• Today is: Sunday, November 24, 2024

PROFESORI I SHQUAR NGA BEOGRADI: JEMI NË NJË SITUATË ABSURDE QË PERËNDIMI NDËSHKON KURTIN DHE I LEJON POTHUAJSE GJITHÇKA VUÇIQIT

fakti
June16/ 2023

“Ne vijmë në një situatë tjetër absurde, që Perëndimi ndëshkon Kurtin dhe i lejon pothuajse gjithçka Vuçiqit”, thotë Samarxhiq

Serbisë i duhet një Kosovë e pavarur që të pastrohet nga gabimet dhe  krimet e së kaluarës dhe në përgjithësi të drejtojë zhvillimin e saj në të ardhmen dhe nuk e shoh të mundur evropianizimin e Kosovës pa evropianizimin e Serbisë,nënvizon Nikola Samarxhiq , historian, në një intervistë për Geopost dhe profesor i shquar i Fakultetit Filozofik në Beograd.

Sa i përket qëndrimit të Perëndimit ndaj Vuçiqit dhe Serbisë, bashkëbiseduesi i Geopost tregon se Perëndimi filloi të reagojë me vonesë ndaj problemeve të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Dhe përderisa korrupsioni është politik, jo vetëm ekonomik, dhe e kam fjalën për ndikimin rus dhe kinez, janë dy pika të rëndësishme të bastionit ekonomik të Vuçiqit – veriu i Kosovës dhe porti i Tivarit – prej nga transferohen substancat ilegale”.

Samarxhiq konsideron  se forcat e shtuara të KFOR-it, në veri të Kosovës, kontribuojnë në ndarjen e Kosovës për momentin, duke kujtuar deklaratën e fundit të kryetarit të Listës Serbe në të cilën ai shpreh kënaqësinë për përforcimet e miratuara nga KFOR-i në kuptimin se ata respektojnë angazhimet e marra dhe se ai u beson atyre.

“Dhe jo vetëm me atë shembull, ne vijmë në një situatë tjetër absurde, që Perëndimi ndëshkon Kurtin dhe i lejon pothuajse gjithçka Vuçiqit dhe pengjeve të tij në Bosnjë dhe Mal të Zi, dhe të tillë janë gjithnjë e më shumë në Zagreb”, thotë Samarxhiq.

Sipas tij, Kosova është ende palë e penalizuar në marrëdhëniet me BE-në pasi që liberalizimi i vizave ende nuk ka ndodhur.

“Përveç sanksioneve ndaj Kosovës, do të shtoja një qëndrim diskriminues të BE-së në përgjithësi ndaj myslimanëve të Ballkanit, të cilët kanë të drejtë të jenë evropianë, deri në atë masë dhe më shumë se kaq, si myslimanët në Gjermani apo Francë”, transmeton Gazeta FAKTI.