(Ose: skicë për përtretin e harruar të Ymer Elshanit, vepra e të cilit është më e madhe se tonelatat e disa përmendoreve që po mbijnë anë e kënd Kosovës.
Ribotohet me rastin e 21 vjetorit të rënies së tij).
Nga Emin AZEMI
(mars, 2014)
Kjo mënyrë e selektimit të heronjëve me dhe pa epoleta, me dhe pa familje të mëdha, shkurajon idenë e të qenit kompakt në tribuna e manifestime ku mungojnë familjarët e atyre që sot as që u përmenden emrat. Kompleksi i epërsisë së të fuqishmëve, i atyre që sot veshjen e pushtetit e konisederojnë privilegj e jo obligim, kanë konstruktuar një makineri të çuditshme për bluarjen e lavdisë për do interesa meskine e klienteliste.
Asnjë pengesë nuk ka qenë aq konstante dhe aq e rëndë për t’u tejkaluar sa ka qenë konfuziteti dhe pasiguria për ta menaxhuar periudhën e pasrobërisë. Se sa një luftë e armatosur është e suksesshme, kjo varet nga cilësia e menaxhimit të paqës që prodhon ajo luftë dhe nga komponenta gjithëpërfshirëse e resurseve që kanë kontribuar para dhe gjatë luftës së armatosur. Një luftë e armatosur nuk mund të jetë e izoluar nga shumë faktorë të tjertë, që shpesh kanë qenë edhe vendimtar për t’i dhënë luftës dinamizëm dhe gjithëpërfshirje.
Sot kur kujtojmë 16 vjetorin e Epopesë së lavdishme të UÇK-së, dhe rënien heroike, bashkë me familjen, të komandantit legjendar, Adem Jashari, nuk na shkon mendja të heqim as edhe një miligram nga burrëria, trimëria dhe vetëflijimi i atyre që në stuhinë e viteve 1998/99 në vend se të flinin rehat e butë dikund larg zonës së rrezikut, ata, megjithatë, u bënë një me kushtrimin e atdheut për të sjellë në Kosovë lirinë e munguar dhe të cunguar.
Në aspektin psikologjik, liria mund të konceptohet në mënyra të ndryshme. Por, procesi më i vështirë i triumfit të lirisë është kur armiku i jashtëm zëvendësohet me një demiurg të brendshëm. Të mposhtësh lakmitë e brendshme, thonë psikologët, është lufta më e vështirë e individit.
Realiteti ynë, fatkeqësisht, është i mbushur plot me tipa që në luftë u treguan heronj, kurse në paqë u mundën nga lakmia dhe paraja. Heronjtë e luftës u shndërruan në antiheronjë të paqës.
Një burrë i mençur i Karadakut që moti kishte pas thënë: ‘Ka shumë njerëz trima që plumbi i pushkës vështirë i rrokë në luftë, por pas luftës ai e vret veten me punët e pahijshme që bën’.
Privilegjet e fituara me kollajllëk në paqe, kanë prodhuar iritim të paparë tek shtresat e gjëra të njerëzve dhe nuk janë të paktë ata që shtrojnë zëshëm pyetjen: “pse u bë lufta?”.
Gjithmonë do të ketë pyetje të vështira, por liria e një populli matet pikërisht me gatishmërinë për të dhënë përgjigje edhe atëherë kur dikujt ajo nuk i konvenon.
Okupimi nga antiheronjtë mund të jetë vazhdimi i një lufte të pashpallur. Kauza kundër këtij okupimi do të duhej të jetë liria e vërtetë për të cilën janë flijuar luftëtarët e UÇK-së. Alternativa e luftës për liri është vetëm flijimi, por jo edhe zhvatja. Jo edhe monopolizimi i fryteve të luftës.
Duke rënë pahetueshëm në grackën e këtij monopolizimi, mediat, institucionet relevante dhe shoqëria në përgjithësi, sikur kanë harruar se lufta e para 15, 16 vjetëve i kishte edhe herojtë e saj të heshtur, por të mbetur jetim në ditët e sotme. Për ta sot nuk lexon askush një fjalë përkujtimore, nuk këndon një këngë, nuk ndërton një kullë. Dhe, më e pakta, me emrat e tyre nuk nderohet ndonjë shkollë, rrugë, shesh, institucion etj.
