• Today is: Monday, April 29, 2024

Gara për rektor në UT/ Tërhqien tre kandidatë

fakti
June21/ 2023

Tre kandidatë që garuan për t’u zgjedhur rektor i Universitetit të Tetovës, janë tërhequr. Përveç presioneve ndaj profesorëve, këta tashmë ish-kandidatë janë shprehur se presione politike ka edhe ndaj familjarëve të profesorëve, duke ju bë shtypje atyre që të votojnë për kandidatin Jusuf Zejneli.

Në letrën e dorëheqjes, ata i dorëzuan 3 kërkesa Qeverisë së RMV-së dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. 1- Të shkarkohet kryetari i Senatit, me gjithë senatin, për shkak të vendimeve të jashtëligjshme, të konfirmuara nga Inspektorati i Arsimit të Lartë. 2- Të shkarkohet UD.Rektori Kushtrim Ahmeti, i zgjedhur në mënyrë të jashtëligjshme, sipas raportit të Inspektoratit të Arsimit të Lartë. 3- Kërkojmë nga MASh, të caktojë UD.Rektor, apolitik, me kredibilitet moral dhe intelektual që do të udhëheqë procesin e zgjedhjes së organeve të reja të UT-së, informon koha.mk.

Më tutje, në letrën e dorëheqjes kandidatët thonë se qëndrimi i tyre në këtë garë vetëm do të legjitimonte një proces të kapur, të kurdisur dhe me plot presione nga ish-rektori, tani kryetar i Senatit, Vullnet Ameti.

“Promovimet tendencioze të programeve të kandidatëve para stafit akademik, duke u prononcuar haptas me aklamacion për njërin nga kandidatët, presionet e ndryshme nëpërmjet njësive akademike, vizitat e shpeshta në fakultetet e kundërkandidatëve nga ana e kryetarit të senatit dhe u.d. rektorit, për të shantazhuar të njëjtit dhe promovuar kandidatin e preferuar, deri në thirrjet individuale të mësimdhënësve duke ushtruar presione të formave të ndryshme. Që gara të bëhet edhe më e pakuptimtë këtu i shtojmë edhe presionet politike mbi profesorët, gjegjësisht familjarët e tyre. Pjesëmarrja e mëtejme në këtë garë veëm se do të legjitimonte këtë proces që është gjithçka tjetër përpos një garë e lirë akademike” shkruan në këtë letër, transmeton Gazeta FAKTI.