Kosova po flijohet për një Gebels të vogël në Beograd, dhe ky është pazari më i ndyrë që po bëhet prapa perdeve dhe në dëm të Kosovës!
Nga Emin AZEMI
Shtensionimi i situatës në veri të Kosovës mund të ndodhë nëse Edi Rama i telefonon A. Vuçiçit dhe kërkon nga ai largimin e gjithë kriminelëve që po mbajnë peng sigurinë e vendit.
Ai mund t’i kërkojë Vuçiçit edhe lirimin e tre policëve të Kosovës…
Por Edi Rama këtë nuk po e bën.
Nëse ndodh kjo, edhe policia speciale e Kosovës e redukton prezencën atje…
Ai e di se kriza në Kosovë është e importuar nga Serbia, por ka zgjedhur të mos jetë në anën e Kosovës. Ai nuk po i ndihmon Kosovës të lirohet nga ankthi që po e shkakton Beogradi…
Koha do ta tregoj se pse po e bën këtë ai.
Ai e anuloi mbledhjen e dy qeverive, me pretekstin se Kosova është acaruar në bashkësinë ndërkombëtare, të cilën ai e quan komuniteti euro-atlantik.
Vitin e kaluar, Rama desh u rrah me gjysmën e diplomatëve në Bruksel duke mbrojtur Maqedoninë e Veriut nga “shantazhet bullgare”.
Ai mbrojti edhe Vuçiçin nga akuzat e BE-së për mosvënien e sanksioneve të Rusisë. Iu përgjërua Borrellit dhe të tjerëve që ta kursejnë mikun e tij Vuçiçin nga masat ndëshkuese të BE-së…
Edi Rama po bën punë të cilat askush nga ai nuk po i kërkon… Nga ai askush nuk ka kërkuar që të luajë rolin e komisarit euro-atlantik, aq më pak është kërkuar nga ai që të jetë kaq i barazlarguar nga Kosova dhe Serbia…
Ai nuk duhet qorrazi të marrë anën e Kosovës, siç e mori anën e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, duke lobuar hapur në favor të Beogradit dhe Shkupit zyrtar, por duhet të shfrytëzojë autoritetin e tij tek Vuçiçi që ky i fundit të përfundojë së manipuluari serbët e Kosovës.
Rama e di saktësisht se serbët e Kosovës janë peng i Vuçiçit, por ka zgjedhur të tregojë karshillëk ndaj Albin Kurtit… Ai ka zgjedhur t’ia lërë duart e lira Vuçiçit në planet e tij ekspansioniste ndaj Kosovës… Edhe këtë askush nuk e ka kërkuar nga Rama…
Në anën tjetër, me kë u koordinua Vuçiç për rrëmbimin e tre policëve të Kosovës?
Pse kjo pyetje mungon?
Por ata që po e përkëdhelin Vuçiçin vazhdojnë të mendojnë se qengji ia turbulloi ujin ujkut, andaj duhet të thërret…
Kosova po flijohet për një Gebels të vogël në Beograd, dhe ky është pazari më i ndyrë që po bëhet prapa perdeve dhe në dëm të Kosovës!
Në vend se Serbia tani të përjetonte në lëkurë sanksionet e BE-së për mos-shkëputjen nga Kremlini, komuniteti euro-atlantik i Ramës po planifikon sanksione ndaj Kosovës për arsye se kjo e fundit po mbrohet nga aleati i Putinit në Ballkan.
Qengji po mbrohet nga ujku dhe nuk e paskemi ditur që kjo është mëkat!
Madje, sipas profesorit beogradas Nikolla Samarxhiq, Kosova është ende palë e penalizuar në marrëdhëniet me BE-në pasi që liberalizimi i vizave ende nuk ka ndodhur. Prandaj, Serbisë i duhet një Kosovë e pavarur që të pastrohet nga gabimet dhe krimet e së kaluarës dhe në përgjithësi të drejtojë zhvillimin e saj në të ardhmen dhe nuk e shoh të mundur evropianizimin e Kosovës pa evropianizimin e Serbisë, konsderon Samarxhiq.