Kjo ekspertizë i analizon arsyet e bllokimit aktual të negociatave të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Ajo dëshmon se dialogu po udhëhiqet nga Lehtësuesi aktual i BE-së në mënyrë tejet të pabalancuar, aq sa e rrezikon vazhdimin e procesit. Duke e akomoduar refuzimin e Serbisë për ta nënshkruar Marrëveshjen Bazë të Brukselit të datës 27 shkurt 2023, procesi duket se fokusohet vetëm në çështjet që Republika e Serbisë do që të diskutohen dhe të cilat kërkojnë sakrifica vetëm nga Republika e Kosovës. I gjithë procesi, përfshirë edhe nismën gjermano-franceze për një marrëveshje bazë, duket se është transformuar në një makineri për t’i bërë trysni Kosovës që t’i pranojë kërkesat e Serbisë duke e injoruar plotësisht balancën e pretenduar të Marrëveshjes Bazë të Brukselit. Ky fakt bëhet edhe më i rëndë me humbjen e besimit te tehtësimi i BE-së dhe qasjen i saj të gabuar, të pabalancuar e ndonjëherë edhe joprofesional gjatë procesit.
Analizën e ka realizuar prof. dr Marc Weller. Autori është profesor i së Drejtës Ndërkombëtare dhe i Studimeve Kushtetuese Ndërkombëtare në Universitetin e Cambridgeit. Ka këshilluar në dhjetëra negociata ndërkombëtare dhe në procese kushtetuese. Është autor, redaktor e bashkëredaktor i mbi 25 librave të kësaj sfere. Është bashkëredaktor i International Law and Peace-settlements (Cambridge University Press, 2021) dhe ka shërbyer si këshilltar i kohëpaskohshëm i qeverive të Kosovës që nga 1992-a, duke nisur me kryetarin Ibrahim Rugova. Pikëpamjet e shprehura këtu janë të tij dhe nuk mund t’i atribuohen asnjë qeverie apo institucioni.
Ky dokument trajton këto pika si më poshtë:
I. Qëllimi i dialogut të Brukselit
II. Formësimi i dialogut vetëm sipas interesave të Serbisë
III. Cilësia e dyshimtë juridike e marrëveshjeve që i imponohen Kosovës tash
IV. Nisma franko-gjermane nga 2022-a
V. Refuzimi i Serbisë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin
VI. Pranimi i kërkesës së Serbisë që të mos u nënshtrohet detyrimeve
VII. Çrregullimi i balancës së interesave në marrëveshjen e supozuar
VIII. Shkelje materiale
IX. Proces i drejtë dhe i pabalancuar: Shembulli i Ohrit
X. Zbatimi vetëm i nenit 7, e edhe këtë pjesërisht
XI. Qëllimi i Marrëveshjes së 2013-s
XII. Metodologjia e pabalancuar
XIII. Çështja e Komitetit menaxhues dhe propozimit të tij
XIV. Pamja e pjesshme e nenit 7: Çështja e strukturave paralele
XV. Lehtësuesi si Car
XVI. Mohimi i zotimeve të veta nga vetë Lehtësuesi
XVII. Qasja e përgjithshme
XVIII. Rruga përpara?
12 qershor 2023
PËRMBLEDHJE:
- Lehtësimi nuk ka pa pasur qasje neutrale karshi palëve. Qëllimi i tij i përgjithshëm është që ta shtyjë Serbinë drejt Evropës, posaçërisht duke pasur parasysh krizën e shkaktuar nga agresioni i Federatës Ruse kundër Ukrainës. Prandaj fokusin e ka te joshja e pranimit nga Republika e Serbisë. Kjo nënkupton injorimin e interesave dhe të kërkesave të Republikës së Kosovës, të cilat besohet se mund ta detyrojnë Kosovën që të pranojë çfarëdo rezultati që do të dilte e që do të ishte i pranueshëm për Serbinë
- Për shembull, Aneksi i Marrëveshjes Bazë pësoi ndryshime fondamentale në dëm të Kosovës vetëm disa orë para se të nisnin negociatat e Ohrit në mars, në një përpjekje evidente që të akomodohej Serbia. Me gjithë këto koncesione të mëdha, Serbia e prishi procesin, duke refuzuar të nënshkruajë çfarëdo dokumenti, pavarësisht përmbajtjes. Sidoqoftë, madje edhe atëherë, BE-ja vendosi të vazhdonte tutje thuajse marrëveshja ishte nënshkruar nga palët.
- Kjo do të thotë se Kosova e humbi përfitimin kyç të cilin e priste nga Marrëveshja Bazë e Brukselit: pranimin e qartë të Serbisë për raportet e ndërsjella të zhvilluara në bazë të parimeve të OKB-së, përfshirë edhe mospërdorimin e forcës, barazinë sovrane dhe integritetin territorial, në një formë juridike, të obligueshme. Ky ndryshim balance të detyrimeve që priteshin nga Marrëveshja Bazë nuk u adresua në asnjë mënyrë.
- Përderisa insistonte se Marrëveshja Bazë ishte e detyrueshme për të dyja palët, pavarësisht të gjithave, Lehtësuesi njëmend ka vepruar në pajtim me pretendimin e Beogradit që të mund të zgjedhë se cilat detyrime që dalin nga Marrëveshja, nëse ka ndonjë, do t’i zbatojë ose jo. Kjo është antiteza e një raporti kontraktual që kërkon zbatim të barabartë të të gjitha dispozitave në bazë të një balance interesash mes palësh.
- Procesi tash fokusohet ekskluzivisht në adresimin e çështjes së zbatimit të nenit 7 të Marrëveshjes Bazë që ka të bëjë me bashkëpunimin e komunave me shumicë serbe në vetëmenaxhimin e ofrimit të shërbimeve. Kjo është çështja që i intereson Serbisë dhe çështja për të cilën Kosovës i kërkohet t’i japë të gjitha, njëanshëm dhe në avancë.
- Në fakt, formati i propozuar për këto bisedime e adreson vetëm njërin aspekt të nenit 7 dhe e injoron atë që është me interes për Kosovën, e që ka të bëjë me përkrahjen e strukturave paralele të qeverisjes nga Serbia. Gjithashtu e injoron kornizimin e çështjes në nenin 7.
- Lehtësuesi është tërhequr nga garancitë e veta të fuqishme, të thëna zyrtarisht dhe disa herë të përsëritura nga BE-ja, për kriteret për mekanizmin për ta zbatuar nenin 7. Në një kontekst tjetër, kjo do të ishte shkelje e besimit.
- Lehtësuesi pretendon se i ka fuqitë absolute për ta formësuar rezultatin e këtyre bisedimeve, pavarësisht nëse Kosova pajtohet në fund ose jo. Kjo është e papranueshme për një çështje që është juridiksion sovran i Kosovës.
- Nuk ka plan të fortë të zbatimit, për t’i balancuar koncesionet që priten nga pala kosovare me koncesione kundërbalancuese nga ana e palës tjetër negociuese. Kërkohet që vetëm Kosova të përmbushë obligime. Shkeljet fillestare të Marrëveshjes Bazë nga Serbia janë lënë të patrajtuara nga Lehtësuesi .
- Nuk ka perspektivë për të avancuar drejt normalizimit të plotë, përfundimtar dhe gjithëpërfshirës, me njohjen në qendër në një formë ligjërisht të obligueshme siç kërkohet në nenin 6 në Marrëveshjes Bazë.
I. Qëllimi i dialogut të Brukselit
Në të kundërtën nga miti popullor, Republika e Kosovës nuk e ka fituar pavarësinë e vet në mënyrë të njëanshme. Mori pjesë plotësisht dhe me konstruktivitet në procesin e statusit përfundimtar udhëhequr nga ish-kryetari i Finlandës, Marrti Ahtisaari, në emër të Kombeve të Bashkuara. Republika e Serbisë refuzoi të nënshkruante marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Kosova, megjithatë, i zbatoi të gjitha detyrimet që i përmbante instrumenti që ishte negociuar, edhe pa marrë njohjen e statusit të saj nga Serbia. Këto përfshinin madje edhe dispozitat më të zgjeruara, në Evropë dhe në fakt në të gjithë botën për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të komuniteteve të veta etnike.
Nuk ka më hapësirë për t’i negociuar kushtet e pavarësisë së Kosovës edhe një herë. Republika e Kosovës i ka bërë të gjitha koncesionet që u shpallën të domosdoshme nga bashkësia e organizuar ndërkombëtare. Fakti se Republika e Serbisë refuzoi të njohë këtë rezultat, në atë kohë dhe tash, duke refuzuar ta nënshkruajë marrëveshjen e dalë, nuk e hap derën për ende koncesione që duhen negociuar. Ky nuk është qëllimi as fokusi i negociatave aktuale mbi normalizimin e raporteve.
Republika e Kosovës është e sigurt për statusin e saj si shtet sovran dhe nuk mund të pritet nga ajo që të negociojë kushte shtesë për statusin. Supozimi se Kosova duhet ta blejë njohjen nga Republika e Serbisë me ende koncesione, përfshirë edhe marrëveshje për një autonomi të padëshiruar për veriun e Kosovës, edhe në një rund negociatash, pra është i gabuar. Fokusi i normalizimit është zhvillimi i bashkëpunimit dhe raportet e mira fqinjësore ndërmjet palëve, e jo çështja e ekzistimit të njërës nga palët.
Nuk mund të pritet që Republika e Kosovës të ofrojë më shumë e më shumë, përderisa e kupton se Republika e Serbisë nuk e ka vullnetin, pas të gjithave, që të njohë statusin e saj dhe të ketë normalizim të mirëfilltë, përderisa grumbullon koncesione që tashmë janë bërë, në pritje të një përparimi të vërtetë. Kosova tashmë ka siguruar të gjitha të drejtat dhe mekanizmat që mund t’u jepen komuniteteve etnike që e bëjnë pakicën. Kjo i përfshin kompetencat e gjera, e madje edhe të zgjeruara për qytetarët e saj serbë etnikë, posaçërisht në komunat ku ata e bëjnë shumicën. Republika e Serbisë i ka marrë këto përfitime nëpërmjet procesit të Ahtisaarit, pa i pranuar obligimet e saj përkatëse.
Republika e Serbisë tash e zbaton këtë dredhi sërish. E negocioi Marrëveshjen Bazë të datës 27 shkurt dhe fitoi koncesione të rëndësishme në proces. Megjithatë, nuk e nënshkroi Marrëveshjen dhe thotë se nuk ka asnjë detyrim në raport me Kosovën. Prandaj, vetëm nga Kosova kërkohet që t’i përmbushë detyrimet që i përmban Marrëveshja dhe Qeveria e saj u gjet nën trysni tejet të madhe për t’i përmbushur këto. Ana tjetër e Marrëveshjes, mungesa e së paku një hapi përmbajtjesor drejt normalizimit të njëmendtë nga ana e Serbisë, po injorohet fare.
Normalizimi i plotë dhe gjithëpërfshirës është në fakt mandati zyrtar i Procesit të Brukselit. Dialogu i Brukselit nisi me ftesën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, shprehur në Rezolutën 64/298 (2910). Rezoluta e njihte Opinionin e GJND-së që kishte përcaktuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës ishte në pajtim me të drejtën ndërkombëtare. E përshëndeti gatishmërinë e BE-së për ta lehtësuar një proces dialogu ndërmjet palëve që do ta promovonte bashkëpunimin, dhe që do të shënonte përparime në shtegun drejt BE-së, si dhe që do t’i përmirësonte kushtet e jetesës së njerëzve.