Të rënët në luftërat çlirimtare nuk therorizohen vetëm për idealet për të cilat kishin luftuar, por edhe për të reflektuar tek të gjallët idenë e menaxhimit të lirisë. Kështu është fati i heronjëve. Ata, vdesin për të sprovuar ndërgjegjet e të gjallëve.
Kishte prej tyre që, në heshtje e pa zhurmë, gjithë jetën ia kishte kushtuar çështjes kombëtare, dhe nuk kishte mbetë mangut me asnjë obligim ndaj atdhetut, por që sot ngelin nën hijen e kapotave të rënda të komandantëve.
Njëri prej tyre është edhe shkrimtari nga Drenica, Ymer Elshani (1948), një autor model i letërsisë për fëmijë, emri i të cilit sot as që përmendet dhe shumë pak njerëz në opinionin publik shqiptar dhe ndërkombëtar e dinë se ai, dhe shtatët anëtarë të tij të familjes, u dogj dhe u masakrua mizorisht nga forcat barbare serbe, në prill të vitit 1999.
I gjithë diagrami krijues, moral e kombëtar i Ymer Elshani, ka qenë i mbushur me ngjyrat autentike të tokës të Kosovës dhe me një talent të rrallë këto ngjyra ai i përdori për të portretuzuar njeriun e vogël por të madh në shpirt, ashtu siç ishte vetë ai. Drenica, prej nga vinte shkrimtari Ymer Elshani, i kishte shërbyer atij si një lum gurgullues ku krijimtaria e tij e bujshme kishte shuar etjen. Por, ai vetë kishte mbetur i etur për lirinë që ia kishin zaptuar bajlozat e zi të Karpateve dhe në asnjë çast s’kishte menduar ta braktisë vendlindjen, edhe përkundër presionineve të shumta që vinin nga pushteti i atëhershëm. Ymer Elshani nuk u bë komandant për të udhëhequr të tjerët dhe uniformia e vetme e tij ngeli profili prej krijuesi e njeriu që e kultivoi me xhelozi deri në sekondën e fundit të jetës. Ai nuk u bë lider, por udhëhoqi veten për të qenë shembull për të tjerët që të mos e braktisnin vendlindjen, edhe atëherë kur ajo bëhej e padurueshme për të jetuar.
Ai nuk e braktisi vendlindjen edhe atëherë kur e pushuan nga puna në vitin 1985, kur ishte drejtor i gjimnazit të Drenasit, por as atëherë kur sërish e dëbojnë nga Feronikel-i, sepse edhe puna e tij prej përkthyesi që bënte, për dikend ishte e rrezikshme.
Për të kuptuar pak më tepër mbi momentet e fundit të jetës së këtij shkrimtari martir, i referohemi librit të dr. Xhevat Sylës ‘Universi i mirësisë’ (Prishtinë, 2008), konkretisht faqes 20, në të cilën, ndër të tjera gjejmë edhe këtë përshkrim rrëqethës: ‘më 15 prill 1999, herët në mëngjes , ai (Ymer Elshani) bashkë me gruan, fëmijët, nënën, bababë e bashkëfshatarët të tjerë tentojnë të hyjnë në Drenas, por policia gjysmën e asaj turme e kthen parapa,me premtimin se nuk do t’i prekte. Ymeri me të vetët, por edhe me bashkëfshtarë të tjerë, strehohen në shtëpinë e Sinan Muçollit për t’i terur rrobat e bëra qull nga shiu që binte rrëke, me vetëtima e bubullima të pandalura.Po atë ditë, në orën 17.00 policët serbë kishin hyrë në shtëpinë e Sinan Muçollit dhe nga turma e strehuar aty, ku kishte edhe mjaft fëmijë , gra, vajza, kishin nxjerr Ymer Elshanin dhe Sinan Muçollin. Sapo i kishin nxjerrë jashtë, ishin dëgjuar krismat e automatikëve, të cilët ua kishin shuar jetën mizorisht. Pas kësaj policia kishte hedhur bombë në dhomën ku qëndronin të strehuarit e tjerë, pesëdhjetë e shtatë vetë. Ndërkohë, nëpër tymin që përshkonte krimin e paparë në atë dhomë, një polic zbraz breshëri plumbash nga automatiku. Mbetën të vdekur pesëdhjetë e tre vetë. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshortja e Ymer Elshanit, Nafija (45 vjeçe), me të katër bijtë: Ardianin (25), Miranin (20), Kujtimin (15) dhe nderimin (10), si dhe kunata, Shukrija, Të nesërmen, në një shtëpi afër, vritet edhe nënan e Ymer Elshanit (e cila ishte motra e atdhetarit Fazli Grajçevci)’.
