• Today is: Sunday, November 24, 2024

Historia e njeriut që krijoi bombën atomike: Nga hero në të përndjekur

fakti
June18/ 2023

Më 21 korrik, në kinematë botërore pritet të shfaqet premiera e filmit të bazuar në biografinë e Robert Oppenheimer, “Prometheut Amerikan”, njeriut që konsiderohet si babai i bombës atomike.

Ka disa pretendentë për titullin e babait të bombës atomike.

Mund t’i atribuohet Albert Einsteinit, i cili në vitin 1905 shkroi ekuacionin më të famshëm në histori E=mc2. Ai i tregoi botës se një sasi e vogël materies (m), mund të shndërrohet në një sasi të madhe energjie (E) kur shumëzohet me katrorin e shpejtësisë së dritës (c2), një numër i madh, shkruan elpais.

Ose mund t’i atribuohet Leo Szilard, fizikanit ekscentrik hungarez që vizitoi Einsteinin në Long Island në vitin 1939 dhe e bindi se nazistët mund të merrnin në dorë rezervat e bollshme të uraniumit në koloninë belge të Kongos

Ose ndoshta meritat duhet t’i shkojnë Alexander Sachs, ekonomistit të Lehman Brothers, i cili e kuptoi menjëherë se nëse do të ishte e mundur të krijohej një armë me fuqinë shkatërruese që parashikonin fizikanët, Shtetet e Bashkuara duhet ta ndërtonin.

Dhe, sigurisht, është presidenti amerikan, Franklin Delano Roosevelt, i cili i mori seriozisht të gjitha dhe financoi projektin “Manhattan” për të prodhuar një pajisje vdekjeprurëse.

Por, të gjithë ata zbehen kur krahasohen me Robert Oppenheimer, shkencëtarin kryesor të “Manhattan Project”, frymëzuesit dhe prodhuesit të tij. Ai tërhoqi fizikantët më të mirë të kohës dhe e përdori atë talent për qëllimet më të tmerrshme ushtarake, armën e fundit, që do të ndryshonte historinë e shekullit të XX-të.

Regjisori Christopher Nolan sjell historinë e shkencëtarit të famshëm në ekranin e madh në muajin korrik të këtij viti. Filmi i titulluar Oppenheimer, bazohet në librin biografik të autorëve Kai Bird dhe Martin Sherwin – “American Prometheus: The Triumph and Tragedy of J. Robert Oppenheimer”.

Prometeu amerikan është një vepër monumentale.

Si kolumnist, Bird ashtu sikurse edhe historiani Sherwin janë ekspertë në zhvillimin e armëve bërthamore dhe kanë shpenzuar 30 vjet kohë duke hulumtuar çdo burim në lidhje me Oppenheimer. Biografia u botua në vitin 2005 ndërsa një vit më vonë fitoi çmimin Pulitzer. Sherwin vdiq në vitin 2021.

Libri nuk ka të bëjë vetëm me një shkencëtar në një laborator të largët, top-sekret në Los Alamos, New Mexico, por edhe për jetën e një djali të emigrantëve hebrenj në fillim të shekullit të XX-të në New York – ngritjen si një hero amerikan dhe përfundimin në ‘ferr’.

Oppenheimer është cilësuar me saktësi Prometheus, jo vetëm sepse titani i mitologjisë greke vodhi zjarrin nga perënditë dhe ua dha njerëzve (pjesa më e dukshme e analogjisë bërthamore), por edhe sepse Zeusi u tërbua aq shumë nga ky akt tradhtie sa që Prometheun e lidhi me zinxhirë në malin Kaukaz, në mënyrë që shqiponja t’ia hante mizorisht mëlçinë.

Përkundër faktit se bomba e krijuar nën udhëheqjen e Oppenheimerit në Los Alamos zgjidhi Luftën e Dytë Botërore në favor të vendit të tij dhe kënaqi shumicën e ‘skifterëve’ të Uashingtonit, Partia Republikane humbi besimin te fizikani në vitet 1950 dhe ia shkatërruan jetën dhe reputacionin gjatë Luftës së Ftohtë.

Si i ri, Oppenheimer ka jetuar përgjatë “Depresionit të Madh” të vitit 1929 dhe ngritjes së fashizmit në Evropë (ai studioi fizikën kuantike në Gjermani në vitet 1920). Në New York, ai ishte i përfshirë në lëvizjet sociale në të cilat komunistët dhe simpatizantët e tjerë të krahut të majtë luftuan kundër diskriminimit racor dhe pabarazisë ekonomike.

Më vonë, pasi SHBA hodhi bomba atomike në Hiroshima dhe Nagasaki, Oppenheimer, si shumë shkencëtarë të tjerë me të cilët punoi në Los Alamos, u bë një aktivist i madh kundër përhapjes së armëve bërthamore. 

Me ardhjen në pushtet të republikanëve në vitin 1953, pushteti në Shtëpinë e Bardhë u kap nga figura ushtarake dhe strategët që përkrahnin përdorimin masiv të bombave atomike. Ata shpejt iu kundërvunë Oppenheimerit, hero i shkencës së luftës dhe një zë që kundërshtonte strategjitë e tyre. Kjo ia përshpejtoi rrugën drejt ‘ferrit’ dhe ndikimit intelektual.

Autorët e librit citojnë shkrimtarin njujorkez, E. L. Doctorow, i cili ka shkruar në vitin 1986, “bombat na kanë mbetur në mendje që nga viti 1945. Fillimisht ishte arma pastaj diplomacia dhe tani është ekonomia jonë”. Si mund të supozojmë se diçka kaq monstruoze dhe e fuqishme nuk do të formësojë identitetin tonë pas 40 vjetësh? Gjiganti i madh që kemi ndërtuar kundër armiqve tanë është kultura jonë, kultura e bombave – logjika, besimi dhe vizioni i saj. Ai vizion nuk është zhdukur në kohën tonë dhe ndoshta nuk do të zhduket kurrë”.

Për të shkruar këtë libër, autorët mblodhën mijëra dokumente nga arkivat në mbarë botën, studiuan të gjitha shkrimet e Oppenheimerit dhe folën me të afërmit, kolegët, miqtë, komandantët ushtarakë dhe kontaktet politike

Ata gjithashtu shqyrtuan mijëra faqe që Byroja Federale e Hetimeve (FBI) kishte mbledhur për më shumë se një çerek shekulli të përgjimit të vazhdueshëm, por jo gjithmonë të justifikuar.

Biografia e Byrd dhe Sherwin ofron një pasqyrë të fuqishme të asaj humnere të padepërtueshme; në korrik, Nolan këtë histori do ta sjell në ekranet e mëdha të kinemave.

Ndërsa ishte dëshmitar i shpërthimit të parë të një arme bërthamore më 16 korrik të vitit 1945, Robert Oppenheimer kishte në mendje pjesë të shkrimeve hindu, “Tani jam bërë vdekja, shkatërruesi i botëve”.

Kjo është ndoshta fjalia më e famshme nga Bhagavad-Gita.

Oppeheimer vdiq më 18 shkurt të vitit 1967 ndërsa arma që shpiku i shkatërroi jetën.