• Today is: Sunday, November 24, 2024

Patriotizmit të projektit “Skopje 2014” i doli boja/ Mbi 57 milionë euro kanë përfunduar në xhepat e 14 ish funksionarëve të VMRO-së

fakti
July01/ 2023

Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka filluar të hetoj 14 ish funksionarë maqedonas dhe një italian, si dhe shtatë kompani, nga të cilat 4 maqedonase dhe tre italiane lidhur me rastin “Fenix”. Ndonëse nuk janë përmendur me emër, megjithatë sipas funksioneve dhe kohës për të cilën po zhvillohen hetimet, në rastin “Fenix” të dyshuar janë ish-kryeministri Nikolla Gruevski, ish-ministrja Elizabeta Kançeska-Milevska, ish. -ministri i financave Zoran Stavreski, ish-kryetari i këshillit komunal Qendër, Vladimir Zdraev si dhe dy ish-kryetarët e komunës së Qendrës, Vladimir Todoroviq dhe Violeta Alarova.

“Dje dhe sot deri te gjykatësi i procedurës paraprake janë dorëzuar disa kërkesa për bastisje, sekuestrim të përkohshëm të pasurisë dhe konfiskim të menjëhershëm, ngrirje të llogarive bankare dhe aksioneve në persona të tjerë juridikë, si dhe propozime për caktimin e masave të paraburgimit si dhe masa të tjera për sigurimin e pranisë së të dyshuarve.”- deklaroi Lubomir Lape, Prokuror.

 Hetimi është shtrirë në gjithsej 15 persona fizikë dhe 7 persona juridikë, mes tyre edhe një shtetas italian, bëjnë të ditur nga Prokuroria. Këto monumente në vendin tonë kishin vlerë tenderi shumë të lartë dhe jashtëzakonisht të ulët në Itali. Prokurori Ljubomir Lape tregon se si janë blerë monumentet me dyfishin e çmimit të tenderit. Nëse, për shembull, një monument në Maqedoni kushton 4.7 milionë euro në tender, ai është punuar në Itali për 2.3 milionë euro. Ish-këshilltari i Komunës Qendër, Zdravev është ndaluar dje në pikën kufitare “Tabanoc”, ndërsa ish-kryetari në aeroportin e Shkupit, informon tv21.

“Kishim dyshime se do të largoheshin nga vendi, nuk zgjodhëm datën, por në momentin që më njoftuan se njëri nga të dyshuarit po largohej jashtë vendit, filloi i gjithë aksioni. Hetimi është ende në vazhdim, me sa di unë, për katër persona vetëm se po veprohet.”- tha Lubomir Lape, Prokuror.

 Pagesat kanë shkuar nga Komuna Qendër drejt Italisë, tek kompanitë e të dyshuarit të tetë, një biznesmen italian pa licencë shkritoreje monumentesh. Më pas, përmes kompanive offshore, i ka larë paratë nga Maqedonia dhe ua ka kthyer kompanive, menaxherët e të cilave dyshohen. I kanë marrë paratë e lara dhe i dorëzuan në një vend. Sipas hetimeve, të dyshuarit në mënyrë të kundërligjshme kanë transferuar para nga buxheti i shtetit dhe nga buxheti i Ministrisë së Kulturës në Komunën e Qendrës për investime kapitale mbi 3 miliardë denarë ose mbi 57 milionë euro, transmeton Gazeta FAKTI.