Sa veta deri më tani në opinionin e gjerë publik e dinë të vërtetën se si përfundoi
një shkrimtar i madh i Kosovës, bashkë me familjen dhe bashkëfshatarët e tij. Apo, për t’u përmend emri, paska qenë dasht të ishe komandant, apo ndonjë figurë e shquar e ilegales së atëhershme? Ymer Elshani nuk ishte komandant, por me vargjet e tij u rritën dhe u frymëzuan voglushët e Drenicës dhe mbarë Kosovës, të cilët një ditë do të dilnin në frontin e luftës çlirimtare. Mjafton që ata voglush u bënë komandant, por sa prej tyre sot ndiejnë përgjegjësi për këtë pakujdesi dhe indiferentizëm ndaj mësuesit, atdhetarit e shkrimtarit Ymer Elshanit?!
Ngjarjet e ashtuquajtura të mëdha që po i servohen publikut, kanë filluar ta eklipsojnë njeriun e vogël, njeriun e sakrificave sublime gjatë viteve dramatike. Koncentrimi i vëmendjes publike vetëm tek manifestimet pompoze që po prodhojnë njëfarë lavdie politike dhe elektorale, e ka bërë pa sens kujdesin tonë moral e kombëtar ndaj atyre mikrongjarjeve që ishin magma vullkanike e historisë sonë më të re. Zakonisht në rrethana të tilla ka gjithnjë e më shumë personazhe të harruar të kësaj historie, të cilët paguan kosto të lartë qëndrimin e tyre të palëkundur në kushte kur ishin të vetëm para vrasësve mizorë serbë, të pambrojtur, jo rrallë, edhe nga vetë luftëtarët e UÇK-së.
Të gjithë këta njerëz janë viktimë e harresës që vie nga defokusimi publik. Në mungesë të një gazetarie pak a shumë hulumtuese, këta fate njerëzish ngelin “libra të mbyllur” që askush nuk ua lexon tmerret që përjetuan.
Kjo mënyrë e selektimit të heronjëve me dhe pa epoleta, me dhe pa familje të mëdha, shkurajon idenë e të qenit kompakt në tribuna e manifestime ku mungojnë familjarët e atyre që sot as që u përmenden emrat. Kompleksi i epërsisë së të fuqishmëve, i atyre që sot veshjen e pushtetit e konisederojnë privilegj e jo obligim, kanë konstruktuar një makineri të çuditshme për bluarjen e lavdisë për do interesa meskine e klienteliste.
Lavdia që ia zë frymën lirisë dhe bëhet peng i mburracakërisë, të përkujton tribalitetin e kohëve të lashta kur midis shkretëtirës së skamjeve e harambashllëqeve, lirizaptuesit projektonin delirin e luksit.
Ymer Elshani edhe pa kurorat e lavdisë posthume, mbetet i paharruar, sepse janë veprat ato që e bëjnë atë të veçantë në letërsi dhe stoik në jetë. Shumë prej atyre që sot krekosen me lavdinë e huazuar nga trimëritë kolektive që mbajn vulën e anonomitetit, do të donin të kishin një miligram dinjitet nga shkrimtari i madh Elshani, por kjo nuk bëhet me porosi dhe telekomandë.
Njeriu i madh lind, ai nuk bëhet. Ymer Elshani lindi pak më i madh se gjithë ne që lirinë dhe dashurinë e atdheut e mësuan nga veprat e tij.
JETËSHKRIMI I YMER ELSHANIT
Ymer Elshani u lind në fshatin Korroticë e Poshtme (e Ulët), me 14 qershor 1948.
