• Today is: Sunday, November 24, 2024

Avokati Çedomir Stojkoviq flet për gjykimin ndaj tre policëve të kidnapuar

fakti
June16/ 2023

Tre policët e kidnapuar para dy dite në brendësi të Kosovës janë në Kralevë të Serbisë, ku po mbahet momentalisht seanca gjyqësore ndaj tyre.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati serb, Çedomir Stojkoviq përmes një postimi në “Instagram”, ku thotë së prokurori i lartë publik në Kraljevë do të vendos nëse do të propozojë paraburgim dhe më pas gjyqtari do të vendos nëse do të caktojë paraburgim për 30 ditë.

“Tre policët e arrestuar të Kosovës, RZ, BS dhe MS, ndodhen në Kraljevë, ku për momentin është duke u zhvilluar seanca e tyre para Prokurorisë së Lartë Publike në Kraljevë. Pas kësaj, prokurori i lartë publik në Kraljevë do të vendos nëse do të propozojë paraburgim dhe më pas gjyqtari do të vendos nëse do të caktojë paraburgim për 30 ditë. E gjithë kjo duhet të vendoset deri në orën 12:30, kur skadon 48-orët e ndalimit policor.”

Avokati Stojkoviq, ndër të tjera ka shkruar në Instagram se: Sipas Marrëveshjes së Brukselit, Serbia e trajton Policinë e Kosovës si forcë të armatosur legale. Prandaj, nëse pjesëtari i asaj policie gjendet me armë në territorin e Serbisë pa i shkelur ligjet tjera, ai nuk mund të arrestohet, sepse statusi i tij për Serbinë është po aq i ligjshëm sa statusi i policisë së Republikës së Serbisë.  Nëse Serbia bën të kundërtën, do të thotë se po shkel Marrëveshjen e Brukselit. Dhe Serbia po bën pikërisht të kundërtën”.

https://twitter.com/FIGHT_4_RIGHT_S/status/1669603104621199361?s=20

 

Ndërkohë KFOR-i ka njoftuar  se pjesëtarët e atij misioni nuk ndodheshin në zonën ku policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës të mërkurën.

“KFOR-i nuk ishte në zonë kur policia serbe arrestoi tre policë të Kosovës. KFOR-i dërgoi një ekip në zonë dhe vendosi kontakte me përfaqësues të institucioneve të Kosovës dhe autoriteteve serbe. KFOR-i është gjithashtu në kontakt të rregullt me ​​Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit, EULEX”, thuhet në njoftim.

KFOR-i u bëri thirrje të dyja palëve që menjëherë të ulin tensionet dhe të përmbahen nga veprimet e njëanshme që mund të çojnë në eskalim të mëtejshëm.

“KFOR-i po monitoron situatën dhe vazhdon të zbatojë plotësisht mandatin e tij bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë. Gjithashtu, KFOR-i vazhdon të ofrojë kornizën e nevojshme të sigurisë për të inicojë dialogun që udhëheq BE për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet në deklaratë, tranmseton Gazeta FAKTI.