“Kryetari Merko është i pari për këtë vit, por presim të ketë më shumë. Korrupsioni ka pasoja”, shkruan ambasadorja e SHBA-ve në RMV, Angela Aggeler.
Departament amerikan i Shtetit shpalli sot non grata Ramiz Merkon, kryetar i Komunës së Strugës në Maqedoninë e Veriut.
Uashingtoni nuk do të lejojë hyrjen e tij në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion të konsiderueshëm. Në njoftimin e Departamentit të shtetit thuhet se kryetar i komunës së Strugës, ka përvetësuar fonde në mënyrë të paligjshme dhe ka ndërhyrë në procese gjyqësore dhe procese të tjera publike, duke dëmtuar besimin e publikut ndaj institucioneve demokratike të Maqedonisë së Veriut.
Veprimi i sotëm thuhet më tej në njoftim dërgon mesazhin se Shtetet e Bashkuara qëndrojnë krah Maqedonisë së Veriut për të nxitur stabilitetin përmes forcimit të institucioneve demokratike dhe trajtimit të mangësive që lidhen me sundimin e ligjit.
Sipas njoftimit nuk do t’i lejohet hyrja në Shtetet e Bashkuara edhe bashkëshortes së Ramiz Merkos, Shpresa Merko, si dhe tre fëmijëve të tyre në moshë të rritur, Gencit, Nazmijes dhe Drenushës.
Ky përcaktim ripohon angazhimin e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, i cili dëmton interesin publik, pengon prosperitetin ekonomik të vendeve dhe pakëson aftësinë e qeverive për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive nevojave të njerëzve të tyre përfundon njoftimi i Departamentit amerikan të Shtetit, informon VOA.
Koordinatori për antikorrupsion në Departamentin Amerikan të Shtetit, Richard Nephew, në një intervistë për redaksinë shqiptare të “Zërit të Amerikës” tha se nuk mund të ndahen më shumë detaje se pse kryetari i Komunës së Strugës, Ramiz Merko është futur në listën e zezë amerikane. Vendimi u mor sepse Sekretari i Shtetit kishte informacione të besueshme që sugjeronin se Merko ishte i përfshirë në korrupsion masiv. Dhe kështu sipas ligjeve, kur sekretari vjen në atë përfundim, përcaktimi i dikujt është ligjërisht i detyrueshëm, siç ndodhi sot, shpjegon Nephew.
Diplomati amerikan shton se nuk mund të zbulojë provat konkrete, por nga informacionet që janë publikuar në kuadër të njoftimit, bëhet fjalë për keqpërdorim të mjeteve dhe ndërhyrje në procese gjyqësore.
“Dhe e dini, duke pasur parasysh natyrën e vendimeve dhe bazën e tyre ligjore, ky është informacioni që ne mund t’i japim publikut për këtë rast”, tha Nephew.