Që si fëmijë 4-5 vjeç u vërejten te Ymeri shkëndijat e talenilt të lindur. Të gardhi i oborrit pothuaj se çdo pasdite tuboheshin fëmijët, po edhe të rriturit, për ta dëgjuar Ymerin duke recituar poezitë që i mësonte, ose i kishte dëgjuar prej te tjerëve. Kështu i argëtonte moshatarët që shqepeshin në gaz nga shakatë e tij.
Fëmjërinë dhe rininë e kaloi në fshat. Mësimet në klasën e parë të fillores i nisi në vitin shkollor 1955/1956. Kushtet e atëhershme ishin te rënda, e veçmas në familjen e Ymerit, pasi që babai Nazifi kishte shumë fëmijë dhe mezi e siguronte bukën për familjen shumëanetarëshe.
Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm. Për mësues e pati Hasan Kastratin nga Kizhareka, ndërsa shkolla ishte një ndërtesë e rregulluar dobët.
Katër klasë të fillores i mori ne vendlindje, pastaj ciklin e lartë të fillores e mbaroi në Komaran. Shkolla mbante emrin ”Jeta e re”.
Filloi të shkruante poezi që në moshën 10 vjeçare. Në fillim e nxiti dhe i ndihmoi daja i tij, mësuesi Fazli Greiçevci. Më vonë Ymeri do të tregojë se poezinë e parë e kishte shkruar për Diellin. Daja Fazli i kontrolloi vjershën dhe i dha kurajo. Edhe në shkollë i jepte mësim arsimtari Halil Bogaj, i cili po ashtu ndikoi te Ymeri duke i botuar poezitë që shkruante në fletushkën ”Pena e re”.
Si nxënës i klasës së shtatë botoi poezinë e parë në revistën ”Pionieri” nr. 6 te vitit 1962. Ajo titullohej ”Për gjah”.
Pas kryerjes së shkollës fillore, Ymeri vijoi mësimet për mësues në shkollën e mesme normale të Prishtinës. Që të bëhej mësues ishte edhe dëshira e dajës Fazli. Me të kryer klasën e parë të shkollës normale, i ndodhi një ngjarje tronditëse që i shkaktoi pikëllim të thellë. Ia burgosen dhe ia vranë me torturë dajën Fazli. Në varrimin e tij, Ymerit i rreshqitën lotët, por i duhej të mbahej i fortë. Në atë kohë Ymeri shkruante pandërprerë, kryesisht poezi, të cilat i lexonte në orët letrare që mbaheshin në shkollën normale. Përkrahje dhe ndihmë në rrugën krijuese i jepte profesori Rexhep Hoxha, të cilin ai e adhuronte pa masë. Këtë respekt për të do ta mbajë gjatë tërë jetës. Poezitë i botonte në faqen për fëmijë të ”Rilindjes”, në revistën ”Shëndeti” dhe në revistat ”Gezimi” dhe ”Fatosi” që dilnin ne Shkup.
Në klasën e katërt të normales iu botua vepra e parë me poezi ”Anija e miqësise”. Ishte viti 1967, vazhdonte të shkruante më intenzitet edhe më të madh. Tash ai kishte fllluar të shkruante dhe tregime të shkurtra e pjesë teatrore.
Në shtyp u paralajmërua se po e përgatiste përmbledhjen e dytë me tituill ”Baloni i kaltër”.
Në këtë libër, përveç poezive kishte përfshirë edhe tregime ”Dy motra” dhe pjesën teatrale ”Lotët e Drenushës”, ”Anija e miqësisë”.
Pas botimit të veprës së dytë ”Çka ëndërrojnë lulet” (1971), Ymeri u paraqit në konkursin letrar të ”Rilindjes” me romanin ”Ndodhitë Hundëkarrotës” ku mori çmimin e dytë.
