• Today is: Monday, November 25, 2024

INSTITUTI ALBANOLOGJIK I PRISHTINËS, RRUFEPRITËSI GUXIMTAR QË DËBONTE RETË E ZEZA MBI KOSOVË!

fakti
June19/ 2023

Instituti Albanologjik ishte nervatura më aktive e përçimit të ideve që herë kishin trajtën e hulumtimeve shkencore, herë të botimeve të veçanta, e herë të konferencave me karakter gjithëkombëtar. Duke qenë një zë i fuqishëm në përhapjen e dijeve albanologjike, Instituti që sot kremton 70 vjetorin e themelimit, paraqet shkallën më sipërore të valorizimit shkencor, me një varg suksesesh e arritjesh brenda dhe jashtë vendit.

 

Nga Skender ASANI

 

 

Historia e një populli nuk dëshmon vetëm lashtësinë e tij, por edhe substancën etno-kulturore me të cilën u ndërtua ajo histori. Sa më cilësore të jetë ajo substancë, po aq më rezistuese bëhet qenësia e një populli ndaj kanosjeve, qofshin ato politike, ushtarake, apo civilizuese.

Kosova nuk ka histori të gjatë shtetndërtimi, por pati fatin të kultivojë një elitë të shëndoshë shkencore kulturore, e cila ishte bërthama kryesore e ndërgjegjësimit kombëtar, kusht pa të cilin nuk do ta kishim sot Kosovën shtet të pavarur.

Pjesë e asaj bërthame, pa dyshim që është edhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, i cili sot me shumë dinjitet kremton 70 vjetorin e themelimit. Rrënjët e formimit dhe zhvillimit të këtij Instituti, në fakt janë rrënjët e një rigjenerimi kombëtar i cili po ndodhte bashkë me krijimin e atmosferës për ndryshim të statusit juridik e kushtetues të Kosovës, që si epilog pati shtetin e pavarur.

Instituti Albanologjik i Prishtinës për shumë dekada ishte në shërbim të çështjes kombëtare dhe si i tillë ky Institut, bashkë me elitën intelektuale e shkencore të Kosovës, përshpejtuan procesin e shtetndërtimit.

I ndodhur në kampusin e Universitetit të Kosovës, Instituti Albanologjik ishte nervatura më aktive e përçimit të ideve që herë kishin trajtën e hulumtimeve shkencore, herë të botimeve të veçanta, e herë të konferencave me karakter gjithëkombëtar. Duke qenë një zë i fuqishëm në përhapjen e dijeve albanologjike, Instituti që sot kremton 70 vjetorin e themelimit, paraqet shkallën më sipërore të valorizimit shkencor, me një varg suksesesh e arritjesh brenda dhe jashtë vendit.

Atëherë kur përballja me sfidat e kohës po sillte në sprovë edhe qëndrimet e intelektualëve kundrejt politikave hegjemoniste të Serbisë, ishte pikërisht Instituti Albanologjik i Prishtinës dhe studiuesit e kalibrit të Akademik Rexhep Qoses, ai rrufepritësi guximtar që dëbonte retë e zeza të Millosheviqit mbi qiellin e Kosovës.

Prandaj sot Kosova është plot me rreze lirie, dhe kjo falë sakrificës sublime të popullit dhe guximit të UÇK-së për të rezistuar. Por gjithsesi kjo i atribuohet edhe kontributit madhor të Institutit Albanologjik të Prishtinës, veprimtaria e të cilit është ngushtë e lidhur me kauzën kombëtare dhe me kredibilitetin e argumentimit shkencor të kaluarës iliro-shqiptare të Kosovës.

Nëse e bëjmë një retrospektivë të shkurtër, do të shohim se Instituti Albanologjik në të gjitha etapat e zhvillimit, pati ngritjet dhe rëniet e veta, si pasojë e rrethanave nëpër të cilën kalonte Kosova dhe populli i saj. Por, sado të vështira të kenë qenë ato rrethana, Instituti Albanologjik në asnjë moment nuk e ndryshoi kursin e orientimit kombëtar. Përkundrazi diti të qëndroj stoik përballë furtunave të kohës dhe njëkohësisht ta ruaj të paprekur bërthamën e fermentimit kombëtar të një vetëdije shkencore që ishte drejtpërdrejt në funksion të aspiratave liridashëse të Kosovës.

Uroj që Instituti Albanologjik të vazhdojë të jetë një horizont i gjerë ku studiuesit e rinj do ta gjenin veten, duke absorbuar përvojën dhe dijen e kolegëve më të vjetër. Transferimi i dijeve dhe përvojave nga njëra gjeneratë tek tjetra, paraqet procesin më të natyrshëm të zhvillimit të paradigmave për një progres më të avancuar. Jam i bindur se edhe Instituti Albanologjik do të jetë përfitues i këtij procesi, me shpresë se jubiletë e ardhshëm do ta gjejnë këtë Institut në rrafshe edhe më konkurruese me institutet tjera kombëtare e ndërkombëtare.

Në emër të ITSHKSH, drejtorit dhe mikut tim të dashur, Prof.dr. Hysen Matoshit dhe gjithë punonjësve të Institutit Albanologjik, ia uroj jubileun e 70 vjetorit të themelimit.

Qoftë i bekuar Instituti Albanologjik i Prishtinës!

Ju faleminderit!

Prishtinë, 19 qershor 2023

(Fjalë rasti mbajtur në Konferencën shkencore kushtuar 70 vjetorit të  themelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës)
Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm

Nuk ka asnjë përshkrim të disponueshëm