• Today is: Sunday, November 24, 2024

“SORAVIA”, NJË QENDËR TREGTARE QË SHKAKTON DEBAT ME DYSHIME E (KUNDËR)ARGUMENTE

fakti
June27/ 2023

“Soravia”, është një qendër tregtare luksoze në qendër të Shkupit. Blerja e kësaj qendre tregtare ka nxitur debate të shumta në opinionin publik  për shkak se një nga blerësit është nipi i kreut të Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.  Një partner tjetër në këtë biznes është Vladimir Pjetërgjokaj, një shtetas shqiptar. Dy aksionarët kryesorë zotohen se do të marrin përsipër borxhin prej rreth 20 milionë eurosh të kompanisë.

Soravia deri më tani ka pasur një pronar të huaj i quajtur Hanno Soravia. Shkaku i nxitjes së debateve dhe interesit tek publiku është se kjo kompani e vlerësuar në disa milionë euro së shpejti pritet të bëhet pronë e Drin Ahmetit dhe Vladimir Pjetërgjokajt.

Drin Ahmeti do të posedojë 39% të aksioneve të Q.T. Soravia. 51% do t’i ketë kompania PE-VLA-KU nga Shqipëria, ndërsa 10% do t’i mbeten pronarit të deritanishëm, biznesmenit Hano Soravia. Asnjëra prej palëve nuk deshi ta tregojnë shumën totale të marrëveshjes për shit-blerje, edhe pse në opinion përflitet se kapë shumën e 30 milionë eurove. Drin Ahmeti thotë se ai personalisht nuk ka dhënë asnjë qindarkë ndërsa në partneritet me kompaninë PE-VLA-KU, kanë tërhequr linjë kreditore prej 6 milionë eurove, informon Tv21.

Përfaqësuesi i kompanisë PE-VLA-KU, Vladimir Pjetërgjokaj, tha se ai ka vlerë të madhe dhe asete të mëdha në bankën Credins, prandaj ia kanë pranuar kërkesën për kredi. Me Drinin thotë se njihet tanimë pesë vite.

“Marrëdhënia me Drinin është se ky është shqiptar, unë jam shqiptar. Kemi miq të përbashkët, ka pesë vite që e njoh. Ka mbi katër vite që është pjesë e bordit tim për projektet në Itali”, tha Pjetërgjokaj.

Në bisedë u përfshi edhe biznesmeni Hano Soravia, pronar i kompleksit Soravia. Ai tha se në fillim nuk ka pasur njohuri se cilës familje i përket Drin Ahmeti por se ka besuar në aftësitë e tij.

“T’u them të vërtetën, nuk e dija mbiemrin e tij. Besoja në arsimimin e tij , besoja në aftësitë e tij për negociata. Më vonë mësova mbiemrin e tij sepse ne besojmë në personalitet dhe nuk besojmë në lidhjet politike”, u shpreh Soravia.

Sipas informacioneve që dha Ahmeti, borxhi i kompanisë momentalisht është 20 milionë euro, dhe ata si aksionarë kanë marë përsipër ta mbulojnë të njëjtën. Drin Ahmeti siguron se xhaxhai i tij Ali Ahmeti nuk ka gisht aspak në jetën e tij afariste, madje thashethemet nëpër media ia dëmtojnë biznesin.

“Jam krenarë që e kam xhaxha, por ai nuk ka të bëjë fare me biznesin tim. Asgjë, zero! Dhe kjo, që mediat nuk e dinë, po më dëmton tek njerëzit e rrjetit tim të biznesit”, tha më tej Ahmeti.

Mbi këtë blerje të nipit të Ali Ahmetit, ditëve të fundit ka pasur akuza edhe nga opozitarja VMRO-DPMNE duke ngritur pyetjen se si një 24-vjeçar arriti të blejë biznes në qendër të Shkupit në vlerë 30 mln euro, transmeton Gazeta FAKTI.