Kur ishte në vitin e parë të fakultetit në nëntorin e 1968-ës, Ymeri mori pjesë në demonstratat që u bënë në Prishtine. Për këtë më vonë për pak të perjashtohej nga puna. I dhanë masën e dënimit parapërjashtim dhe në këtë rast e mbështeti drejtori i shkollës, Halil Bogaj, duke arsyetuar se atë ditë Ymeri e kishte mbajtur mësimin. Në ditar i kishte të shënuara orët, se ashtu e kishte sugjeruar vetë drejtori, kuptohet, në një bisedë të fshehtë me mësuesin Ymer. Kështu për pak shpëtoi nga më e keqja mesuesi i ri, por përcillet vazhdimisht nga argatët e sistemrt të atëhershëm.
Në shkollë të mesme Ymeri banoi në Prishtinë në një kasolle të vjetër tek halla Mine, e më vonë në shtëpinë e shkrimtarit Nebil Duraku. Kushtet i kishte shumë te rënda. Ushqimi i dobët, të cilin ia sillte shpesh babai Nazifi nga shtëpia. Ka ndodhur që me një spec të kalonte ditën, do të rrefente me vonë Ymeri. Babai Nazifi shiste vezë në treg; punonte punë të rënda fizike; zbrazte thasë mielli, pra me shumë pengesa arriti ta shkollojë djalin e madh, Ymerin.
Në mësime Ymeri ishte përherë i shkëlqyeshëm dhe punonte pandërprerë. Nga të ftohtit, gjatë kësaj kohe, Ymeri sëmuret bukur rëndë. I ngriheshin gishtërinjtë e dorës dhe një kohë e kalon në spital. Por ai kurrë s’u dorëzua. Posa doli mësues s’u kënaq me kaq dhe në afat rekord i kreu studimet.
Në tetor te vitit 1972 diplomoi në Fakultetin Filozofik – dega e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Pas katër vitesh që punoi në shkollën filore ”Jeta e re ” të Komoranit, kalon në gimnazin ”Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Gllogovc (tash Drenas).
Në fillim mbante ose ligjëronte dy lëndë: gjuhën shqipe dhe gjuhën latine. Pas një kohe të shkurtër zgjedhet zëvendësdrejtor i gjimnazit. Vijon studimet pasdiplomike dhe me notë të lartë 8.60 i kryen të gjtha provimet. Ndërkohë, më 1975 e kryen shërbimin ushtarak në Novi Sad. Kthehet dhe punon edhe dy vjet si profesor në gjimnaz. Fillon të botojë studime dhe kritika për veprat e letërsisë për fëmijë.
Në revistën ”Shkëndija” ,më 1978 dhe 1979 boton disa recensione për veprat që atëherë ishin si lekturë shkollore. Përgatiti disa punime për emisionet e Radio – Prishtines.
Që nga shtatori 1977 u bë drejtor i gjimnazit, mirëpo emri i shkolles ishte ndërruar në “Mareshali Tito”. Tash gjimnazi u shndërrua në Qendra e Arsimit të Mesëm të Orientuar (QAMO). Pra, përpos paraleleve te gjimnazit të pergjithshëm, u hapen degë të reja teknike.
Organizator i suksesshëm, punëtor i palodhshëm, ai me profesorët e tjerë vinin rend dhe disiplinë të jashtëzakonshme në shkollë. Profesorët vinin nga Prishtina me furgon. Ishin këto vitet e lulëzimit të arsimit në Drenas. Dolën disa breza nxënësish të dalluar, të cilët më vonë u benë mjekë, profesorë, ekonomistë etj.
Me 1978 Ymeri magjistroi me temën ”Poezia për fëmijë 1946 – 1976 në Jugosllavi”.
Në këtë studim të ngjeshur dhe mjaft përkushtues, Elshani dallon që poezia shqipe për fëmijë e Pasluftës së Dytë Botërore kalon nëpër tri faza, që kanë secila fizionominë dhe veçantitë e saja stilistike e tematike:
Faza e parë, nga vitet 1945-46 deri në 1960, fillon me vjershat që u botuan te ”Gazeta e pionierëve”, ato të botuara në dy vëllimet “Vjersha për shkolla fillore e paragjimnaze” (Prishtinë, 1947) dhe “Vjersha të zgjedhura për pionierë” (1951); me tri vëllimet e veçanta të botuara më 1953: “Gjethet e reja” të Rexhep Hoxhës, “Përrallat e gjyshit” të Mark Krasniqit dhe “Vjersha” të Mehmedali Hoxhës. Tematika është ajo e luftës, e ndryshimeve të mëdha shoqërore, e rindërtimit të vendit. Kemi një art tradicional, folklorik. Letërsia gojore ushtron ndikim të madh, si në aspektin tematik e motivor, ashtu edhe në atë strukturor e stilistik-gjuhësor.