BE-ja e zbatoi këtë kërkesë në kontekstin e bisedimeve me Republikën e Kosovës dhe me Republikën e Serbisë në lidhje me anëtarësimin në BE. BE-ja ka përcaktuar se pranimi në BE kërkon normalizim të plotë, përfundimtar dhe gjithëpërfshirës ndërmjet palëve në një formë ligjërisht të obligueshme. Për BE-në është e pamundur të merret me aplikacionin për anëtarësim të një shtet që ka pretendime territoriale ndaj një shteti tjetër në Kushtetutën dhe politikën e vet dhe që mbetet i vendosur që ta përpijë territorin e fqinjit. Dështimi i arritjes së këtij normalizimi të plotë do ta mohonte qëllimin e përcaktuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së për të arritur paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon. Prandaj dialogu duhet të arrijë njohjen juridike të ekzistencës dhe statusin të Kosovës si shtet.
Procesi nisi me bisedimet teknike më 2011 dhe kaloi në dialogun e nivelit të lartë, fillimisht të lehtësuar nga përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Catherine Ashton. Duke nisur me Marrëveshjen e parë për Parimet që e Qeverisin Normalizimin e Raporteve (Marrëveshja e Brukselit) të 2013-s, një sërë marrëveshjesh teknike janë përmbyllur nga palët. Megjithatë, qëllimi i përgjithshëm i arritjes së normalizimit gjithëpërfshirës është lënë mënjanë gjatë procesit, duke pasur parasysh hamendjen e Republikës së Serbisë për t’u përfshirë me burimin kryesor të tensioneve ndërmjet palëve dhe për rajonin më të gjerë — refuzimi për të ecur para për njohjen e identitetit juridik të Republikës së Kosovës, si dhe për ta adresuar ndërhyrjen e vazhdueshme nga Republika e Serbisë në çështjet e brendshme të Kosovës në formën e përkrahjes së saj strukturave paralele të qeverisjes që mbahen nga Serbia në veriun e Kosovës.
Dialogu ishte pranë vdekjes për nja dy vjet, derisa BE-ja e emëroi, më 2 prill 2020, z. Miroslav Lajçak si përfaqësues special të BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor (PSBE). Mandati i PSBE-së u përcaktua si vijon:
Sa i përket esencës së mandatit, për ta lehtësuar, në emër të përfaqësuesit të lartë, dialogun Beograd-Prishtinë, në koordinim të afërt me shtetet anëtare, që të punojë në normalizimin gjithëpërfshirës të raporteve mes Serbisë dhe Kosovës nëpërmjet lidhjes së një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që i adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura mes palëve në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe i kontribuon stabilitetit rajonal, si dhe për të monitoruar dhe ndihmuar sipas nevojës punën e palëve për zbatimin e marrëveshjeve paraprake brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja; [Vendimi i Këshillit (CFSP) 2020/489, 2 prill 2020.]
Ky mandat, pra, është i fokusuar në arritjen e normalizimit gjithëpërfshirës nëpërmjet një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme që i adreson të gjitha çështjet e pazgjidhura. Parlamenti Evropian zyrtarisht dhe në vazhdimësi e ka konfirmuar se palët dhe dialogu duhen të “sigurojnë, pa vonesa, një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mbështetur mbi parimet e njohjes së ndërsjellë, e së fundmi këtë e ka bërë në vendimin e vet të datës 10 maj 2023”. Deklaratat e këtij lloji duhen t’i japin formë mënyrës se si ushtrohet mandati i PSBE-së. Kjo kërkesë është shprehur zyrtarisht nga shtetet individuale që e përkrahin dialogun. Kryetari amerikan Biden, në letrat e tij dërguar palëve, ka theksuar nevojën për ta mbërritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin “me njohjen e ndërsjellë në qendër”.
II. Formësimi i dialogut vetëm sipas interesave të Serbisë
Me gjithë fokusin e qartë të dialogut dhe mandatin e PSBE-së, z. Lajçak, procesi i Brukselit kryesisht e ka injoruar këtë qëllim të përgjithshëm. Në vend të kësaj, ka pasur përpjekje për t’i ringjallur bisedimet dhe marrëveshjet teknike. Republika e Kosovës ka përsëritur disa herë se shumë, nëse jo shumica dërrmuese e këtyre marrëveshjeve, që janë më shumë se 20, nuk janë zbatuar nga Republika e Serbisë.
Megjithatë, në pajtim me interesat dhe kërkesat kyç të Republikës së Serbisë, dialogu është fokusuar në një temë të vetme kyç që i intereson Serbinë. Ky është zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit nga 2013-a, dhe kjo vetëm sa i përket Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe (AKSHS) që propozohet në të.
Në fakt, kjo marrëveshje i përmban disa elemente që Serbia nuk i ka zbatuar. Në vend se të merret një pikëvështrim i balancuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura në procesin e Brukselit, kërkesa që lidhet për AKSHS është lejuar të shndërrohet në temën të madhe që tash i dominon negociatat aktuale. Kështu, Lehtësuesi dhe përkrahësit e tij ndërkombëtarë i kanë kornizuar palët në një diçka që duket se është shndërruar në rebus të pazgjidhshëm.
Megjithatë, në vend se të kërkojnë zgjidhjen e nyjës gordiane me propozime inovative në negociata, e gjithë vëmendja ndërkombëtare është fokusuar në detyrimin e Republikës së Kosovës që t’i pranojë disa kërkesa të veçanta në këtë pikë. Një trysni e këtillë e njëanshme nuk besohet se mund ta impresionojë një qeveri që ka ardhur në pushtet me mandat të fuqishëm popullor për të mbrojtur sovranitetin dhe vetëvendosjen e Kosovës.
III. Cilësia e dyshimtë juridike e marrëveshjeve që i imponohen Kosovës tash
Kosova zyrtarisht dhe plotësisht e ratifikoi Marrëveshjen e Parë të 2013-s, që e hapi çështjen e AKSHS-së, si një traktat ndërkombëtar. Megjithatë, Republika e Serbisë nuk e ka bërë këtë. Në fakt, madje mund edhe të mos ketë nënshkruar. Duket se do t’ia ketë komunikuar pranimin në formë të tërthortë Brukselit e jo Republikës së Kosovës, por situata nuk është sqaruar nga BE-ja. Është e qartë se nuk ka pasur nënshkrime nga të dyja palët në asnjërin dokument, e as që e ka ratifikuar Republika e Serbisë marrëveshjen si një dokument ligjërisht të detyrueshëm.
Republika e Kosovës natyrisht tregohet e përpiktë sa u përket marrëveshjeve që i ka pranuar dhe ratifikuar zyrtarisht, përderisa edhe pala tjetër e ka bërë po të njëjtën dhe përderisa traktati është në fuqi. Në këto kushte vihet në pyetje cilësia juridike e këtij angazhimi. Së paku, ka një disbalancë të theksuar në raport me cilësinë juridike, duke pasur parasysh se Kosova e ka ratifikuar, kurse Serbia është përmbajtur nga ky akt.
Po e njëjta disbalancë ekziston në raport me zbatimin. Për një arsye që nuk dihet, është vetëm sjellja e Kosovës ajo e cila rishikohet, pa asnjë referencë të vetme për dështimet e Republikës së Serbisë për ta përmbushur pjesën e vet të obligimit, po qe se ka ekzistuar një marrëveshje ligjërisht e obligueshme.
Është edhe më kundërthënëse se PSBE-ja, me kërkesat dhe propozimet e tij, e ka ngritur tutje një tekst të dytë për statusin e traktateve kinse ligjërisht të detyrueshme. Ky tekst titullohet: “Asociacioni/Bashkësia e Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë — Parimet e përgjithshme / Elementet kryesore të 2015-s”. Teksti ofron detaje shtesë për zbatimin e AKSHS-së së propozuar.
Megjithatë, pasi iu drejtua Gjykatës së vet Kushtetuese, Republika e Kosovës nuk mund ta ratifikonte këtë tekst si marrëveshje të detyrueshme. Gjykata Kushtetuese kishte vendosur se teksti ishte vetëm pjesërisht në përputhje me rendin kushtetues të Kosovës dhe, për pasojë, nuk mund të pranohej në formën e vet aktuale. Prandaj Republika e Kosovës nuk mund ta konfirmonte se ky, për të, është dokument ligjërisht i detyrueshëm.
Duke pasur parasysh praktikën e mëhershme të Republikës së Kosovës për ta ratifikuar Marrëveshjen e Parë, do të duhej të kishte qenë e qartë se edhe Marrëveshja e Dytë për të njëjtën çështje do ta kërkonte një ratifikim të tillë në mënyrë që të hynte në fuqi. Ky kusht i rëndësishëm i sistemit të brendshëm juridik ka qenë i qartë në nivelin ndërkombëtar, prandaj edhe rrjedhimisht mund të shqyrtohet si bazë për ta vërë në pikëpyetje vlefshmërinë e këtij teksti. Sidoqoftë, sikurse përpara, nuk ka indice nënshkrimi apo ratifikimi as nga ana e Serbisë.
Me gjithë dyshimet, Lehtësuesi thjesht ka insistuar gjatë gjithë kohës që tekstet nga 2013-a dhe 2015-a janë njësoj ligjërisht të detyrueshme për Kosovën, si obligime që duhen zbatuar. Tash kjo shkon edhe më tej, përfshirë edhe thjesht një “Plan” për zbatimin të formësuar më 2015. Plani parashihte hartimin e statutit për atë që atëherë konsiderohej AKSHS nëpërmjet të të ashtuquajturit Komitet Menaxhues — një çështje me të cilën do të merremi më vonë. Plani dështoi dhe mbeti i pashfrytëzueshëm. Sidoqoftë, u ringjall nga Lehtësuesi dhe u zbatua kundër interesave të Kosovës, thuajse të ishte një çështje e detyrimit juridik. Për pasojë, një projektstatut u dorëzua mbështetur mbi planin e tejkaluar, dhe tash është zyrtarisht në tavolinën e bisedimeve, supozohet si bazë për negociata.
Pikëpamjet e Republikës së Kosovës për qëndrimin juridik, nëse ekziston ndonjë, të instrumenteve relevante thjesht janë injoruar nga Lehtësuesi. Pozita e Kosovës nuk i është nënshtruar asnjë ekspertize apo mendimi të pavarur juridik. Në vend të ofrimit të vlerësimit në bazë të standardeve objektive, të cilave Kosova me gjasë nuk do t’i kundërshtonte, pikëpamjet e kontestuara të Lehtësuesit në lidhje me këto thjesht u imponuan si ligj.
IV. Nisma franko-gjermane nga 2022-a
Më 2022, Franca dhe Gjermania morën nismën për ta propozuar një marrëveshje kalimtare mbështetur mbi Marrëveshjen bazë gjermano-gjermane nga 1972-a. Kjo marrëveshje e hapi rrugën për Gjermaninë Lindore dhe atë Perëndimore që të hynin në OKB dhe e konfirmoi raportin e tyre mbështetur mbi të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së. Të dyja shtetet u pajtuan të këmbenin misionet e përhershme dhe u hap rruga që Gjermania Lindore të pranohej nga shtetet perëndimore dhe që Gjermania Perëndimore të pranohej nga Bashkimi Sovjetik dhe aleatët e tij.
Kjo nismë u pranua nga PSBE-ja. Megjithatë, të vetmen gjë që kjo nismë nuk do t’i ofronte Republikës së Kosovës ishte pranimi formal i statusit të saj nga Republika e Serbisë. Duke e përcjellë shembullin gjerman, që ua kishte lejuar të dyja shteteve që t’i mbanin pikëvështrimet e kundërta për “çështjen kombëtare”, marrëveshja e propozuar do të ishte pa paragjykimin e pikëvështrimet e ndryshme të palëve për çështje fondamentale, “përfshirë edhe çështjen e statusit”.
