Eva Buzo është 35-vjeçarja shqiptare, e cila jeton në Australi dhe ka marrë një sfidë të jashtëzakonshme. Ajo ka vendosur të sfidojë veten duke përshkuar me not distancën nga Bari, Itali, për në Vlorë.
Eva Buzo është gruaja e parë që ndërmerr një sfidë të tillë duke vendosur që të përshkojë me not distancën nga Italia për në Vlorë.
Ajo zbuloi se është përgatitur për këtë sfidë që mund të zgjasë nga 35-40 orë. Buzo theksoi se do t’i përmbahet të gjitha rregullave, që përfshijnë qëndrimin larg varkës si dhe mos pajisjen me kostum noti apo anti-peshkaqen.
“Po përgatitem prej një kohe të gjatë. Kam menduar për vështirësitë, por kur e mendoj sa i bukur është deti, sa bukur është të notosh, sa e lumtur do të jem kur të arrij tokën. Sidomos kur noton gjatë natës dhe sheh kur lind dielli është shumë bukur. Kur e mendoj se ç’ do te ndodhë nesër, kam vetëm emocione pozitive. Falë kësaj eksperience do lidhem me të shkuarën time, në origjinën time dhe kjo më mbush zemrën”, tha Buzo.
Eva Buzo po ashtu tregoi se një pjesë e mirë e familjarëve dhe fisit me origjinë shqiptare do jenë duke e pritur në Vlorë. Vlen të përmendim se ajo do të jetë e para grua që do të bëjë këtë distancë me not nëse arrin që ta realizojë me sukses.