri – tjetrin”, thanë këshilltarët shqiptarë”, thanë më tej këshilltarët.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj politikave shoviniste dhe avantureske të VMRO-DPMNE-së e cila, në mungesë të ofertës për një jetë më të mirë për të gjithë qytetarët, e rikësuar nga ndjekjet penale për krimet në vazhdimësi të funksionarëve të saj, dhe e etur çmendërisht për pushtet, është duke sfiduar në vazhdimësi bashkëjetesën, tolerancën dhe harmoninë ndëretnike në vend.

“Vendimi i fundit i Komunës Butel për të kontestuar vetëm emrat shqip të rrugëve të kësaj komune multietnike në Shkup është provokim i radhës i cili meriton dënim të ashpër nga të gjithë. Bashkëjetesa ndëretnike, demokracia funksionale multietnike, janë vlerat themelore të shtetit tonë të përbashkët dhe vetëm shkurtpamës politikë dhe kundërshtarë të së ardhmes evropiane, mund të llogarisin se duke sfiduar këto vlera për qëllime elektorale apo nacionaliste, mund të kalojnë dhe të japin ndonjë rezultat për ta. Bashkimi Demokratik për Integrim vazhdon të jetë gardian dhe promotor kryesor i bashkëjetesës, tolerancës si dhe mundësisë për shprehjen e lirshme të vlerave identitare dhe kulturore të të gjitha komuniteteve në vend. Sfiduesit e këtyre vlerave do ngelin si pjesê e dështuar dhe e errët e historisë së këtij shteti”, thuhet në reagimin e BDI-së.

Ndërkohë edhe fraksioni i BDI-së ka reaguar lidhur me vendimin e Komunës së Butelit, për kthimin e emrave të vjetër të një pjese të rrugëve në këtë komunë, që kohë më parë u zëvendësuan me emra të personaliteteve të shquara shqiptare.

“Iniciativa e dërguar në Qytetin e Shkupit për miratim, përveç që është tendencioze, është edhe joligjore, sepse vendosja e emrave të rinj të figurave shqiptare është bërë duke i respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe duke e respektuar plotësisht Parimin e Badinterit.

Ju bëjmë thirrje publike kryetarit të Komunës Butel dhe kryetares së Qytetit të Shkupit t’i vendosin tabelat me emërtimet e reja në gjuhën shqipe sepse është obligim ligjor!

Këtë proces do ta ndjekim me vigjilencën më të madhe sepse Buteli është përafërsisht me 50% banorë shqiptarë dhe ky realitet duhet patjetër të respektohet”, thuhet në reagimin e fraksioni  të BDI-së.