Dallimi, natyrisht, është se në rastin e Gjermanisë asnjëra nga këto dy shtete nuk e vuri në dyshim faktin se tjetra kualifikohej si shtet. Dallimet mes tyre i referoheshin një çështjeje ezoterike për personalitetin e vazhduar juridik të Rajhut gjerman pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë rast, megjithatë, — Serbia — në themel e vë në pyetje ekzistencën juridike të shtetit tjetër, Kosovës. Për më tepër, e mban pretendimin kushtetues për riinkorporimin e Kosovës në Serbi. Kjo pikërisht ishte mënyra se si ishte menduar të tejkalohej çështja e normalizimit gjithëpërfshirëse në formë të detyruar juridike me “njohjen në qendër”.
Pra në një kuptim, nisma franko-gjermane e pranonte se mandati i dialogut të Brukselit nuk do të mund të përmbushej, së paku për një kohë. Kjo, megjithatë, u kompensua deri në një masë me Nenin 6 të propozimit të Brukselit. Vetë titulli i kësaj marrëveshjeje, Marrëveshja për shtegun drejt normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, [Marrëveshja Bazë, tash e mbas] do të sugjeronte se instrumenti do të ishte një hap para drejt normalizimit të plotë. Për më tepër, neni 6 i Marrëveshjes Bazë i obligonte palët që “të vazhdojnë me shtysë të re procesin e dialogut udhëhequr nga BE-ja, që do të shpinte drejt një marrëveshjeje ligjërisht të obligueshme në raportet e tyre”.
Përderisa nuk ia siguronte njohjen Kosovës, Marrëveshja Bazë së paku do të konfirmonte në formë të një traktati zotimin e palëve për marrëdhënie të mira fqinjësore, shkëmbimin e misioneve diplomatike, zbatimin e Kartës së OKB-së, përfshirë shprehimisht edhe barazinë sovrane të shteteve dhe respektin për “pavarësinë, autonominë dhe integritetin territorial të tyre” [neni 2.] Gjithashtu pati edhe zotim që të zgjidheshin kontestet në formë paqësore dhe të përmbaheshin nga kërcënimi apo përdorimi i dhunës, siç parashihet në nenin 2 (3) (4) të Kartës së OKB-së.
Qëllimi ishte që të hapej shtegu për anëtarësimin e mundshëm në OKB dhe anëtarësimin në agjencitë e saj të specializuara, krahas institucioneve të tjera ndërkombëtare. Megjithatë, kjo kërkesë është natyrisht pak iluzore, duke pasur parasysh pozicionimin aktual të Federatës Ruse, që e ka të drejtën e vetos në këtë çështje. Madje edhe në raport me organizatat e tjera, obligimi që “të mos kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare” në nenin 4, do të mbështetej mbi vullnetin e mirë të Serbisë për të zbatuar. Duke votuar kundër anëtarësimit potencial të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës, pak ditë pas kinse pranimit të Marrëveshjes Bazë, Serbia menjëherë e shpërfaqi mungesën e vullnetit të mirë në këtë proces.
V. Refuzimi i Serbisë të nënshkruajë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin
Me gjithë hamendeshimet, Republika e Kosovës u pajtua që në formë të parezervë ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë në takimin e nivelit të lartë në Bruksel, më 27 shkurt. Në fakt, ajo ofroi që ta nënshkruante aty dhe në atë çast. Kjo u refuzua nga Lehtësuesi, nga respekti për Republikën e Serbisë që nuk ishte në pozitë ta bënte këtë. Në vend të kësaj, thuhej, nënshkrimi do të pasonte në ndonjë takim të radhës në një aneks zbatimi, që do të mbahej së shpejti në Ohër, Maqedoni Veriore, mbase edhe përcjellë nga një ceremoni më zyrtare nënshkrimi në Paris.
Me të ardhur në Ohër për takimin e nivelit të lartë, kryeministri i Kosovës edhe një herë e theksoi vullnetin e tij për ta nënshkruar Marrëveshjen Bazë së bashku me Aneksin që duhej negociuar, aty dhe në atë çast. Megjithatë, kryetari i Republikës së Serbisë thjesht deklaroi se nuk do të nënshkruante asgjë, pavarësisht përmbajtjes së aneksit zbatues që duhej shtuar në atë çast.
Ky pozicion nuk u kundërshtua fare nga ana e Lehtësuesit. Duket se kjo ka qenë e pritur dhe se PSBE-ja ishte përgatitur për këtë. Në vend se të insistonte në trajtimin e barabartë të palëve dhe të ushtronte presion ndaj Republikës së Serbisë që të nënshkruante, në një lëvizje të habitshme, Lehtësuesi ia qiti përpara një fletë të bardhë për nënshkrim kryeministrit të Kosovës, duke insistuar që vetëm ai të nënshkruante. Nuk është befasi që ky nuk e bëri këtë.
Më pas aty vijoi një fjalosje joceremoniale për Aneksin, që për Kosovën e kishte humbur kuptimin në këtë çast (më shumë për këtë në vazhdim), si dhe një përpjekje për të shpëtuar takimin dhe të gjithë procesin nga kolapsi. Me një gjest që kishte për qëllim lehtësimin e këtij qëllimi, Kosova në fund u pajtua për zgjidhjen sipas së cilës palët konsiderohej se ia kishin dhënë pëlqimin Lehtësuesit e jo njëri-tjetrit, duke e futur në funksion Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin, deri në atë çast të bllokuar.
Mirëpo ende pa u paralajmëruar ky rezultat nga përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri, z. Josep Borrell, kryetari i Serbisë tashmë po u drejtohej gazetarëve, duke iu thënë se nuk ishte pajtuar për asgjë. E përsëritur disa herë që nga atëherë, kryetari i Serbisë ka deklaruar:
Nuk e kam pranuar marrëveshjen franko-gjermane. Nuk gjeni këso deklarate nga unë. Unë kam thënë se e kam pranuar konceptin dhe se jemi të gatshëm të punojmë për zbatimin e marrëveshjes deri në një kufi.
Ky ka mbetur pozicioni i Serbisë që prej atëherë. Kryetari Vuçiq duket se po insiston se Serbia nuk detyrohet nga Marrëveshja Bazë dhe se mund t’i zbatojë vetëm dispozitat që ajo mund t’i përzgjedhë lirshëm.
VI. Pranimi i kërkesës së Serbisë që të mos u nënshtrohet detyrimeve
BE-ja dhe qeveritë mike, përfshirë edhe SHBA-në, kanë konstatuar se Marrëveshja Bazë është obligim ndërkombëtar i detyrueshëm. Mirëpo, në praktikë, kjo nuk ka pasur asnjë efekt. Në fakt, e kundërta ka ndodhur. Lehtësuesi saktësisht po e përcjell linjën e ofruar nga Qeveria e Serbisë. Nuk ka insistuar se marrëveshja është e detyrueshme në raport me Republikën e Serbisë, dhe se zyrtarisht duhet të shpallet si e tillë nga Serbia për ta pasur këtë status. Nuk ka insistuar që së paku në ndonjë mënyrë që ajo të ketë pasur një efekt praktik. Në fakt, Lehtësuesi e ka përqafuar mu qasjen e Republikës së Serbisë. Ajo i ka shtyrë vetëm dhe ekskluzivisht çështjen apo çështjet në interes të Republikës së Serbisë në negociatat vijuese pas Ohrit. Pra, të gjitha bisedimet janë fokusuar në mekanizmin për ta zbatuar nenin 7 të Marrëveshjes.
Natyrisht argumenti i Republikës së Serbisë se ajo nuk do dhe nuk mundet të nënshkruajë çfarëdo marrëveshjeje më Kosovën është thjesht nonsens. E vërtetë, procedura e manifestimit të pajtimit me një tekst nëpërmjet komunikimit joformal me Lehtësuesin, në vend të komunikimit me palën tjetër, u zbatua në disa raste nga respekti që i bëhej Republikës së Serbisë. Megjithatë, Serbia në të kaluarën ka nënshkruar marrëveshje formale me Kosovën, përfshirë edhe ato nën ombrellën e procesit të normalizimit udhëhequr nga BE-ja. Për shembull, marrëveshja për “Drejtësinë” miratuar në procesin e normalizimit ishte nënshkruar formalisht nga të dyja palët.
Ky rast është ndryshe në çdo aspekt. Esenca e kësaj “Marrëveshjeje Bazë” të re është pikërisht se kjo do të ishte marrëveshje formale. Kjo ka qenë ajo që Republika e Kosovës kishte llogaritur dhe që e shtyri atë që të ofronte që ta nënshkruante, me gjithë disa hamendje. Është evidente që kjo ishte pritja e BE-së dhe e shteteve përkrahëse. Ndryshe, pse duhej përgatitur për një ceremoni nënshkrimi të nivelit të lartë në Paris?
Qartazi, nuk ka kuptim të nënshkruhet marrëveshja me Republikën e Kosovës që thotë se raportet do të zhvillohen në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, po qe se Serbia refuzon, mu në atë çast, të futet në raport me Kosovën në nivel të së drejtës ndërkombëtare dhe ta nënshkruajë në marrëveshje formale. Kjo e mohon vetë konceptin e nismës franko-gjermane. Republika e Serbisë do të lejohej, hëpërhë, të mbante pikëvështrimin e vet de jure për statusin, ndërkohë që do ta trajtonte Kosovën de facto si një subjekt të plotë të së drejtës ndërkombëtare.
Vetë fakti se Lehtësuesi ia mundëson Republikës së Serbisë përfitimet nga Marrëveshja Bazë dhe Aneksi pa kërkuar nga ajo që të nënshkruajë, e dëshmon disbalancën e jashtëzakonshme në qasjen gjatë gjithë negociatave Ajo që Republika e Serbisë refuzon të bëjë është disi e pranueshme, edhe nëse kjo është në kundërshtim me objektin esencial dhe qëllimin e marrëveshjes. Pikëpamjet e Kosovës, nga ana tjetër, nuk merren fare parasysh. Në vend të kësaj, Republika e Kosovës i nënshtrohet një presioni që të detyrohet ta pranojë rezultatin dhe ta zbatojë atë, pavarësisht se sa i paekuilibruar është.
Republika e Kosovës zyrtarisht ka kërkuar nga Lehtësuesi që ta paraqesë një plan zbatimi që do ta balanconte performancën e zbatimit të detyrimeve që dalin nga Marrëveshja Bazë. Ky ishte rasti me propozim-aneksin e zbatimit që kishte qenë mbi tavolinën e bisedimeve për nja katër muaj, derisa papritur u refuzua pa asnjë konsultim, pikërisht para nisjes së negociatave në Ohër.
Tashmë Lehtësuesi i ishte përgjigjur kësaj kërkese me formulën se Republika e Serbisë nuk do ta pranonte këtë qasje — mu qasjen që Lehtësimi e kishte shprehur në të gjitha bisedimet që nga koha kur propozimi i Aneksit ishte paraqitur më 4 dhjetor. Sërish, standardi mbi të cilin po zhvillohen negociatat është që të akomodohet cilado sjellje penguese e palës tjetër, përfshirë edhe pretendimin se është punë e Serbisë t’i zgjedhë se cilat obligime të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit do që t’i zbatojë. Është vështirë të kuptohet se përse Republika e Kosovës do të duhej të ishte e impresionuar me këtë argument, i cili thjesht është në përputhje me deklaratën e Republikës së Serbisë se nuk ka asnjë detyrim ndaj kësaj marrëveshjeje bazë.
