• Today is: Sunday, November 24, 2024

KOSOVËN E PRET NJË JAVË VENDIMTARE NË RAPORT ME BASHKËSINË NDËRKOMBËTARE DHE ME SERBINË

fakti
June19/ 2023

Bashkimi Evropian (BE) u ka bërë thirrje kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, që të pranojnë ftesën për pjesëmarrje në takimin e krizës në Bruksel, duke mos vendosur asnjë kusht. Kosova vendos për takimin e Brukselit pasi të vizitohen policët e rrëmbyer

Përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin për një takim në Bruksel gjatë kësaj jave, në mes të tensioneve të rritura mes dy shteteve.

BE-ja ka paralajmëruar se mospërfillja e kësaj ftese mund të ketë pasoja për palët.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka thënë se Borrelli ka ftuar dy liderët për t’u takuar në Bruksel “për të gjetur dalje nga kriza që po e shohim dhe për t’u kthyer në rrugën e dialogut”.

“Data nuk është caktuar ende sepse palët nuk e kanë konfirmuar pjesëmarrjen. Borrell pret një sjellje më të përgjegjshme nga dy liderët. BE pret që ata të vijnë pa kushtëzime. Blloku evropian po e përcjell situatën për të parë se a janë palët e gatshme për të gjetur zgjidhje”, ka thënë Stano gjatë një konference për medie, raporton “Rel”.

Ai ka thënë të hënën gjatë takimit të ministrave të BE-së çështja e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë do të jetë në agjendë.

“Ftesa e Borrellit është ofertë dhe mundësi për ta që të dëgjojnë se pas të gjithave mund të jenë konstruktivë. Nuk është ftesë për të kënaqur Brukselin, por është për nevojën që të ulen tensionet dhe për të ardhmen evropiane të qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë. E për këtë, askush tjetër përveç Vuçiqit dhe Kurti nuk është përgjegjës”, ka thënë Stano.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendimin për të shkuar në Bruksel për takim me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq do ta marrë pas vizitës të shefit të zyrës ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari tek tre policët e rrëmbyer që po mbahen në paraburgim në Kralevë.

Kurti ka thënë se Jashari pritet të shkojë nesër (e martë) në qendrën e paraburgimit dhe më pas do të vlerësojë për takimin me Vuçiqin.
Ndërkohë, Kurti ka kërkuar nga Policia e Kosovës ta reduktojë numrin e pjesëtarëve të saj në katër komunat veriore gradualisht dhe proporcionalisht me kushtin që të ketë sundim të ligjit.

“Për shkak se ka ekstremistë të ndryshëm dhe për shkak se ka grupe kriminale, duhet të ketë Polici të Kosovës në këto ndërtesa, unë kam kërkuar që Policia e Kosovës ta zvogëlojë numrin e policëve gradualisht, me sundimin e ligjit që bën që të përballen me drejtësi ata kriminelë që sulmuan KFOR-in dhe gazetarët. Për Policinë e Kosovës, çdo komunë është e njëjtë dhe veprimi i tyre bëhet duke u bazuar në Kushtetutë”, ka thënë Kurti.

Vuçiq: Dialogu me Kurtin nuk ka kuptim, ai do luftë me çdo çmim

 Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 18 qershor se nuk do të marrë pjesë në takimin me kryeministri e Kosovës, Albin Kurti, që është thirrur nga Brukseli.

“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.

Vuçiq saktësoi se do të vendosë nëse, siç tha ai, “teknikisht të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

“Por, të flasim me Kurtin, jo”, shtoi ai.

Rama: Albin nëse vazhdon kështu, gëzuar Republika e KFOR-it në veriun e Kosovës,!

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në lidhje me rrëmbimin e tre policëve të Kosovës nga forcat serbe.

Madje Rama i ka thënë Vuçiqit se nëse nuk lirohen policët, raportet mes Shqipërisë e Serbisë do të ftohen.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen! Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon” shkruan Rama në reagim, transmeton Gazeta FAKTI