• Today is: Thursday, May 9, 2024

Washingtoni tjetër ultimatum Vuçiçit: Liro urgjentisht tre policët e Kosovës

fakti
June18/ 2023

Departamenti Amerikan i Shtetit ka shtuar presionin ndaj Serbisë për lirimin e 3 policëve kosovarë të rrëmbyer me forcë në veri.

Përmes një deklarate, DASH i bëri thirrje presidentit Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij që të nxjerrin nga qelia 3 efektivët. Sipas amerikanëve, ata po mbahen në qeli me akuza të rreme, shkruan Pamfleti.

I bëjmë thirrje presidentit Vuçiç dhe qeverisë së Serbisë që menjëherë dhe pa kushte të lirojnë tre policët e Kosovës të arrestuar më 14 qershor. Arrestimi dhe ndalimi i tyre i vazhdueshëm për akuza të rreme ka përkeqësuar një situatë tashmë të tensionuar.

Ne gjithashtu vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që të ndjekin planin trepikësh të përshkruar nga BE-ja dhe të kthehen pa vonesë në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, thuhet në një deklaratë të DASH.

Të premten një gjykatë në Serbi urdhëroi mbajtjen në paraburgim dhe hetimin e tre policëve të Kosovës, nën akuzat për “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafik të paautorizuar të armëve dhe lëndëve shpërthyese”.

Autoritetet në Prishtinë thanë se policët janë rrëmbyer brenda territorit të Kosovës duke e akuzuar Serbinë për “cenim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore” të Kosovës. Beogradi thotë ndërkaq se policët janë kapur brenda territorit të Serbisë.

“Në të dyja rastet, është shumë e qartë se këta policë nuk kanë pasur qëllim të hyjnë në Serbi dhe ata duhet të lirohen”, tha të premten i dërguari amerikan për Ballkanin Perëdimor, Gabriel Escobar.