VII. Çrregullimi i balancës së interesave në marrëveshjen e supozuar
Kjo ka pasur për rezultat një format krejtësisht të pabalancuar negociatash që Republika e Kosovës nuk mund të pritet se mund ta përkrahë me pjesëmarrjen e mëtejme. Nëse Marrëveshja Bazë është e obligueshme, atëherë është e obligueshme në të gjitha aspektet. Dhe vetë esenca e një marrëveshjeje ndërkombëtare është se njëra palë nuk mund të jetë e privilegjuar duke iu lejuar se cilat, nëse ka ndonjë, nga detyrimet që i përmban marrëveshja zgjedh për t’i zbatuar.
Krahas humbjes së sekuencimit të detyrimeve dhe ndjenjës së balancës së realizimit të detyrimeve nga palët, qasja aktuale gjithashtu lë jashtë disa nga dispozitat më pak të prekshme të Marrëveshjes Bazë që janë të një interesi të posaçëm për Kosovën. Këto janë dispozitat e raporteve të mira fqinjësore, veprimi në pajtim me parimet e OKB-së, barazia sovrane, pavarësia dhe integriteti, etj. Aktualisht nuk ka asnjë përfillje të rëndësisë së këtyre dispozitave kur bëhet fjalë për zbatimin. Megjithatë, Marrëveshja Bazë dhe Aneksi e thonë shprehimisht se Kosova ka të drejtë të insistojë në zbatimin e të gjitha dispozitave të tyre, përfshirë edhe ato të një karakteri programatik.
Pa dyshim, kjo është mu çështja që e ka trazuar balancën e detyrimeve që Kosova ka pasur të drejtë të priste kur u pajtua me Marrëveshjen Bazë. Përderisa nuk do të kishte njohje formale të Kosovës nga Republika e Serbisë, së paku Serbia do ta nënshkruante formalisht një marrëveshje sipas të drejtës ndërkombëtare dhe një që do ta konfirmonte zbatimin e rregullave dhe parimeve bazike të së drejtës ndërkombëtare në raport me Kosovën. Kjo do të mund të ishte një hap i rëndësishëm për Kosovën në përpjekjen e saj për t’i zgjeruar raportet me shtetet e treta, përfshirë edhe pesë shtetet mosnjohëse të BE-së dhe për t’u bërë anëtare e institucioneve të tjera ndërkombëtare. Sërish ky ishte përfitimi kyç që e shtyu Republikën e Kosovës për ta pranuar Marrëveshjen Bazë, pavarësisht disa hamendësimeve te pikat e tjera. Mënjanimi i këtij përfitimi plotësisht e turbullon marrëveshjen e supozuar.
Në vend se ta përshtaste procesin që do ta merrte parasysh këtë disbalancë, Lehtësuesi thjesht ka vazhduar tutje thuajse Marrëveshja Bazë dhe Aneksi janë plotësisht në fuqi te të dyja palët. Në fakt, ka krijuar trysni shumë të madhe ndërkombëtare ndaj Republikës së Kosovës që të nisë së zbatuari një kontribut kyç për Serbinë e që është më i zorshmi për Kosovën. Njëkohësisht, nuk ka asnjë shpresë për elementet e tjera të zbatimit.
VIII. Shkelje materiale
Republika e Serbisë madje as që e pranon se ka lidhur marrëveshje të obligueshme dhe se të njëjtën e ka mohuar në kuptimin e nenit 60 të Konventës së Vjenës për Ligjin mbi Traktatet, po qe se Republika e Kosovës do të donte të thirrej në këtë dispozitë. Për pasojë, nuk do të ishte madje as e domosdoshme që t’i qasej doktrinës së shkeljes materiale, që e mbron një palë në rastet kur pala tjetër nuk u përmbahet detyrimeve të një a më shumë dispozitave esenciale për realizimin e objektit dhe qëllimit të një traktati.
Për më tepër, po javën e parë pas arritjes së supozuar të marrëveshjes, Republika e Serbisë nisi ta shkelte. Një nga obligimet që hyn në fuqi menjëherë pas arritjes së marrëveshjes kërkon që Republika e Serbisë “të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në çfarëdo organizate ndërkombëtare”. Serbia e kundërshtoi anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës në mënyrën më të qartë të mundshme, duke votuar formalisht kundër lëndës për pranim, vetëm pak ditë pasi supozohet se u arrit marrëveshja.
Republika e Kosovës e ka njoftuar Lehtësuesin për këtë dhe për një sërë shkeljesh të tjera. Nuk ka pasur ndonjë reagim të posaçëm, pavarësisht rolit të veçantë që ka Lehtësuesi për t’u siguruar se zbatohet ajo që ka mbetur nga Aneksi i Marrëveshjes Bazë. Edhe një herë qasja duket se është ajo e tolerimit të veprimeve ilegale të Serbisë, ndërkohë që rritet trysnia ndaj Kosovës për zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga Marrëveshja.
IX. Proces i padrejtë dhe i pabalancuar: Shembulli i Ohrit
Kjo disbalancë në substancë gjithashtu reflektohet në disbalancën në proces. Debakli i Ohrit shërben si shembull. Siç tashmë u tha, një Projektaneks i zbatimit prej 8 nenesh kishte qenë baza e bisedimeve me palët që nga 4 dhjetori. Një javë para se të niste rundi i bisedimeve të nivelit të lartë, Lehtësuesi i vizitoi dy kryeqytetet, duke kërkuar ende kontribute. Kosova ofroi në varg sugjerimesh konstruktive. Lehtësuesi u largua duke treguar se rreth gjysma e tyre ishin të pranueshme dhe do të merreshin parasysh.
Delegacioni i Kosovës kishte planifikuar të udhëtonte për në Ohër më 17 mars. Nga ora 21:00 të mbrëmjes, natën para nisjes, pra vonë pas mbylljes së orarit të punës, vetëm një kopje e Projektaneksit të reviduar i ishte dorëzuar Qeverisë së Kosovës.
Qeverisë iu krijua përshtypja se madje nuk do t’i lejohej ta bënte një fotokopje të dokumentit që iu dorëzua për ta shqyrtuar mes anëtarëve të saj kyç. Përderisa Lehtësuesi e ka mohuar ta ketë hartuar atë, pa dyshim se kjo ishte bindja që ishte krijuar në majat e Qeverisë së Kosovës. E vërtetë ose jo, fakti se Qeveria e pranoi një kërkesë të pazakontë që të qarkullonte vetëm një kopje e këtij dokumenti te anëtarët kyç për ta shqyrtuar gjatë natës, tregon për dëshirën e saj që të veprojë në përputhje me procedurën e caktuar nga Lehtësuesi, pavarësisht sa absurde mund të dukej.
Sidoqoftë, pra vonë natën, pak para nisjes, një version krejtësisht i ri i Aneksit ishte dorëzuar, tash me 18 në vend të 8 paragrafësh dhe në tri faqe në vend të faqes së vetme të versionit paraprak.
Asnjë nga komentet përmbajtjesore të ofruara nga Republika e Kosovës nuk ishin marrë parasysh. Në vend të kësaj, balanca e detyrimeve kishte ndërruar në një numër të rëndësishëm aspektesh edhe më shumë në favor të Republikës së Serbisë. Për disa nga këto ndryshime dramatike më vonë u tha se ishin gabim në hartim, të cilat, edhe po të ishin të vërteta, nuk do të shërbenin për të lavdëruar kompetencën e Lehtësuesit në gjithë këtë ndërmarrje.
Ky ndryshim i njëanshëm i kushteve në natën para nisjes, u rezistua nga qeveritë kyç të BE-së, që duket se nuk ishin konsultuar fare për këto ndryshime të rëndësishme në dëm të Kosovës. Kjo e përfshinte edhe propozimin që Lehtësuesi ta emëronte veten si arbitër përfundimtar për çështjen e zbatimit të nenit 7, duke i transformuar bisedimet për Kishën Ortodokse Serbe nga kontaktet mes Kishës dhe autoriteteve të Kosovës, në bisedime mes Serbisë dhe Kosovës; duke e kufizuar obligimin e Serbisë që të mos e pengonte anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, vetëm në raport me organizatat evropiane (pra, jo OKB dhe organizatat e saj), duke i kaluar fuqitë dhe funksionet e strukturave paralele në mekanizmin e nenit 7 dhe kështu, megjithatë, të krijonte një rrafsh të ri të pushtetit, etj.
Para se të nisnin bisedimet, delegacionit të Kosovës iu sigurua se së paku disa nga ndryshimet që ishin bërë në shpejtësi dhe pa asnjë arsyetim a sqarim, do të tërhiqeshin para nisjes së negociatave të nesërmen. Megjithatë, kjo nuk ndodhi dhe negociatat nisën mbi bazën e dokumentit që ishte ndryshuar njëanshëm dhe kaq thelbësisht, me gjithë protestën e shteteve kyç të BE-së.
Të negocioje mbi këtë bazë përfaqësonte një disavantazh përmbajtjesor për Kosovën. Në fakt, mbase është dashur ta shtynte procesin derisa dhe me kushtin që ky akt i njëanshëm të korrigjohej. Pavarësisht, në interes të përparimit, delegacioni i saj u ul për të punuar, duke bërë komente madje edhe për draftin e ri, duke e trajtuar atë si bazën e bisedimeve. Natyrisht, në çastin kur Republika e Serbisë paralajmëroi se nuk do ta nënshkruante, cilido të ishte rezultati i bisedimeve të mëtejme, nuk kishte më asnjë logjikë që negociatat të vazhdonin. Procesi degjeneroi dhe në fund, një skelet i çuditshëm i asaj që kishte mbetur nga Aneksi iu bashkua Marrëveshjes Bazë.
Nga versioni përfundimtar i asaj që u quajt Aneks, u hoq kërkesa paraprake e BE-së që disa obligime nga Marrëveshja Bazë, relevante për të dyja palët, posaçërisht për Kosovën, do të hynin në fuqi vetëm pasi që Kosova, njëanshëm, do t’i përmbushte disa nga obligimet e saj. Pra, të gjitha obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja Bazë janë në fuqi, me kushtin që Marrëveshja Bazë është në fuqi. Pra, të gjitha obligimet duhen përmbushur. Nuk ka përparësi zbatimi të një obligimi mbi tjetrin, që është e kundërta e qasjes së zgjedhur nga Lehtësimi aktualisht. Refuzimi i Lehtësuesit për ta vendosur një plan zbatimi të qartë, të balancuar dhe realist, nuk përputhet me këtë përfundim.
X. Zbatimi vetëm i nenit 7, e edhe këtë pjesërisht
Aktualisht i gjithë procesi negociator është fokusuar te neni 7. Në fakt, Lehtësimi ka sugjeruar që të caktohet një shteg i ndarë negociatash, i ndarë, vetëm në aspektin e zbatimit të nenit 7. Në këtë kontekst, shpesh i bëhet referencë një AKSHS, në vend se të përdoret terminologjia e përcaktuar në Marrëveshjen Bazë.
Marrëveshja Bazë niset nga marrëveshjet dhe gjuha paraprake në raport me këtë çështje. Neni 7 nuk ka të bëjë me një AKSHS, por me:
… arritjen e marrëveshjeve specifike dhe garancive, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të përshtatshëm të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit të komunitetit serb me Qeverinë e Kosovës.
Kjo gjuhë, e përdorur në një marrëveshje pas asaj të 2013-s dhe të marrëveshjes së supozuar nga 2015-a, tash zbatohet në këtë çështje të veçuar. Detyra është që të sigurohet një nivel përshtatshëm i vetëmenaxhimit të fokusuar në ofrimin e shërbimeve në sfera të caktuara. Kosova ka të drejtë t’i referohet kësaj gjuhe si mbizotëruese në këtë çështje. Përderisa Marrëveshja Bazë dhe Aneksi gjithashtu u referohen marrëveshjeve dhe aranzhimeve paraprake, kjo gjuhë e re e paraqet çështjen në fjalë ashtu që formulimi i ri do të duhej të vlente tash e mbas (lex posterior derogat legi priori). Nuk do të kishte asnjë logjikë që të hartohej detyrimi në formë kaq komplekse po të mos kishte kuptim në të dhe po qe se praktika paraprake dhe mbështetja mbi dokumentet paraprake thjesht vetëm do të vazhdonte.
