• Today is: Thursday, November 14, 2024

SIMBOLIKA E 28 QERSHORIT: PSE POLITIKA SERBE “VARET” NË MITIN E VIDOVDANIT DHE KOSOVËS

fakti
June28/ 2023

Mitologjikja gjithnjë e më shumë e ndrydh historinë reale, për të kryer përgatitjen ideologjike për luftërat ballkanike dhe dëbimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani. Në shekullin e 20-të, herë rastësisht dhe herë me qëllim, shumë ngjarje historike ndodhën në Vidovdan

Qeveria e sotme [e Serbisë], si dhe regjimi i Sllobodan Millosheviqit, i pafuqishëm për të dhënë përgjigje thelbësore për pyetjet dhe problemet e së ardhmes sonë, na kthen në të shkuarën, atë mitologjike, të imagjinuar, inekzistente, në dëshirën për t’u “fiksuar” në mitin e Vidovdanit dhe të Kosovës, për të shpërdoruar edhe një herë historinë, ta falsifikojë dhe deformojë atë, duke u përpjekur të pozicionohet si një lloj mbrojtës i interesave kombëtare serbe. Dhe sipas gjithçkaje që bëjnë dhe si e trajtojnë shoqërinë tonë, asgjë nuk mund të jetë më larg se kaq, thotë historiani Milivoj Beshlin në një intervistë për portalin N1.

“Simbolika e Vidovdanit pasqyron mitologjinë dhe historiken, realitetin dhe legjendën dhe kështu ka qenë që nga shekulli i 19-të. Përkatësisht, me Konventën e fshehtë ndërmjet Austro-Hungarisë dhe Serbisë, e cila u nënshkrua më 28 qershor 1881, Serbia duhej të hiqte dorë nga pretendimet territoriale ndaj Bosnje-Hercegovinës dhe sanxhakut të Novopazarit si zonë e interesit të Vjenës”, thotë Beshlin.

Bashkëbiseduesi i portalit N1 thekson se pas kësaj Serbia e ka orientuar zgjerimin e saj kah jugu, drejt Kosovës dhe Maqedonisë, kur për nevoja të politikës shtetërore dhe propagandës së saj, sajon “besëlidhjen e Kosovës”, “hakmarrjen e Kosovës”.

“Si pjesë e kësaj, Vidovdani është edhe ditë mitologjike e sakrificës dhe martirizimit serb, dita kur u zhvillua Beteja e Kosovës, vdiq princi Llazar Hrebelanoviq, i cili, sipas interpretimit mitizues të së kaluarës, zgjodhi ” mbretërinë qiellore”. Të gjitha këto mbeten koordinatat kryesore romantike dhe mitologjike të ideologjisë së nacionalizmit serb edhe sot e kësaj dite”, vëren Beshlin.

Rrjedhimisht, shton bashkëbiseduesi, përkujtimi i parë joformal dhe më pas zyrtar i Vidovdanit u prezantua gradualisht, për herë të parë në vitin 1889, në 500-vjetorin e Betejës së Kosovës.

Pas kësaj, mitologjikja gjithnjë e më shumë e ndrydh historinë reale, për të kryer përgatitjen ideologjike për luftërat ballkanike dhe dëbimin e Perandorisë Osmane nga Ballkani. Në shekullin e 20-të, herë rastësisht dhe herë me qëllim, shumë ngjarje historike ndodhën në Vidovdan – nga atentati i Sarajevës më 1914 dhe miratimi i kushtetutës së parë jugosllave më 1921, deri te Rezoluta e IB-së e Stalinit më 1948 dhe promovimi i Slobodan Millosheviqit në lider gjithëserb në vitin 1989, deri në ekstradimin e tij në Gjykatën Ndërkombëtare në vitin 2001, ku u gjykua për krime lufte dhe gjenocid”, numëron Beshlin.

Në Vidovdan të vitit 1989, në Gazimestan u shënua 600-vjetori i Betejës së Kosovës, dhe ngjarja qendrore në tubim ishte fjalimi i presidentit të atëhershëm të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili filloi ngritjen meteorike të atij politikani serb.

Millosheviqi atëherë tha se “nuk përjashtohen as betejat e armatosura”, gjë që shumë e interpretuan si një shpallje lufte dhe fillimi i luftës për zgjerim territorial dhe rivizatim të kufijve të ish-Jugosllavisë, e cila tashmë ishte tronditur nga një krizë e thellë e marrëdhëniet ndëretnike.

Vidovdani ishte edhe kur Millosheviqi u ekstradua në Tribunalin e Hagës në vitin 2001, i cila në vitin 1999 e akuzoi për krime lufte në Kosovë. Ish-presidenti i Serbisë dhe RF të Jugosllavisë, i dyshuar për shpërdorim detyre, u arrestua më 1 prill 2001.

Beshlin thekson se nuk ishte vetëm Millosheviqi në mitomaninë e tij që luajti me epikën, etikën dhe simbolikën e Vidovdanit, duke kujtuar se të njëjtën gjë bëri edhe opozita serbe, e cila në vitin 1992 organizoi një nga tubimet më të mëdha në vitet 1990 dhe e quajti Kuvendi i Vidovdanit.

Kuvendi i Vidovdanit zgjati vazhdimisht deri më 5 korrik 1992 dhe u organizua nga Lëvizja për Ripërtëritje Serbe (SPO) me pjesëmarrjen e grupeve të tjera politike si një grup anëtarësh të Partisë Demokratike (e cila më vonë u nda në Partinë Demokratike të Serbisë) dhe Partia Liberale Serbe.

Në të njëjtin vend, dhjetë vjet më vonë, u mbajt Kuvendi i Dytë i Vidovdanit, me kërkesë për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në të gjitha nivelet, dhe SPO-ja ishte përsëri në mesin e organizatorëve të kuvendit. Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare u kërkuan në Vidovdan 2010 nga Partia Progresive Serbe e atëhershme opozitare, së cilës iu bashkuan Serbia e Re dhe Partia Demokratike e Serbisë.

Se sa e rëndësishme është simbolika e Vidovdanit edhe sot e kësaj dite tregon fakti se ndarja ceremoniale e librezave të nxënësve për nxënësit nga klasa e parë deri në klasën e shtatë organizohet më 28 qershor. Dhe mu në Vidovdan, pjesa nga Strazhevica deri në unazën e Bubanj Potokut në bypass-in rreth Beogradit, ndërtimi i të cilit filloi në vitin 1991, do të jetë i hapur.

Dhe mu në Vidovdan, do të hapet pjesa nga Strazhevica deri në unazën e Bubanj Potok në bypass-in rreth Beogradit, ndërtimi i të cilit filloi në vitin 1991.

(N1, përkthimi: D. Gashi)/ transmeton Gazeta FAKTI