Tarifa e lirë për qytetarët për dy orë në ditë pritet të kthehet në muajin nëntor, me qëllim që qytetarët më lehtë të përballojnë sezonin e dimrit kur rriten edhe të gjitha harxhimet e tjera jetësore. “Nga 1 dhjetori kthejmë tarifën e lirë për energjinë elektrike”, ka shkruar ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi në profilin e tij në Facebook. Ministri njoftoi se nuk ka rritje të çmimit të energjisë elektrike.
Çmimi i ri i rrymës do të varet nga vendimi qeveritar për kthimin e Tatimit të Vlerës së Shtuar në 18 për qind nga 10 për qind sa është aktualisht, thonë nga Komisioni Rregullator për Energjetikë.
Sipas numrit një të këtij institucioni Marko Bislimovski, po bëhen përpjekje maksimale të mos shtrenjtohet rryma, ndërsa shton se sipas tij nuk duhet të rritet TVSH-ja në kushte të çmimeve akoma jo të stabilizuara deri në fund të rrymës dhe gazit në tregun vendor dhe evropian.
Dy vite më parë me vendim qeveritare u ul TVSH-ja e energjisë elektrike për amvisëritë. Me votimin e deputetëve, më 15 korrik 2021 Parlamenti miratoi zgjidhjen ligjore, apo propozimin e Ministrisë së Financave.
Përkundër kthimit eventual të TVSH-së për rrymën në 18 për qind, çmimi përfundimtar i rrymës do të varet edhe nga kalkulimet me pranimin e harxhimeve të kompanive energjetike dhe çmimit prej 53 euro për megavat që Elektro ekonomia e Maqedonisë i ofron për EVN deri në fund të vitit.
Javën e kaluar u bë e ditur se 53 euro për megavat orë është çmimi që EEM ka ofruar në tenderin e furnizuesit universal, EVN HOME. Me këtë çmim ventralet shtetërore do të shesin deri në fund të vitit energjinë e prodhuar. Ai është tre euro ose 5.3 për qind më i ulët se çmimi i mëparshëm, i cili ishte 56 euro për megavat orë. Gjithashtu ndër parametrat që do të ndikojnë në çmimin e ri të rrymës janë edhe çmimi me të cilin EEM ia shet energjinë EVN Home, çmimi i Operatorit të Sistemit të Transmetimit MEPSO , çmimi i Operatorit të Tregut të Energjisë Elektrike MEMO, si dhe çmimi i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes apo Elektrodistribucioni.
Njëherësh paralajmërohet rritje e çmimit për ato që harxhojnë më shumë rrymë në bllokun e tretë dhe të katërt, dhe ulje e çmimit për konsumatorët që harxhojnë më pak rrymë në bllokun e parë dhe të dytë.