Siç dihet mirëfilli, kjo është sferë shumë e ndjeshme për Qeverinë e Republikës së Kosovës. Sidoqoftë, në Takimin e Nivelit të Lartë në Bruksel më 2 maj, kryeministri i Kosovës e ofroi një vizion për atë se si mund t’i qasej kësaj teme. Sidoqoftë, nuk ka pasur shqyrtim joformal apo konstruktiv të ideve që paraqiten në këtë vizion. Komentet e ardhura janë përqendruar në çështje më periferike. Në vend se të përfshihen në substancën e vizionit dhe shembullin marrë në përkrahje të tij, Lehtësuesi ofroi përgjigje të ngurta dhe arrogante ndaj parashtresave të Kosovës për këtë dhe çështjet e tjera.
XI. Qëllimi i Marrëveshjes së 2013-s
Përfaqësuesja e lartë e BE-së atëherë, baronesha Ashton, konfirmon se përfshirja e atëherë AKSHS-së më 2013-n kishte për qëllim të shërbente si mjet për ta adresuar një çështje shumë brengosëse në Kosovë. Kjo po u jepte fund strukturave paralele ilegale të qeverisjes në veriun e Kosovës, që pjesërisht ishte nën dirigjimin e Serbisë. Themelimi i AKSHS-së kishte për qëllim t’i jepte popullatës lokale, kryesisht serbe, sigurinë se tërheqja e këtyre strukturave paralele ilegale nuk do t’i linte pa asnjë mjet koordinimi të veprimeve individuale ndërmarrë nga komunat me shumicë serbe brenda kompetencave të tyre të zgjeruara.
Duke nisur nga negociatat në Rambouillet dhe përgjatë procesit Ahtisaari, gjithnjë ka qenë e qartë se Kosova nuk do të pranonte rrafshin e tretë të qeverisjes në vend, të asaj në mes të qeverisjes qendrore dhe asaj komunale. Kjo në fakt u pranua plotësisht nga ekipi i Ahtisaarit, duke pasur parasysh përvojën e pafat të Bosnjë-Hercegovinës me zgjidhjet për autonomi të gjerë.
Megjithatë, në Marrëveshjen Bazë të 2013-s, Kosova ofroi që t’u jepte komunave një mekanizëm nëpërmjet të të cilit do ta koordinonin politikën dhe veprimin e tyre në lidhje me kompetencat dhe kompetencat e zgjeruara që i kishin tashmë në bazë të dokumentit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Këto nuk do të ishin kompetenca të reja apo kompetenca të shtuara. Do të kishin të bënin me ushtrimin e kompetencave ekzistuese. Për më tepër, secila komunë do të merrte veprim të dakorduar nëpërmjet mekanizimit të AKSHS-së individualisht. AKSHS-ja nuk do të kishte fuqi ekzekutive.
Kjo, megjithatë, u kushtëzua nga shuarja e strukturave ilegale paralele. Balanca e kësaj marrëveshjeje të 2013-s u humb në debatin aktual. E gjithë vëmendja është fokusuar te çështja e AKSHS-së, dhe aspak vëmendje nuk i është dhënë qëllimit balancues të adresimit të çështjes së strukturave paralele.
XII. Metodologjia e pabalancuar
Injorimi i pikëpamjeve të Republikës së Kosovës e bën paksa të paarsyeshme të pritet që Republika e Kosovës të pajtohej me një proces që e përcjell “metodologjinë” e miratuar deri tani. Deri tani, Lehtësuesi e ka përcjellë praktikën e dorëzimit të një dokumenti që e ka hartuar vetë. Pasi i dëgjon palët, e paraqet versionin e reviduar. Në përgjithësi, kjo i ka akomoduar vetëm pikëpamjet e palës tjetër, pra të Republikës së Serbisë, sikur ndodhi në Ohër, derisa i ka injoruar në formë përmbajtjesore qëndrimet e paraqitura nga Republika e Kosovës. Pastaj ky dokument shpallet nga Lehtësimi si, në esencë, i pandryshueshëm (sikurse ishte Marrëveshja Bazë pas komenteve të marra), ose që dokumenti do të shërbejë si bazë për negociata, sikurse ndodhi në Ohër.
Të marrësh një rezultat të këtillë si “bazë për negociata” do të thotë se, nëse dy delegacionet nuk e përkrahin një ndryshim, teksti do të mbetet i pandryshuar. Nëse teksti i paraqitur është formësuar ashtu që ta tërheqë pranimin e Serbisë, por jo edhe të Kosovës, atëherë kjo qasje është dukshëm e padrejtë dhe e papranueshme. Dhe siç po e kupton edhe vetë Lehtësimi, edhe joproduktive. Një rezultat i prodhuar në këtë mënyrë, në fund, nuk do të miratohet nga Republika e Kosovës. Është interesante që në këtë rast, madje edhe Serbia nuk e ka parë të nevojshme që ta pranonte atë formalisht, mirëpo shumëçka ka kthyer në interes të vetin, duke ditur se mund t’i mblidhte përfitimet prej përmbushjes së obligimeve nga ana e Kosovës, madje edhe pa e ofruar nënshkrimin dhe përmbushjen e plotë në këmbim.
XIII. Çështja e Komitetit menaxhues dhe propozimit të tij
Një nga këto çështje ka të bëjë me të ashtuquajturin Komitet menaxhues. Më 2015 ishte parashikuar krijimi i tij me një “plan” të thjeshtë, që katër kryetarët e komunave në fjalë do ta përbënin këtë Komitet për ta paraqitur një projektstatut për atë që atëherë u përshkrua si AKSHS-ja. “Plani” nuk kishte apo kishte bazë shumë të papërcaktuar juridike. Gjithsesi atë e kanë shkelur koha dhe ngjarjet mbi të cilat funksionimi i tij do të mbështetej, meqë kishte paraparë veprime brenda ditësh apo muajsh e jo vjetësh. Megjithatë, Lehtësuesi insistonte se Komiteti menaxhues tash, tetë vjet më vonë, do ta parashtronte projektstatutin.
Kosova kundërshtoi, duke theksuar, për shembull, se një nga anëtarët e këtij Komiteti të Menaxhimit shërbente si deputete e Kuvendit të Republikës së Serbisë. Ishte shkelje e qartë e tekstit dhe shumë qartë edhe të frymës të instrumentit origjinal. Fundja, personi në fjalë, znj. Danijela Vujiçiq, dha betimin si deputete e Kuvendit të Republikës së Serbisë më 3 gusht 2020. Sipas betimit, ajo obligohet që “t’u shërbejë qytetarëve të Serbisë”, që e bën një konflikt të qartë interesi në këtë aspekt. Pra, sipas rolit të saj si anëtare e Komitetit menaxhues, nga ajo kërkohet që t’i përfaqësojë qytetarët e Kosovës në komunën përkatëse.
Kur kjo u sfidua nga Republika e Kosovës, përgjigjja e Lehtësuesit ishte se instrumentet relevante nuk e përjashtonin shprehimisht këtë mundësi. Prandaj, përfaqësimi i një deputeteje të Kuvendit serb nuk mund të kundërshtohej, pavarësisht arsyetimit të themeltë të ankesës. Sipas monedhës së njëjtë, dikush do të mund të thoshte se edhe hipopotami do të mund të ishte anëtar i Komitetit, meqë as ky rast nuk ishte përjashtuar shprehimisht.
Lehtësuesi e shpjegoi sjelljen e vet me të cilën, më së buti thënë, e injoronte qëllimin dhe frymën e dispozitës, dhe në rastin më të keq, ishte ofendues në raport me Republikën e Kosovës. Leximi i këtillë i aranzhimeve siguroi që Serbia, e cila e kontrollonte Komitetin menaxhues nëpërmjet punonjëseve të vet apo edhe të individëve që vareshin nga ta, do të përfaqësohej dyfish. Një herë si trupi që e harton statutin dhe herën e dytë si pala negociuese që do ta shqyrtonte atë propozim.
Komiteti menaxhues gjithashtu u lejua ta shmangte vetë Planin mbi të cilin ishte mundësuar pjesëmarrja e tij. Sipas Planit, ai duhej të funksiononte dhe ta koordinonte veprimin e vet me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës. Komiteti nuk komunikoi me Ministrinë, pavarësisht kërkesave që ta bënte këtë. Kosova, nën autoritetin e së cilës duhej vepruar ky komitet, madje as nuk e kishte parë projektin para se ai t’i dorëzohej dialogut.
Për më tepër, në bisedimet që kishin për qëllim synimin për ta inkurajuar Kosovën për të marrë pjesë në këtë proces të shpalosjes së projektit nga Komiteti menaxhues, Lehtësuesi dhe qeveritë përkrahëse i kishin dhënë garanci të fuqishme Qeverisë së Republikës së Kosovës. Kosova e kuptoi se projekti, nëse nuk është në konsistencë me kriteret e dakorduara që do të përmenden më poshtë, do të shpallej i papranueshëm. Në vend të kësaj, Kosova do të kishte mundësinë e paraqitjes së një projekti të balancuar dhe të besueshëm që do të shërbente si bazë e bisedimeve.
Kjo nuk u respektua. Projekti i Komitetit menaxhues u pranua. Nga perspektiva e Kosovës ishte plotësisht i papranueshëm, sepse dokumenti e paraqiste një dizajn autonomie që kishte qenë shprehimisht i përjashtuar nga Lehtësuesi dhe shtetet përkrahëse si model i mundshëm apo si bazë për bisedime në dialog. Shembulli i Republikës Serbe ishte përmendur shumë shpesh si dëshmi se një dizajn i tillë nuk mundet dhe nuk do të duhej të paraqitej.
XIV. Pamja e pjesshme e nenit 7: Çështja e strukturave paralele
Sikurse u tha më lart, ajo që më 2013 u përshkrua si AKSHS, u krijua si mjet për t’iu dhënë fund aktiviteteve ilegale të strukturave paralele. Kjo do të duhej t’i kishte dy aspekte. Ato aktivitete për të cilat nuk ka juridiksion legal të ushtruar nga komunat në trevë do të duheshin shuar. Nga ana tjetër, ushtrimi i kompetencave dhe të kompetencave të zgjeruara që ligjërisht i gëzojnë komunat individualisht, në koordinim me njëra-tjetrën, do të mund të lehtësoheshin nëpërmjet AKSHS-së, ngase strukturat paralele do të shuheshin.
Në Projektaneksin e zbatimit të datës 16 mars ishte propozuar qe “të gjitha strukturat e shërbimet e mbetura në Kosovë e të administruara nga Serbia do të kalojnë te mekanizmi, i cili do të krijohet si pjesë e sigurimit të një niveli të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë”. Duke e pasur parasysh përhapjen e aktiviteteve të strukturave ilegale paralele, kjo do të nënkuptonte se mekanizmi i nenit 7 do të shndërrohej në një rrafsh të ri të fuqishëm të pushtetit dhe një agjenci ekzekutive që do ta merrte administrimin e funksioneve paralele nga Serbia — modeli i Republikës Serbe, që ka qenë përjashtuar që nga fillimi.