Faza e dytë (1960-70) sipas Elshanit lidhet me vëllimin e Maksut Shehut “Kunora e kuqe” (1960), e më tej, me botimet e poetëve Vehbi Kikaj, Rifat Kukaj, Ali Huruglica, Fejzi Bojku, Agim Deva, Adem Gajtani. Frymëzimi këtu kap jetën e fëmijëve, ëndrrat e dëshirat e tyre, të kundruara nga këndi i shikimit të vetë fëmijës. Ndikimi i letërsisë gojore nuk është aq i drejtpërdrejtë.
Faza e tretë përfshin vitet ’70. Tematika e njohur e fazës së dytë këtu realizohet me një art më të ngritur stilistik, kemi një transformim kualitativ. Ndikimi i letërsisë gojore është i modifikuar, larg imitimit.
Pa mbushur katër vjet të punës si drejtor, më 2 prill 1981 në Drenas shpërthyen demonstratat. Edhe nxënësit e gjimnazit dolën për të kërkuar Republikë. Ymeri me profesorët dolën të obliguar për t’i percjellë nxënësit, e mundësisht sipas urdhërit të Komitetit komunal për t’i shpërndarë. Afër fabrikës së ”FERRONIKELIT” plagosen disa demostrues. Pas kryerjes së demonstratës u ndërpre mësimi në shkollën e mesme dhe në shkollat e tjera. Duhej gjetur ”fajtorët” për këto demonstrata. Fillojnë diferencimet ideo-politike. Ymeri merret në biseda informative në polici. Pas pak ditësh e përjashtojnë nga puna se gjoja ka pasur qëndrim oportunist dhe është përgjegjes për demonstratat që u bënë në Gllogovc. Kështu mbeti pa punë poeti edhe profesori Ymer Elshani.
Erdhën ditë të zymta dhe një diferencim e ndjekje policore ndaj tij. Autorit të tetë veprave iu ndalua publikimi i shkrimeve. Ndiqej këmba-këmbës nga shërbëtorët e SPB-së.
Ankesat që i bëri gjyqit Ymeri për padrejtësi që ia bënë, iu refuzuan. I dhanë përgjigjje: je i papërshtatshëm për arsim.
Pesë vjet Ymeri mbeti në shtëpi. Punonte në ara, në kopshtije. Ishte bërë bujk i mirë, por letërsinë dhe krijimtarinë letrare nuk e la. Shkruante poezi, poema, tregime dhe me një qëndresë të pashoqe u bënte ballë furtunave që ia imponuan forcat reaksionare dhe njerëzit shpirtëzinj.
Megjithatë, Ymeri më në fund, pas një kohe të gjatë punësohet në fabrikën e ,,Ferronikelit” si përkthyes. Kjo ndodhi në 1985.
Ia vlen të thuhet se sa ishte i papunë e përkrahu shkrimtari Rifat Kukaj, i cili ia kishte dhënë dhe të përkthejë librin, ”Nje mije e nje net” dhe ia boton veprën me tregime ”Plaku me violinë” (1984).
Në” Feronikel” punon deri më 1992. Prapë e largojnë nga puna si ”tepricë teknologjike”.
Më 1994 kthehet në arsim. Këtë herë prapë në gjimnaz si zëvendësdrejtor. Në rrethana të rënda për arsimin tonë, Ymeri prej vitit 1996 emërohet këshilltar për lëndën e gjuhës dhe letësisë shqipe. Me elan të përtërirë, me tërë potencialin punoi në mirëvajtjen dhe përparimin e arsimit. Shkonte në të gjitha shkollat e komunës së Drenasit. Hospitonte në orë, jepte udhëzime dhe inkurajonte punëtorët e arsimit për të mbijetuar arsimi në gjuhën shqipe, që ishte në rrezik të shkatërrohej nga Serbia.
