• Today is: Sunday, November 24, 2024

Lëndët për Merkon “humbën” në labirinthet e gjykatës

fakti
June23/ 2023

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit sot në një konferencë për media informoi për të gjitha aktivitetet që janë ndërmarrë nga ana e tyre për të vënë në dukje parregullsitë në sjelljen e kryetarit të qytetit të Strugës, Ramiz Merko, i cili është futur në listën e zezë në SHBA.

Shkup, 23 qershor, 2023 – Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) qysh në vitin 2019 ka ngritur alarmin për parregullsi në punën e kryetarit të Komunës së Strugës, Ramiz Merko, por rastet e diskutueshme kanë “humbur” në labirintet e gjykatave.

Kryetarja e Komisionit kundër korrupsionit, Biljana Ivanovska, thotë se nuk është e nevojshme që dikush nga jashtë të dalë në një konstatim të tillë, sepse komisioni ka bërë shumë punë, por ata që nuk veprojnë sipas udhëzimeve të tyre janë institucionet, informon DW në gjuhën maqedonase.

“Ka segmente që nuk i lejojnë institucionet të funksionojnë siç duhet. Dhe, nëse kësaj i shtoni mungesën e integritetit tek individët që janë vendosur në mënyrë të papërshtatshme në një pozicion të caktuar, të cilët duhet të kthehen ​​nga ku janë vendosur, bëhet shumë e qartë se si do të funksionojnë gjërat“, thotë Ivanovska.

Komisioni kundër korrupsionit sot në një konferencë për media informoi për të gjitha aktivitetet që janë ndërmarrë nga ana e tyre për të vënë në dukje parregullsitë në sjelljen e kryetarit të qytetit të Strugës, Ramiz Merko, i cili është futur në listën e zezë në SHBA. Komisioni me iniciativën e tij ka hapur një çështje ndaj Merkos që në maj të vitit 2019, pas reagimeve të shumta në opinion.

Deri në Këshillin Gjyqësor në vitin 2019, po ashtu raportohej se Merko ka ndikuar në Gjykatën Themelore të Strugës që të rrisë minimumin e tij për prokurim publik në kushtet e bllokimit të llogarive komunale. Në vitin 2017, Gjykata e Strugës lejoi kryetarin e komunës të blejë një automjet zyrtar luksoz. Për shkak të dyshimeve për ndikim politik, është dorëzuar peticion në Këshillin Gjyqësor, por nuk ka asnjë gjurmë të rastit, u tha në konferncën sotme.

“Kemi dyshuar se kjo është bërë për shkak të ndikimit politik te gjyqtari i cili ka vepruar në emër të debitorit – Komuna e Strugës – për rritjen në minimum të mjeteve për kryerjen e veprimtarisë themelore të komunave, sepse për dy zgjidhje me të njejtat gjendje faktike, janë marrë vendime të ndryshme”, thotë Ivanovska.
Për shkak të mungesës së masave, lëndët ej Merkos ndërkohë janë vjetruar, por antikorrupsionistët mbajnë në dosjet e tyre të gjitha nismat që kanë dorëzuar pranë institucioneve ku kanë vënë në dukje abuzimet.
Prokuroria publike të enjten me anë të një komunikate për media ka njoftuar se kundër kryetarit të Strugës në prokurori janë në pritje gjashtë lëndë dhe disa prej tyre janë të bllokuara për shkak të ekspertizës.
“Ne  kemi ekzistuar në këto katër vite e gjysmë. Kemi punuar shumë dhe nuk duhen 8000 kilometra udhë për të ardhur dikush deri te gjetjet”, tha Ivanovska, duke aluduar në raportin e fundit të DASH ku Ramiz Merko shpallet “persona non grata”, transmeton Gazeta FAKTI.