Për ta arsyetuar veten, Lehtësuesi shpjegoi në Ohër se ky kishte qenë gabim në hartim. Qëllimi kishte qenë që të sigurohej se strukturat paralele do të tërhiqeshin. Në këtë rast, funksionet legale do të realizoheshin nga komunat individuale, edhe pse në bashkëpunim me njëra-tjetrën, nëpërmjet mekanizmit të nenit 7.
Neni 7 i Marrëveshjes Bazë në fakt e ofron mjetin për t’u marrë me strukturat paralele. Mekanizmi për ta siguruar nivelin e përshtatshëm të vetëmenaxhimit i paraparë në atë nen, balancohet më tej me edhe një instrument. Kjo është marrëveshja me Republikën e Serbisë për mundësinë që të vazhdohet me përkrahjen financiare për disa nga fuqitë dhe funksionet e që ligjërisht u takojnë komunave. Po të kishte një mekanizëm transparent që i përfshinte autoritetet e Republikës së Kosovës, nëpërmjet të cilave transferohen këto mjete, kjo në esencë do ta mbyllte operacionin e strukturave paralele, së paku në zonat që bien në kompetencën apo kompetencat e zgjeruara të komunave.
Sërish, megjithatë, ky fakt balancues u injorua tërësisht në bisedimet në lidhje me nenin 7. E gjithë vëmendja dhe shumë presion u drejtua kundër Republikës së Kosovës për ta ofruar një statut për mekanizmin, përderisa asnjë vëmendje nuk iu kushtua çështjes kyç që shpiu drejt futjes së kësaj çështjeje në Marrëveshjen e Parë të 2013-s.
XV. Lehtësuesi si Car
Rezultati është se tash ekziston një tekst i gjatë mbi tavolinë, dhe nga këndvështrimi i Kosovës, plotësisht i papranueshëm, i propozimit të të supozuarit Komitet menaxhues, si bazë për bisedime. Nga Qeveria e Kosovës është kërkuar që ta paraqesë projektin e vet. Pritjet janë se atëherë do të ketë bisedime që çojnë drejt miratimit të propozimit që, sipas këndvështrimit të Lehtësuesit, e përfaqëson një zgjidhje të pranueshme e shtrirë diku mes dy projekteve.
Në Projektaneksin e zbatimit të propozuar një ditë para nisjes për në takimin e Ohrit, Lehtësuesi ia dha vetes rolin e “arbitrit përfundimtar” në raport me çfarëdo çështje të zbatimit që nuk zgjidhet me marrëveshjen e palëve në Komitetin e Përbashkët që e ka marrë detyrën për zgjidhjen e kontesteve mes palësh, gjithashtu e kryesuar nga ai. Kjo bëri që Kosova të kuptonte se Lehtësuesi, në fund, thjesht do ta impononte vizionin e tij për atë se si do të dukej mekanizmi i nenit 7 në rolin e tij si “arbitër përfundimtar”. Kjo ta kujton rolin e një përfaqësuesi të lartë në rastet e qeverisjes ndërkombëtare të një territori, si për shembull në të kaluarën në Bosnjë-Hercegovinë apo, pa dyshim, në Kosovë nën administrimin e UNMIK-ut. Dukej se po e kthente Kosovën në gjendjen që kishte mbretëruar menjëherë pas luftës së 1999-s, para se të ngrihej në shtet me sovranitet të plotë.
Atëherë, sikurse edhe tash, gjetja e këtij “arbitri përfundimtar” do të mund t’i imponohej Kosovës nëpërmjet presionit ndërkombëtar. Kështu, një autonomi aktuale apo virtuale për veriun e Kosovës do të mund të imponohej mbi Kosovën, pra sovrani territorial mbi territorin për të cilin flitet, duke e vënë në pyetje sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës.
Ky propozim në fund u eliminua në zhvillimet kaotike në Ohër. Sidoqoftë, tash është ringjallur në një formë pak më ndryshe. Lehtësuesi tash e ka sugjeruar një Metodologji për negociatat për statutin dhe për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Rastësisht, ky titull na kthen prapa në 2013-n dhe nuk e reflekton gjuhën e nenit 7 të Marrëveshjes Bazë.
Në substancë, propozimi sugjeron se Lehtësuesi do t’i dëgjojë këndvështrimet e palëve për një propozimstatuti. Secili nga ta mund të japë vërejtjet, por duket se do të jetë Lehtësuesi ai që e prodhon statutin në fund. Vërejtjet ndaj tekstit nuk nënkuptojnë se ai nuk është teksti përfundimtar i projektstatutit. Në fakt, ato do të regjistroheshin në shënimet margjinale që e përcjellin projektstatutin e që janë shkruar në bazë të vërejtjeve të palëve. Në praktikë, ato nuk do të kishin rëndësi. Dokumenti do të mbeste si rezultati përfundimtar, me apo pa vërejtjet e regjistruara.
Pra sërish nuk mund të pritet që Republika e Kosovës do të heqë dorë nga sovraniteti i saj mbi territorin e vet aq sa të lejojë t’i imponohet një statut ndaj të cilit ka paraqitur kundërshtime.
E njëjta vlen për propozimin e Lehtësuesit për ta themeluar një mekanizëm të veçantë negocimi, të fokusuar vetëm te mekanizmi i nenit 7, të mbajtur vetëm në nivel teknik (nga pesë ekspertë teknikë për secilën palë) të nënshtruar udhëzimit të përgjithshëm dhe kontrollit përfundimtar të lehtësimit, siç edhe u përshkrua.
Edhe një herë duhet rikujtuar se neni 7 nuk është e vetmja dispozitë e Marrëveshjes Bazë. Republika e Kosovës mbase nuk do të pajtohet për negociata të veçanta për vetëm një çështje dhe ta adresojë atë si të izoluar nëpërmjet mekanizmit të vet të veçantë. Në fakt, madje edhe neni 7 i parasheh dy elemente të tjera e të ndërlidhura, ndërkohë që asnjëra nuk do të përfshihej në punën e atij grupi punues specialistësh. Pra, po qe se do të ketë bisedime të mëtejme për zbatimin e nenit 7, atëherë gjasat janë se ato do të ndodhin në nivel të kryenegociatorit, sikur ka qenë rasti gjatë gjithë kohës. Secili delegacion e ka të drejtën që ta përfshijë cilindo ekspert teknik.
XVI. Mohimi i zotimeve të veta nga vetë Lehtësuesi
Është e vërtetë që Marrëveshja Bazë e përmban zotimin që të merren veprime në raport me mekanizmin e nenit 7.
Megjithatë, ky është mekanizmi i përshkruar me gjuhën precize të asaj marrëveshjeje — një mekanizëm që do ta siguronte një nivel të duhur të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për të ofruar shërbime në sfera specifike, e jo një AKSHS. Për më tepër, Kosova e peshoi vendimin e vet për ta pranuar marrëveshjen me shumë kujdes. E pranoi mbështetur mbi zotimet e fuqishme që i janë përsëritur me konsistencë para se ta merrte vendimin.
Zotimi i parë i këtij lloji u dha nga atëherë përfaqësuesja e lartë, Federica Mogherini, më 2015. Ky zotim është me shkrim dhe është shumë specifik dhe preciz, duke konfirmuar se ajo që atëherë u quajt AKSHS nuk do të bëhej rrafsh i ri i pushtetit në Kosovë. Për më tepër, trupi nuk do të kishte fuqi ekzekutive.
Rrafshi i dytë i zotimeve erdhi nga vetë Lehtësuesi personalisht, mbështetur nga shtetet përkrahëse, në veçanti SHBA-ja. Këto zotime e bëjnë të qartë që trupi do ta ketë vetëm një funksion koordinues. Sërish nuk do të ketë fuqi ekzekutive. Për më tepër, u bë e qartë nga vetë Lehtësuesi dhe partnerët, se statuti duhet të jetë në përputhje se Kushtetutën e Kosovës dhe aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, dhe se do të duhet vlerësuar nga kjo gjykatë para se të miratohet. Një përmbledhje e disa nga këto zotime i janë bashkëngjitur këtij shkrimi.
E treta, aty është edhe vetë teksti i Marrëveshjes Bazë. Gjuha e saj e sqaron, për shembull, se funksioni i mekanizmit të nenit 7 ka të bëjë me vetëmenaxhimin në raport me ofrimin e shërbimeve në sfera të caktuara. Kjo do të thotë se fushëveprimi i tij është kufizuar te llojet e aranzhimeve praktike që mund t’i ndërmarrin komunat individuale brenda juridiksionit të tyre.
E katërta, është edhe vetë e drejta ndërkombëtare që u imponon disa kërkesa të dyja palëve dhe Lehtësuesit. Për shembull, nuk do të ishte e mundur që të parashihej një mekanizëm që është në kundërshtim me obligimin e mosdiskriminimit. Kjo u dëshmua në rastin Finci në lidhje me Marrëveshjen e Daytonit për Bosnjë-Hercegovinën sipas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Kur Republika e Kosovës ia rikujtoi Lehtësuesit zotimet e dhëna para se të pranoheshin Marrëveshja Bazë dhe Aneksi, mori një përgjigje të jashtëzakonshme. Në vend se t’i konfirmonte zotimet e veta dhe ato të BE-së të dhëna në nivelin më të lartë, ai deklaroi se ai nuk mund të obligohej vetëm nga ato dokumente, “edhe pse BE-ja nuk e përjashtonte që të udhëzohej nga bile ndonjëri nga ta, kur flitet për themelimin e AKSHS-së”.
Rastësisht, ky formulim arrogant sugjeron, sërish, se do të jetë BE-ja e jo Kosova ajo që do ta themelojë mekanizmin e nenit 7 – çështje së cilës Lehtësuesi ende i referohet si AKSHS, pavarësisht emërtimit të qartë në Marrëveshjen Bazë.
Sa i përket substancës, megjithatë, guximi i Lehtësuesit për ta thënë këtë dhe me shkrim, do të jetë rast unikal në historinë e diplomacisë. Përfaqësuesi i posaçëm është krijim dhe instrument i BE-së. Ai i obligohet mandatit, i cili i është dhënë për të lehtësuar, e jo për të ndërmjetësuar apo edhe për të imponuar. Gjithashtu u obligohet zotimeve që i ka bërë organizata e tij në nivelin e lartë dhe në mënyrë formale. Në këtë rast, kjo është një garanci formale e thënë nga eprori i tij, atëherë nënkryetarja e Komisionit Evropian dhe përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, në raport me aranzhimet e viteve 2013/2015. Këto janë pikërisht ato aranzhime për të cilat Lehtësuesi thotë se e obligojnë Kosovën dhe e rregullojnë çështjen. Kosova nuk beson se BE-ja e ka qëllimin apo aftësinë që t’i mohojë garancitë e ofruara me aq shumë qartësi, pa e liruar Kosovën nga pajtimi që supozohet se duhej dhënë mbështetur mbi këto garanci.
E dyta, është mahnitëse të shohësh se si Lehtësuesi nuk e konsideron veten të obliguar për garancitë që i ka dhënë vetë vetëm disa javë më herët, kur përpiqej ta bindte Kosovën për ta pranuar Marrëveshjen Bazë. Tash që Kosova e ka pranuar, duket se këto janë bërë të njëpërdorimshme dhe mundet ose nuk mundet të mbështetet në to sipas diskrecionit të vetë Lehtësuesit. Në çfarëdo konteksti, sjellja e këtillë do të konsiderohej shkelje e besimit. Republikës së Kosovës mund t’i falet pse e ka humbur besimin në të gjithë procesin e negociatave të udhëhequr nga Lehtësuesi aktual.