Kur lufta filloi, më 1998 Ymeri kishte vendosur të mos largohej nga vendlindja. Disa ditë ishte në Prishtinë, por menjëherë u kthye në fshat.
VEPRAT E YMER ELSHANIT:
- Anija e miqësisë (vjersha)– RILINDJA, Prishtinë,1972.
2. Çka ëndërrojne lulet (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë. 1971
3. Ndodhitë e Hundëkarrotës (roman) – RILINDJA, Prishtinë.1971
4. Loti udhëtar (tregime) – RILINDJA, Prishtinë, 1977
5. Ishulli i lumturisë (tregime)- RILINDJA, Prishtinë,1973
6. Aventurat mbi trotinetin e vjetër (roman) – RILINDJA, Prishtinë,1975
7. Guri i çmueshëm (tregime) – RILINDJA, Prishtinë,1977
8. Unaza magjike (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë,1980
9. Plaku me violinë (tregime) – RILINDJA, Prishtinë1984
10. Kaloresi i bardhë (poemë) – RILINDJA, Prishtinë, 1987
11. Perjetimet e bardhoshit (tregime) – RILINDJA, Prishtinë,1989
12. Ylli ëndërrimtar (vjersha) – RILINDJA, Prishtinë, 2000
13. Vajza e diellit (tregime) – RILINDJA, P. 2000
14. Njohja e trimave (tregime e përralla), ROZAFA, Prishtinë, 2000
15. Perralla per ylberin (poemë) – ROZAFA, Prishtinë,2000
16. Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura) – ASDRENI, Shkup, 2000
17. Zogu i lirise (vjersha) – ZEF SEREMBE, Prishtinë, 2001
18. Le të vijë në Sharr pranvera (poema) – ROZAFA, Prishtinë, 2002
19. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha) – GUTENBERG, 2001
20. Flokargjendta (tregime të zgjedhura) – ROZAFA, Prishtinë, 2004
21. Udhetimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman) – Prishtinë, 2008
Pas vdekjes, iu botuan edhe librat e tjerë që Ymer Elshani pati lënë në dorëshkrim:
- Ylli ëndërrimtar (vjersha, 2000),
23. Vajza e diellit (tregime, 2000),
24.Njohja e trimave (tregime e përralla, 2000),
25. Përralla për ylberin (poemë, 2000),
26.Gjeli i kuq (tregime të zgjedhura, Shkup 2000),
27. Zogu i lirisë (vjersha, 2001),
28. Le të vijë në Sharr pranvera (poema, 2002),
29. Gjelastreni mendjelehtë (vjersha, 2003),
30. Flokargjendta (tregime të zgjedhura, 2004),
31. Udhëtimet e Xhuxhimaxhuxhit (roman, 2008).
(Burime të këtij teksti janë përdorur të dhënat e Halil Bogajt, Arif Veliut dhe dr. Xhevat Sylës)
Rifat KUKAJ
YMER ELSHANIT
Ahiii, vëlla i shtrenjtë, Ymer Elshani
Parandjej se derisa t’jem gjallë
Në plagë t’hapur do m’pikoj katrani
Lot i shpirtit do m’këlthasë n’qëpallë!
Pa ty netët zvarritën ngathtë – ngathtë
Për n’vendlindje udha m’është shëmtuar
Se ç’na e theve, ore krahun e djathtë
Me stuhinë e dhembjes së pashëruar!
Në orët letrare tani si të shkojmë
Pa buzëqeshjen tënde aq bujare?
Kurreshtarëve mësues c’ka t’u thomë
Dhe zogjtë që çukisin në abetare?!
Si do t’na vijë lejleku i parë
Pa ëndrrën tënde n’flatra o mik?
Si do mbijë kokërr gruri n’arë,
Pa afshin e vargut të ri – lirik?
Më bëhet sikur më le një porosi
Që më erdhi me zërin tënd të gjallë
“Ma përkëdhel gjithandej çdo fëmijë,
M’ia fshij lotët shkurtabiqit n’përrallë!”
Kjo Drenica jonë përherë e zhuritur
Nën rrufetë e këtij qielli të nxirë,
Yje t’çiltër lindi e të ndritur
Që barbarët i krodhën nē humbëtirë!