XVII. Qasja e përgjithshme
Kosova i ka përsëritur shumë herë brengat e veta në formë racionale dhe të arsyeshme. Nuk janë marrë parasysh në mënyrë përmbajtjesore. Me gjithë ndryshimin e barrës së obligimeve dhe përfitimeve të shkaktuara me refuzimin e Republikës së Serbisë që formalisht ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, negociatat vazhdojnë thuajse asnjë ndryshim nuk ka ndodhur. Kjo dhe çështjet e tjera të ngritura kanë marrë përgjigje irrituese, arrogante dhe thjesht teknike që nuk merren fare me to.
Për shembull, Republika e Kosovës parashtroi ankesë ndaj disa deklaratave të kryetarit të Serbisë pas dakordimit të supozuar të Marrëveshjes Bazë dhe të Aneksit, gjithashtu të reflektuara në disa letra dërguar Lehtësuesit. Këto deklarata dhe letra duket se synonin ta rezervonin pozicionin e Serbisë përderisa ata deklarojnë se nuk është arritur asnjë marrëveshje detyruese me Kosovën, dhe se do të zgjedhë çfarëdo obligimi që mendon se duhet të zbatojë, po qe se ka të tillë.
Në vend se të adresonte përmbysjen e balancës së detyrimeve që do të ndodhte po qe se do të mbahej ky pozicion, Lehtësuesi e qerasi Qeverinë e Kosovës me disertacion për të drejtën ndërkombëtare mbi rezervimet të themeluara me Konventën e Vjenës për Ligjin për Traktatet.
E vërtetë, nuk mund të ketë rezervime në traktatet bilaterale. Rezervimet duhen të bëhen me kohë dhe t’i adresohen palës tjetër apo visarit. Por kjo është pikërisht esenca e ankesës. Sipas Konventës së Vjenës, deklaratat e njëanshme, pavarësisht se si janë përpiluar apo si quhen, që kanë për qëllim të përjashtojnë apo ndryshojnë dispozitat e një traktati bilateral, barazohen me ofertë për një traktat të ri. Do të konfirmonin se asnjë traktat nuk është arritur. Si alternativë, po qe se këto janë caktuar si të ashtuquajtura deklarata interpretative, që tregojnë se si një palë e ka ndërmend të interpretojë dispozitat e caktuara të një marrëveshjeje, ato janë të papranueshme nëse në fakt kanë për qëllim të përjashtojnë apo modifikojnë elementet e një traktati.
Në këtë rast, do të duhej të ishte roli i Lehtësuesit, i cili duket se vepron në rolin e visarit, meqë ai e ka pranuar pajtimin e supozuar të palëve, për ta refuzuar formalisht çfarëdo akti të njëanshëm të Republikës së Serbisë që e përmbys pikërisht objektin dhe qëllimin e marrëveshjes në fjalë. Kjo pritje vlen, pavarësisht nëse këto deklarata janë bërë në kohën e pranimit të supozuar të tekstit apo më vonë dhe nëse janë caktuar si rezerva, deklarata interpretative apo diçka tjetër.
Letrat që reflektojnë një lloj deklarate të përshkruar si më lart, në fakt do të barazoheshin me mohimin formal të çfarëdo marrëveshjeje (“Nuk kam pranuar”). Sërish, pavarësisht a janë bërë publikisht apo në letra adresuar Lehtësuesit, kjo është qasja të cilën Republika e Kosovës ka të drejtë ta kundërshtojë. Dhe ky kundërshtim e meriton një përgjigje përmbajtjesore dhe, pa dyshim, edhe veprimin e Lehtësuesit.
Në formë më të përgjithshme, sikur në negociatat paraprake ku ishte përfshirë Republika e Kosovës, qasja duket të jetë se fillimisht negociohet për ato që Qeveria e Kosovës mendon se do të jetë rezultati i dakorduar dhe më pas kjo çështje i referohet Beogradit për negociatat aktuale. Për ta shtyrë Qeverinë e Serbisë që të pranojë, rezultati atëherë do të revidohet në thelb, njëanshëm dhe në kundërshtim me interesin e Republikës së Kosovës. Supozimi është se Kosova, në fund, mund t’i nënshtrohet presionit që të pranojë një rezultat kaq shumë të pabalancuar.
Natyrisht, tekstualisht në të gjitha instancat e kaluara, Serbia është mbështetur mbi këtë qasje paksa naive dhe qartazi të pabarabartë të bashkëbiseduesve ndërkombëtarë për të fituar maksimumin e koncesioneve, ndërkohë që në fund, edhe ashtu, nuk do ta nënshkruante rezultatin përfundimtar (Rambouillet, Ahtisaari, Marrëveshja Bazë).
Kjo është saktësisht ajo që ka ndodhur natën para nisjes në Ohër. Kosova ishte përgatitur të përfshihej në detaje të konsiderueshme në Projektaneksin, i cili kishte qenë mbi tavolinë katër muajt e fundit. Pastaj, një version i ri, plotësisht ndryshe që e akomodonte Beogradin u prezantua si befasi. Megjithatë, kur Republika e Serbisë megjithatë refuzoi të nënshkruante çfarëdo marrëveshjeje apo aneksi, Lehtësuesi prapë u pajtua dhe e imponoi një rezultat, ku Republikës së Serbisë i lejohet të zgjedhë cilindo, nëse ka, obligim që do të mund ta zbatonte; jo si çështje e obligimit juridik, por si punë zgjedhjeje. Kosovës, nga ana tjetër, i kërkohet që njëanshëm ta zbatojë obligimin i cili është më i rëndi nga këndvështrimi i saj.
Përderisa bëri që Republika e Kosovës ta kontestojë edhe atë e edhe vetë procesin, Lehtësuesi megjithatë insiston që t’ia japë vetës fuqinë që të marrë vendime për çështjet kyç për palët dhe që t’i zbatojë ato. Kjo nuk besohet të jetë e pranueshme për Republikën e Kosovës.
Për më tepër, nuk ka perspektivë të qartë se si do të vijojë i gjithë zbatimi. Lehtësuesi ka refuzuar të ofrojë një plan të pastër, të sekuencuar dhe me afate kohore që i peshon obligimet e të dyja palëve kundruall njëra-tjetrës dhe e vendos një lloj ekuilibri, sikurse ishte tentuar me Projektaneksin e 4 dhjetorit.
Gjithashtu nuk ka garanci se si do të procedohet tutje me zotimin për realizimin e normalizimit të plotë, përfundimtar, me njohjen në qendër — një proces që mendohej se do të fitonte elan shtesë sipas nenit 6 të Marrëveshjes.
Arsyetimi i Lehtësuesit për këtë dështim është se Serbia kurrë nuk do ta pranonte një qasje të këtillë në bisedimet e ardhshme për zbatimin apo normalizimin e përgjithshëm, pavarësisht se sa e balancuar mund të jetë. Prandaj edhe duhej hequr dorë nga kjo.
Për Qeverinë e Republikës së Kosovës, përgjigjet e këtij lloji e konfirmojnë sërish se ky proces nuk udhëhiqet si një negociatë e vërtetë mes të barabartëve. BE-ja është e etur që ta tërheqë Serbinë brenda vetes. Ky theksim ka marrë peshë më të madhe me konfliktin aktual që rezulton nga agresioni dhe pushtimi ushtruar nga Federata Ruse kundër Ukrainës.
Republika e Kosovës e ka bërë të qartë se plotësisht i përkrah synimet e BE-së dhe të shteteve të tjera kyç në raport me Ukrainën dhe formën e një Evrope stabile e demokratike. Përderisa Qeveria e Kosovës i ka dyshimet për interesat e vërteta të udhëheqjes së Serbisë për ta ndjekur integrimin euroatlantik, nuk do që t’i asgjësojë planet dhe shpresat e BE-së në këtë aspekt.
Pra, sërish, duket e qartë se Kosova do që të negociojë dhe duhet të negociojë për interesat e Kosovës, e jo për synimet e tjera. Sikurse në të kaluarën, dikush mund të supozojë se ajo vazhdon të jetë e gatshme që të përfshihet në këmbimet e njëmendta në negociatat e këtij lloji. Megjithatë, nuk është e besueshme se do ta inkurajojë një proces që ka për synim që të nxjerrë rezultate me të cilat nuk është pajtuar lirshëm.
Duke e pasur parasysh këtë situatë të përgjithshme, e cila u bë edhe më komplekse me zhvillimet më të fundit në Kosovë, është evidente se bisedimet ballafaqohen me rrezikun e dështimit, e me të edhe i gjithë procesi i normalizimit. Nisma e mirëpritur franko-gjermane dhe Marrëveshja Bazë, që rrodhi nga ajo, janë përdorur thellësisht keq. Është e vërtetë se ka pasur një “shpërblim” në kuptimin e progresit drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Megjithatë, ky është faktor jashtë Marrëveshjes Bazë apo të vetë procesit të Brukselit dhe që tash mund të jetë në rrezik.
Nisma franko-gjermane kishte për qëllim që t’i avanconte e t’i stabilizonte raportet mes palëve, me kushtin e arritjes së normalizimit të plotë dhe gjithëpërfshirës në mënyrë ligjërisht të obligueshme. Në vend të kësaj, në mënyrën se si është përdorur, i ka çrregulluar raportet mes palëve. Marrëveshja ka mundur të ofronte një balancë obligimesh të ndërsjella. Por, një disbalancë e thellë ka rezultuar nga kjo qasje e Lehtësimit, që e ka pranuar pozicionin e Serbisë si një fakt të palëkundshëm kurse pikëpamjet e Kosovës si irritime të parëndësishme.
Republika e Kosovës nuk ka përfituar asgjë nga ajo që është paraparë në vetë marrëveshjen. Vetë fakti i dështimit të nënshkrimit dhe të pranimit të marrëveshjes plotësisht e ka eliminuar efektin e marrëveshjes, me të cilin llogariste Kosova sa u përket raporteve me shtetet e treta dhe organizatat.
Në aspektin e kësaj të fundit, Serbia tashmë haptazi e ka mohuar zotimin e saj, shumë qartë të përcaktuar në marrëveshje që të mos e pengojë përpjekjen e Kosovës për t’u anëtarësuar në organizatat ndërkombëtare. Dhe e mban pikëvështrimin se ajo vetë do të vendosë se cilat, nëse ka ndonjë, zotime nga Marrëveshja Bazë do t’i zbatojë. Kosova, nga ana tjetër, supozohet se detyrohet t’i zbatojë çështjet kyç që janë me interes për palën tjetër — palën që as nuk e pranon se është palë e marrëveshjes në raport me Republikën e Kosovës.
Në fakt, ky episod tash e ka fokusuar të gjithë procesin e normalizimit te çështja totemike e asaj që është njohur përpara si AKSHS, e tash mekanizëm për zbatimin e nenit 7. Ka pak shumë stimuj që Kosova ta lejojë veten që ta përpijë vorbulla e kësaj dinamike që kaq qartazi shkon kundër synimeve të premtuara dhe kundër strukturës së procesit, që mendohej se duhej të fokusohej në normalizimin gjithëpërfshirës, ligjërisht të obligueshëm me njohjen në qendër.
XVIII. Rruga përpara?
Ky madje mund të jetë një çast për BE-në si institucion ndërkombëtar me mandatin për ta udhëhequr dialogun e normalizimit që të reflektojë për gjendjen aktuale. Po qe se dialogu do të vazhdojë, duhet të jetë i balancuar dhe korrekt. Nuk mund të jetë një mekanizëm që e akomodon vetëm njërën palë, në kuptimin e interesave më të gjera strategjike dhe ta injorojë palën tjetër. Nuk mund të jetë një proces që i imponon rezultate palës e cila, në fakt, e ka pranuar dhe ka treguar vazhdimisht vullnetin për t’i nënshkruar formalisht Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin.
Në fakt, kryetari i Serbisë ka thënë vazhdimisht se ai kurrë nuk do të lëvizë para drejt njohjes së statusit të Kosovës, pra drejt normalizimit gjithëpërfshirës në një formë ligjërisht të obligueshme. BE-ja mbase do të duhet të ballafaqohet me perspektivën se i gjithë procesi i normalizimit dhe fokusimi i përqendruar te njohja në fakt janë vegim.
Nëse është kështu, atëherë caku i presionit ndërkombëtar duhet të jetë Republika e Serbisë e jo Kosova. Kosova i ka pranuar të gjitha përpjekjet ndërkombëtare për ta adresuar krizën që e përfshinte Kosovën që nga Marrëveshja e Rambouilletsë deri te negociatat e Ahtisaarit e tash edhe Marrëveshjen Bazë të Brukselit. Serbia kurrë nuk e ka pranuar asnjërën nga to. Sidoqoftë, është Kosova ajo që e gjen veten nën trysni, e kërcënuar me sanksione dhe “masa” të paspecifikuara nga miqtë dhe aleatët.
Nuk mund të pritet që Republika e Kosovës të përgjigjet pozitivisht ndaj trysnisë për zbatimin e marrëveshjeve paraprake, e tash edhe të Marrëveshjes Bazë dhe Aneksit të saj, nëse i gjithë procesi është përqendruar mbi iluzionin se ndoshta dikur Serbia do të futet në rend dhe do t’i pranojë obligimet e veta. Dikur duhet të shfaqet momenti i së vërtetës. A e pranon Republika e Serbisë normalizimin apo jo? Nëse po, minimalja që mund të pritet është që ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë. Kjo marrëveshje qëllimisht dhe madje me shumë bujari është kornizuar, nga prindërit e saj intelektualë, Franca e Gjermania dhe BE-ja, si thjesht “një hap në shtegun drejt normalizimit”, duke ia mundësuar Serbisë të përparojë pa e njohur formalisht statusin e Republikës së Kosovës. Kjo shkon kundër interesave të Kosovës, por u pranua nga Prishtina në nderim të partnerëve të saj ndërkombëtarë.
Për të qenë e qartë, nuk ka indice që Republika e Kosovës ka për synim që ta mohojë Marrëveshjen Bazë dhe Aneksin, pavarësisht rrethanave të pafata të lindjes së tyre. Përkundrazi, ka dhënë siguri se Marrëveshja Bazë është njësoj obliguese për të dyja palët. Nëse pala tjetër thotë se nuk është shumë e obliguar nga marrëveshja, si brenda ashtu edhe jashtë procesit, atëherë Marrëveshja Bazë nuk ekziston. Ngjashëm, nuk mund të pritet që Republika e Kosovës të ofrojë zotim të plotë po qe se pala tjetër e rezervon të drejtën të zgjedhë se cilin, nëse ka ndonjë, detyrim do ta zbatojë sipas vlerësimit të vet.
Aty ku bëhet fjalë për nenin 7, zotimet e bëra nga BE-ja duhen respektuar së bashku me vetëformulimin që i përshkruan modalitetet e zbatimit. Të gjitha elementet e nenit 7, dhe pa dyshim, të gjitha elementet e Marrëveshjes Bazë dhe të Aneksit, përfshirë edhe dispozitat programatike, duhen zbatuar. Për më tepër, duhet të ekzistojë një proces i balancuar i zbatimit që u ofron përfitime të barabarta të dyja palëve sipas një sekuencimi të qartë. Fare në fund, perspektiva për zbatimin e nenit 6 mbi elanin e përtërirë që të arrihet normalizimi i plotë, gjithëpërfshirës, me njohjen në qendër, ligjërisht të obligueshëm, duhet të përcaktohet fuqimisht.
Do të ishte gabim që këto pika të shikoheshin si kushte që Kosova do të mund t’i vendoste në proces. Në fakt, ka nevojë që procesi t’i kthehet vijës së pritjeve legjitime dhe të mandatit aktual. Pikat e renditura më poshtë janë zotimet që i kanë bërë BE-ja dhe shtetet përkrahëse. Për më tepër, ato gjithashtu rrjedhin nga Marrëveshja Bazë dhe vetë Aneksi, si dhe nga parimet
e përgjithshme të neutralitetit dhe të trajtimit të barabartë, që duhet ta përforcojnë një negociatë të këtij lloji.
Shtojcë:
GARANCITË E Z. MIROSLAV LAJÇAK DHE SHBA-ja
KOSOVA DO TA HARTOJË STATUTIN [e jo Komiteti menaxhues]
Lajçak tha se e kishte siguruar Kurtin se detajet e Asociacionit do të “hartohen nga ju dhe në pajtim me ju”.
“Nuk do të shkruani diçka me të cilën nuk pajtoheni. Pika e dytë është se ka modele ekzistuese, modele funksionale evropiane. I kam 15 analiza për mbrojtjen e pakicave mbi tavolinën time në Bruksel. Për disa modele mbase nuk keni dëgjuar. Asnjëri nuk ka shkaktuar disfunksionalitet ku janë zbatuar”, tha Lajçak në vazhdim.
Shtoi se shumë kohë po humbet duke biseduar për diçka “që nuk ekziston dhe për diçka që ju do ta bashkëshkruani”.
Në vend të kësaj, po kërkojmë që Kosova të na e japë vizionin e saj për këtë bashkësi dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe përkrahje politike për të siguruar se do të funksionojë në interesin më të mirë të qytetarëve të Kosovës.
Sa i përket çështjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe , Lajçak tha se e njeh “aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese thuajse përmendsh dhe ajo thotë se Asociacioni duhet të themelohet”.
“Qeveria duhet të marrë parasysh konkludimet e Gjykatës Kushtetuese. E besoj se përfundimet janë të qarta dhe se aktgjykimi thotë se statuti i Asociacionit duhet të hartohet dhe se dekreti i Qeverisë duhet t’i marrë parasysh përfundimet e Gjykatës’, tha ai.
Lajçaku gjithashtu tha se Kosova nuk do të detyrohet të pranojë asgjë që shkon kundër sistemit juridik.
Neni 7 e thotë një gjë shumë me rëndësi – se nuk mund të ketë marrëveshje normalizimi të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pa i ofruar mbrojtje kushtetuese dhe institucionale komunitetit serb në Kosovë. Kjo është me çfarë ka të bëjë neni 7. Detajet duhen të dakordohen mes palëve në dialog bazuar në marrëveshjet e 2013-s dhe 2015-s, duke e pasur parasysh mendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe gjithashtu duke marrë frymëzim nga modelet ekzistuese evropiane që funksionojnë mirë.
Përderisa disa zyrtarë amerikanë tashmë e kanë theksuar, unë gjithashtu dua të jem i qartë për pozicionin e Shteteve të Bashkuara. Ne nuk mbështesim asnjë marrëveshje që shkel Kushtetutën e Kosovës, që nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015, ose që do të kërcënonte sovranitetin, pavarësinë, karakterin shumetnik apo institucionet demokratike të Kosovës. Ne e kundërshtojmë fuqishëm krijimin e çfarëdo entiteti që ngjason me Republikën Serbe në Bosnjë-Hercegovinë.
S’KA RRAFSH TË RI TË PUSHTETIT SI NË REPUBLIKËN SERBE
Po humbim kohë, Kosova nuk duhet t’i frikësohet AKS-së, nuk do të jetë Republikë e re Serbe
Lajçaku gjithashtu tha se Kosova nuk duhet të frikësohet nga themelimi i Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, që, siç tha ai, nuk do të thotë një Republikë tjetër Serbe.
Ai po ashtu ka deklaruar se Kosova po humb kohë duke rezistuar dhe kundërshtuar themelimin e AKS-së.
“Unë jam i habitur që njerëzit kanë frikë nga diçka që nuk ekziston. Së dyti, ju do ta formoni atë, nuk do të imponohet. Kosova ka një rol të barabartë në dialog, ashtu si Serbia. Ajo që keni nënshkruar do të thotë se jeni dakord me të. Ju nuk do të nënshkruani më diçka me të cilën nuk jeni dakord”, tha Lajçak.
Lajçak: “Unë mendoj se komuniteti ndërkombëtar i ka bërë këto gabime në të kaluarën në Ballkan, duke dalë me sugjerime që nuk janë testuar në vende të tjera. Jo të gjithë kanë punuar mirë në Ballkan”, tha ai.
“Le të sigurohemi që gjithçka që ne propozojmë të bazohet në modelet ekzistuese që funksionojnë mirë”, tha Lajçak pa iu referuar drejtpërdrejt Bosnjë-Hercegovinës dhe Republikës Serbe – diçka që Prishtina thotë se është një dështim dhe së cilës i frikësohet me krijimin e propozuar të Asociacionit në Kosovë.
Përkushtimi i Kosovës për krijimin e një bashkësie nuk e shkel Kushtetutën e saj, as nuk kërcënon sovranitetin, pavarësinë apo institucionet demokratike. Ne e kundërshtojmë fuqimisht krijimin e diçkaje të ngjashme me komunitetin etnik të Republikës Serbe në Bosnjë-Hercegovinë; Bashkësia ndërkombëtare nuk kërkon të imponojë një zgjidhje. Në vend të kësaj, ne po kërkojmë që Kosova të ofrojë vizionin e saj për këtë Asociacion dhe jemi të gatshëm të ofrojmë ekspertizë dhe mbështetje politike për të siguruar që ai të funksionojë në interesin më të mirë të qytetarëve të Kosovës.Chollet dhe Escobar, 30 janar 2023,
“Unë mendoj se Kosova është shumetnike, po flasim për Asociacionin dhe nuk mendoj se ka një komunë të vetme njëetnike. Shqiptarët jetojnë në veri. Ne duam të aplikojmë modele evropiane. Ne nuk duam ta detyrojmë Kosovën të pranojë asgjë që do të ishte kundër funksionalitetit dhe sistemit të saj juridik. Pse duhet ta bëjmë këtë?”, tha ai [Lajçak].
S’KA RRAFSH TË TRETË, S’KA FUQI EKZEKUTIVE
Në kontekstin e diskutimeve tona për themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave me shumicë serbe, dëshiroj të konfirmoj se është mirëkuptimi i BE-së që Asociacioni/Bashkësia – në përputhje me Marrëveshjen e parë dhe ligjet e Kosovës – nuk do të përbëjë një rrafsh të tretë të qeverisjes dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive. Letra e Mogherinit, 24 gusht 2015
Çfarë nuk do të ishte Bashkësia? Nuk do të krijonte një rrafsh të ri të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ për Qeverinë e Kosovës. Ky parim i rëndësishëm daton që nga propozimi i Ahtisaarit. Komunat bashkëpunojnë në menaxhimin e përbashkët të juridiksioneve në kuadër të institucioneve dhe strukturave legjitime të Kosovës.
S’KA DISKRIMINIM
Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se një Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe nuk do të ishte njëetnike. Këto do të ishin komuna me shumicë serbe, ku jetojnë jo vetëm serbë etnikë, por edhe grupe të tjera – shqiptarë, boshnjakë dhe të tjerë – të drejtat e të cilëve gjithashtu duhet të sigurohen dhe mbrohen. Anëtarët e AKS-së do të jenë zyrtarë lokalë të zgjedhur tashmë si përfaqësues të të gjithë banorëve në komunat e tyre. Sigurimi që AKS-ja të mbetet e hapur për të gjitha etnitë dhe brenda strukturës së kornizës ligjore të Kosovës ishte shqetësimi kryesor i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, e cila kërkoi që propozimi fillestar të përshtatet, të mos hidhet poshtë, dhe ritheksoi detyrimin për formimin e një asociacionit të tillë sipas marrëveshjes së Brukselit.